SPECIALE/ Cfare po ndodh me mjeket ne Shqiperi, Kosove dhe Maqedoni

SPECIALE/ Cfare po ndodh me mjeket ne Shqiperi, Kosove dhe Maqedoni

238
0
Shares

Pagat më të larta dhe mundësitë më të mira të punës nxisin largimin drejt Europës Perëndimore. Një vëzhgim mbi pakësimin e profesionistëve në sistemit shëndetësor në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vendimi për t’u larguar nga Shqipëria nuk ishte i lehtë për Entelën. 15 vjet më parë kur nisi punën si mjeke e përgjithshme në Belsh kishte menduar se do të përballej me vështirësi, por asnjëherë se në fund ato do ta nxisnin të linte përgjithnjë vendin e saj.

 


 

Që prej disa muajsh, ajo ka nisur punë si mjeke në një spital në qytezën e Goslerit, pranë Hanoverit dhe së shpejti edhe familja do t’i bashkohet në këtë sfidë të re. Ndërsa dy vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për të, pasi iu desh të niste mësimin e gjermanishtes e të përgatitej për provime e intervista, e ardhmja i duket shpresëdhënëse. “Fëmijët do të kenë një jetë më të mirë dhe unë më shumë mundësi për të ecur përpara në profesionin tim”, thotë ajo.

Entela Hamiti është 41 vjeç dhe ka punuar si mjeke familjeje në Belsh, më pas në Cërrik e në Durrës deri dy vjet më parë kur vendosi të mësonte gjermanishten dhe të përgatitej për një punë të re në Gjermani.

“Arsyet e largimit janë disa, por ajo që është më e rëndësishmja është dëshira për t’u bërë një mjeke e zonja në profesionin tim; kjo në Shqipëri u bë e pamundur për mua. Në 15 vjet punë si mjeke kam tentuar disa herë të specializohem dhe të bëhem dikush në profesionin tim, por sa herë kam tentuar ajo portë është mbyllur. Përkundrazi, Gjermania ishte një mundësi e artë për mua”, shprehet ajo.

“Ka qenë një kalvar i madh sakrificash, sidomos me fëmijët dhe në familje, shpenzime dhe kohë dedikuar studimit, por krahasuar me përfundimin, mund të them se ia ka vlejtur e gjitha”.

Entela nuk ka më dyshime për vendimin e saj, edhe pse pohon se nuk ishte i lehtë.

“Të punosh në Shqipëri si mjeke është shumë e vështirë dhe nuk nisem vetëm nga infrastruktura, kushtet, mundësitë që ke për të ushtruar profesionin tënd. Këtu është krijuar një klimë që për çdo gjë që nuk ecën në shëndetësi, fajin e kanë mjekët, infermierët. Edhe nëse ndodh edhe gjëja më e vogël, ikin dritat për shembull, fajin e ka mjeku”, flet me keqardhje ajo.

Ajo pohon se mundësitë që iu dhanë në Gjermani kishin lidhje me hapjen e derës për të dhënë atë që ajo di më mirë të bëjë. “Në Shqipëri kam kaluar sfida nga më të çuditshmet si përpjekja për të marrë një specializim në shëndet publik apo një vend pune të dinjitetshëm, kam kaluar testime pas testimesh me sisteme herë herë edhe burokratike, pa asnjë rezultat”.

“Ndërkohë në Gjermani, pas provimit të gjuhës, me anë të një interviste gjykuan aftësitë e mia dhe më dhanë mundësinë të punoj; më tej koha do ta tregojë sesa e aftë do të jem unë në punë” rrëfen ajo.

Entela është vetëm një prej mjekëve që largohen apo nisin proçedurat e largimit ngë Shqipëria çdo ditë.

Në fillim të 2020, në përpjekje për të ndaluar ikjen e profesionistëve, qeveria e Shqipërisë miratoi vendimin që u jep një bonus deri në 2 mijë euro në muaj, mjekëve që pranojnë të shërbejnë në spitalet larg kryeqytetit. Pagesa e mëparshme prej 1 mijë eurosh duket që nuk e frenoi problemin.

Merisa H., 25 vjeç, një mjeke e re nga Tirana po mendon të largohet bashkë me të fejuarin, pasi kanë studiuar të dy për pesë vjet mjekësi të përgjithshme dhe ajo vetë ka përfunduar studimet me notën mesatare 10. “Kemi gjetur një klinikë në Gjermani. Këtu nuk ka kushte në punë, ka diskriminim të bluzave të bardha. Nuk vlerësohet roli i mjekut sa duhet. Ndërkaq shkolla jonë ka shumë teori dhe pak praktikë, pothuaj nuk bëhet praktikë fare. Spitalet Mjeku në Shqipëri paguhet edhe 450 mijë lekë”, thekson Merisa që nuk ka tentuar aspak të hyjë në sistemin shëndetësor shqiptar.

Fenomeni pranohet edhe nga institucioni i Urdhri i Mjekut. Presidenti i tij, Fatmir Brahimaj pohon se në tre vitet e fundit rreth 500 mjekë kanë kërkuar çertifikatën e sjelljes së mirë, një dokument që nevojitet nëse kërkon punën në profesionin tënd jashtë shtetit. Pak a shumë 150 mjekë në vit.

“Janë kryesisht mjekë të rinj të përgjithshëm, sapo mbarojnë Fakultetin e Mjekësisë duan të provojnë direkt një përvojë të huaj. Por midis atyre që kërkojnë çertifikatën e sjelljes së mirë janë edhe mjekë me përvojë 5 apo 10 vjeçare, ka dhe mjekë specialistë të ndryshëm. Gjermania i njeh të gjitha specializimet apo kualifikimet e mjekëve nga vijnë”, thotë Brahimaj në një intervistë për GSH.

Sipas tij, largimi i personelit ka një impakt negativ, por kur ikin specialistët dëmi është më i madh sepse janë më të pakët në rrethe dhe krijohen probleme për lëvizjen e të sëmurëve nga një rreth në tjetrin.

A mendoni se mjekët janë të keqpaguar?

“Sigurisht nuk janë të shpërblyer as materialisht as moralisht. Keni dëgjuar shpeshherë për përkeqësimin e marrëdhënieve me paciencët, krizën e besimit, aktet e dhunës ndaj bluzave të bardha, nevojën e ndryshimeve ligjore sepse mjekët dënohen padrejtësisht”, thekson Brahimaj.

Shqipërisë, ashtu si edhe vendeve të tjera të Ballkanit, nuk po i ikin vetëm mjekët, por edhe infermierë, fizioterapiste, anestezistë apo mami, pjesë të një “armate” të madhe të punonjësve të shëndetësisë, që lënë një boshllëk në shërbimin ndaj pacientëve.

Silda K., 25 vjeç, nga Saranda rrëfen se ka kërkuar punë si infermiere për një kohë të gjatë dhe kur pa se nuk e gjente dot, vendosi ti hynte gjermanishtes me shpresën e gjetjes së një pune më pas.

“U futa në kursin e gjuhës gjermane dhe thashë ta provoj po ika Gjermani shumë mirë, nëse nuk iki, nuk humbas gjë nëse e provoj. Kalova nivelet e gjuhës. Bëra intervistë me klinikën ku jam në Mynih, më pranuan, më dërguan kontratën, mora vizën, mora licencën gjermane dhe tani jam prej katër muajsh këtu…dhe jam shumë e kënaqur me rrogën, me jetesën”, thekson ajo.

Pavarësisht nga dëshmitë e fundit, përfaqësuesja e Urdhrit të Infermirëve, Blerina Duka thekson se nuk ka një trend dramatic ikjeje të infermierëve.

Në Shqipëri ka një numër prej 28 217 profesionistësh të sektorit të shëndetësisë; mes tyre numrin më të madh e zënë infermierët, rreth 21 mijë.

“Në vitin 2018 kemi pasur 529 infermierë që kanë kërkuar çertifikatën e punës së mirë, por ndoshta ato janë në proçes dokumentimi apo vlerësimi të punës së tyre. Në 2019 kemi një statistikë tjetër që shënon një trend në rritje të teknikëve të laboratorit dhe fizioterapistëve”, thekson Duka.

“Shqipëria është ende një vend në tranzicion dhe njerëzit lëvizin brenda për brenda, nga Përmeti, Elbasani, Tirana, Tepelena apo Tropoja. Unë them që kjo është kryesisht në iniciativat e individëve për të parë mundësi më të mira jetesë”, shprehet ajo.

Pyetjes nëse kjo ka ndikim në sistemin shëndetësor shqiptar, ajo i përgjigjet: “absolutisht jo, në portalin e Ministrisë së Shëndetësisë ka shumë aplikime…kjo tregon që ne kemi një prani të madhe të infermierëve në vend”.

Ndërkohë, në Ministrinë e Shëndetësisë fenomeni është i njohur, edhe pse jo shqetësues.

Zëvendësministrja Mira Rakacolli thekson në një intervistë se “lëvizshmeria e mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë të shërbimit shëndetësor është nje fenomen normal dhe i përbotshëm që të gjitha vendet po e përballin dhe ka dekada te tëra që ndodh kështu”.

“Ne e shohim si nje problem që duhet ta njohim, ta përballojme dhe pse jo edhe ta drejtojme. Ta drejtojmë në atë kuptim që që ta pranojmë si fenomen dhe të kuptojmë se eshte e drejta e personelit shëndetësor qoftë mjekë, mami, infermierë, për të mbushur dëshirat e tyre”, pohon ajo.

“Lidhur me largimin e infermirëve, lëvvizja e tyre nuk e afekton per momentin sistemin. Siç e dini, punësimi me ligj sot bëhet me anë të portalit Infermiere për Shqipërinë  dhe në herën e fundit kur kishim 350 vende vakante, kishim 1750 aplikime dhe në liste pritje ishin mbi 1000 infermierë…pra janë rreth 3000 infermierë qe presin te punesohen në shërbimin publik infermieror”.

Megjithatë Rakacolli thekson se duke qenë se specialistët mjekë apo infermirë duan ta zgjedhin vendin e tyre te punes aty ku është më pështatshëm për ta, ka vende të largëta që nuk preferohen për punësime dhe kjo krijon problemin që këto vende të ngelen te pashërbyera.

Një çështje e rëndësishme është vleresimi i figures se mjekut. Për një farë periudhe mjekët janë vetëm anatemuar, ata janë folur vetëm për gabime, është folur për to dhe jo të mirat, mjekët janë trajtuar shpesh edhe jo korrekt. Pra mbrojtja e figurës së mjekut dhe vlerësimi i figurës së tij i bën mjekët të ndihen më mirë, pasi një nga faktorët është ky.

“Nga ana tjetër, është krijimi i kushteve më të mira të punës, ju e dini që ka investime në përmirësimin e kushteve në spitale dhe qendra shëndetësore. Në një vend të tillë pune gjithnjë e më shumë ndihesh i kënaqur. Po kështu investimet në drejtim të aparaturave mjekësore. Pra dikush i specalizuar në imazheri, nëse shkon në një spital apo qender që nuk i ka këto aparatura e kushte, do të nxitet të ikë, por pajisja e qendrave me këto aparatura, bën që ai ta shohë jetën e tij aty pasi është rrethi shoqëror, është mënyra se si je edukuar, përfundon zëvendësministrja Rakacolli.

Megjithatë, për mjekë si Entela apo Merisa, kjo nuk është mjaftueshëm dhe koha nuk pret gjatë.

“Mund të them se rroga në Gjermani është e kënaqshme dhe mund të bësh një jetë normale. Po të bësh bilancin e asaj që merr në Gjermani dhe asaj që duhet të paguash, me sakrifica arrin të kursesh diçka. Por, nuk është vetëm rroga, është qetësia, është jeta më e mire për familjen dhe fëmijët…dhe mundësia per të ecur përpara”, thekson Entela.

 

Largimi nga Kosova mbyll repartet në spitalet rajonale

Në Kosovë situata nuk duket shumë ndryshe nga Shqipëria. Numri i mjekëve në spitale, sidomos ato rajonale po pakësohet gjithnjë e më shumë dhe të rinjtë që specializohen ose janë pritje të të specializimit i kanë hyrë kërkimeve për punë jashtë Kosovës.

Kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu, në një intervistë për “GSH”,  thekson se vetëm në dy vitet e fundit, 215 mjekë e kanë kërkuar dokumentin e përvojës në punë. “Këta janë mjekë që kanë kontakte apo kanë nisur përpjekjet për largim. Shumica drejt Gjermanisë; në fakt nuk kemi shumë të dhëna për vendet e tjera. Kjo shpjegon faktin pse shkollat e gjuhëve të huaja, ato të gjermanishtes janë shumë të frekuentuara dhe në çdo dy vetë një është student mjekësie apo infermierie. Për vitin 2018 ishin 110 mjekë, kurse në 2019 ishin 105 mjekë që e kërkuan këtë vërtetim”, thekson Sejdiu.

Sipas tij, Kosova ka një trend pak më të ulët sesa ai i vendeve të tjera si Bullgaria, Kroacia apo Sllovenia, ku ka lëvizje të konsiderueshme të mjekëve, pra një mjek në ditë largohet. Por, jo për shkak të dëshirës, por për shkak të vështirësisë së vizave; pas liberalizimit të tyre, fluksi mund të jetë më i madh.

“Një nxitje të madhe këtij fenomeni i ka dhënë edhe një marrëveshje e Ministrisë së Shëndetësisë për qasje më të lehtë për rekrutimin e mjekëve nga kosova me Ministrinë homologe gjermane. Dakord, tregu është i lirë e individual, por ne nuk duam të stimulohet ky largim. Tashmë vjen një hap tjetër i Gjermanisë që ofron përshpejtim të procedurave të vizave dhe lehtësimin e punësimit për mjeket që duan të shkojnë. Kjo është për t’u brengosur sepse ne do të humbasim mjekë kështu”, shpjegon Sejdiu.

Sipas tij, elita politike ende nuk e ka kuptuar tërësisht koston që kjo do të ketë në shërbimin shëndetësor. “Kosova në vitet ’90 ka vuajtur mjaft për shkak të mungesës së mjekëve. Diplomimi i mjekëve kishte ngecur në vend për shkak të sistemit të asaj kohe. Pra, ne edhe tani kemi shumë pak mjek në disa kategori”.

Sejdiu tregon se në ortopedi e traumatologji, ku ai punon, brenda 10 viteve me shumë se 50 përqind e mjekëve dalin në pension dhe këtu ka vetëm dhjetë specializantë.

“Mendoni se që tani kemi një mungesë, duke pasur parasysh që një specializanti i duhet mjaft punë që të punojë i pavarur dhe unë mendoj se për 10 vjet kjo peshë do të ndihet edhe me shumë në sistemin shëndetësor”, nënvizon ai.

Flamur Llabjani është një specializant në gastro-enterologji, krejt i pakënaqur me projektimin e të ardhmes së tij si mjek në Kosovë.

“Unë s’njoh një mjek të ri apo student që nuk po e mendon largimin nga Kosova. Edhe unë kam nisur procedurat dhe e shoh veten në ndonjë vend europian së shpejti, Gjermani apo Zvicër”, thotë ai, jo shumë larg QKUK-së ku e takojmë për intervistë.

“Nuk mendoj se paga është arsyeja kryesore për largim, pasi nuk është aq keq. Ka shumë arsye të tera, mungesa e perspektivës për mjekët e rinj, ose metodat e punës, pajisja e qendrave shëndetësore”, thekson ai.

Kolegia e tij, Arta Dakaj, vjen nga Maqedonia.

Ajo thekson se ka një mungesë të perspektivës për shkak të mungesës së specializimeve. “Ka shumë studentë që presin për më shumë se 3-4 vjet për specializime dhe kjo është dëshpëruese pasi ata po harxhojnë para pa pasur asnjë plan për të ardhmen. Një arsye janë ekzaminimet, metodave diagnostike, që mungojnë dhe ne nuk mund të zhvillojmë veten tonë”.

Kryetari i Odës së Mjekëve është në të njëjtin mendim.

“Problemi nuk është vetëm te pagat, sepse pagat janë rritur disi, problem është te punësimi. Ne kemi aktualisht 595 mjekë specialistë të rinj pa punë. Kjo është e papranueshme dhe duhet të rregullohet me hapjen e vendeve të reja të punës. Hapja e mundësive për specializime dhe jo vetëm kjo, por në dy vitet e fundit specializimi duhet të ofrohet në vendet e tjera jashtë”, vëren ai.

Sa i përket specialitetet më të prekura nga ky largim, statistikat tregojnë se në Pejë më problem është oftamologjia, traumatologjia dhe ortodoncia, në Gjakovë neurologjia, në Prizren anestezia . “Prishtina ende nuk ka problem, por nga kjo situatë ngarkesa vjen në Prishtine me mbylljen e repartave të spitaleve rajonale dhe pasojat do të ndoihen edhe këtu shumë shpejt”, thekson Sejdiu.

Maqedoni, mjekët e rinj joshen nga kushtet në Gjermani

Në Maqedoni, kërkesat për tërheqjen e dokumentave nga shoqatat e mjekëve dhe infermierëve po shtohen gjithashtu.

Gordana Beshliovska, presidente e shoqatës së Unionit të Infermierëve thekson se “dikur këto kërkesa vinin nga infermierë të rinj të cilët kishin përfunduar studimet apo kualifikimet dhe pas gjashtë muajsh apo një viti, largoheshin nga vendi”.

“Së fundmi këto kërkesa po na vijnë edhe nga infermierë me 15-20 vite eksperiencë. Gjatë vitit që kaloi morëm 40 kërkesa të tilla, por ka shumë infermierëve që emigrojnë pa u anëtarësuar në shoqatë, ndaj besoj që numri është më i madh”, rrëfen ajo.

“Mungesat që kemi në spitale janë dëshmi e kësaj arratisjeje, me gjithë lajmërimet e shumta për punë që tregojnë në fakt numrin e madh të infermierëve të larguar. Është shumë e vështirë kur humbet staf të kualifikuar, siç janë për shembull infermierët e sallave operatore. Të gjithë janë shumë të rëndësishëm, por unë po flas për infermierëve të njësive të emergjencës ku nevojitet një staf më të kualifikuar”, tregon Beshliovska.

Sipas saj, arsyet janë të qarta. “Si mund ti mbash infermierët me arsim të lartë në një punë që paguhet  20 mijë denarë ose rreth 325 euro në muaj?

Veç kësaj, kur ikin jashtë, ata gjejnë standarde, parime, kompetencë dhe ndërhyrje dhe ndonjëherë kënaqësia nuk vjen vetëm nga të ardhurat, por edhe tek vlerësimi i punës profesionale.

Daniela Toshevska, një mjeke e sapodiplomuar në Shkup thekson se doktorët e rinj rrallë mund të ecin përpara në një vend si Maqedonia pasi rrallë gjejnë një vend pune pas diplomimit dhe nëse gjejnë një punë, rrogat janë zakonisht të ulëta ndaj doktorët janë të pakënaqur.

“Aspekti financiar është shumë Iirëndësishëm, kështu që rrogat e mjekëve duhet të rriten në mënyrë që ata të qëndrojnë në vend e të mos largohen jashtë, gjë që po bëhet gjithnjë e më shumë e zakonshme”, pohon Daniela.

“Sistemi atje është sigurisht më i mirë, por edhe rrogat janë të kënaqshme gjithashtu. Sistemi arsimor është disi i ndryshëm. Ne punojmë shumë më shumë për rrogën që marrin dhe në çdo rast rroga është më e ulët se atje”.

Per mjekë si Entela, Flamuri apo Daniela zgjedhjet profesionale janë të kufizuara në vendet ku kanë lindur e janë shkolluar dhe koha për të lëvizuar është tani.

Jo vetëm për pagën, por për përvojën në punë, për mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm si dhe të ardhmen e familjeve të tyre, Gjermania apo vende të tjera të Europës Perëndimore janë mundësi të mira, pavarësisht vështirësive të fillimit dhe adoptimit në një vend tjetër.

“Dëshira ime ka qenë gjithnjë të jem mjeke në Shqipëri, ky ka qenë vendimi më i madh dhe i vështirë i jetës sime. Unë do të dëshiroja të kthehesha një ditë në Shqipëri nëse sistemi do të ndryshojë, jo në letër po në të vërtetë, do të kthehesha menjëherë”, përfundon Entela.

Nga Bojan Stojkovski, E. Çanga, në Tiranë, Shkup e Prishtinë

Redaktoi: Erl Murati

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY