Sezoni turistik/ Policia e Shtetit: Bashkitë nuk kanë marrë asnjë masë

Sezoni turistik/ Policia e Shtetit: Bashkitë nuk kanë marrë asnjë masë

146
0
Shares

Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, prezantoi masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.  Gjatë prononcimit për shtyp Hajnaj theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar që mos të lejojë asnjë mjet lundrues të futet brenda perimetrit të sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Por sipas saj pothuajse të gjitha bashkitë nuk kanë marrë asnjë  në lidhje me mjetet lundruese. “Policia e Shtetit në zbatim të urdhrit të Kryeministrit për miratimin e masave për sezonin turistik dhe ngritjes së Task – Forcës, ka miratuar planin e saj të masave për vitin 2018 për sezonin turistik.

Zv/drejtoresha Hajnaj theksoi se qëllimi i masave të ndërmarra është garantimi i rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, në plazhe, rritja e parametrave të sigurisë rrugore dhe menaxhimi i hyrje-daljeve në kufi për këtë sezon turistik veror.

Rezultate imazhesh për hajnaj

Hajnaj i përgjigjet gazetarëve: Asnjë mjet lundrues brenda perimetrit të sigurisë

Pyetje: Znj. Hajnaj meqë jemi në sezonin turistik, ka pasur shumë probleme përsa i përket lëvizjes së qytetarëve shqiptarë kryesisht me varka. Dje ka pasur dhe një protestë në Vlorë ku qytetarët ankohen se nuk po pajisen me leje. Çfarë po ndodh? Ndërkohë që nuk po lejohen të lëvizin brenda për brenda qytetarët shqiptarë me varka, nuk flasim për jahtet që vijnë.

Hajnaj: Ka një vendim të Këshillit të Ministrave, vendimi 321 i vitit 2014, i cili parashikon qartë detyrimet sesi duhet të lëvizin mjetet lundruese gjatë sezonit turistik, ai përcakton detyrimet për gjithë njësitë e qeverisjes vendore dhe bashkitë që duhet të caktojnë vendbazimet, nga të cilat duhet të lëvizin mjetet lundruese. Dhe veç kësaj përcakton qartë dhe shenjat sesi duhet që çdo biznes të përcaktojë në gjithë bregdetin me qëllim lëvizjen e mjeteve lundruese dhe notimin për pushuesit, që mos të kemi ngjarje të rënda gjatë sezonit turistik. Aktualisht është detyrë e Bashkisë që të miratojë në zbatim të këtij vendimi këto vendbazime, të cilat duhet të jenë larg vendeve që janë pushuesit, në mënyrë që edhe pushuesit të bëjnë pushimet e tyre të qeta gjatë këtij sezoni turistik.

Pyetje: Po pse kjo është arsye që mos të lëvizin varkat?

Hajnaj: Nuk është problemi që është arsye, por për të shmangur të gjitha problemet që mund të dalin, siç ne kemi pasur vjet raste të rënda me vdekje për shkak të goditjes nga mjetet lundruese, për të shmangur këto raste dhe për të zbatuar ligjshmërinë e vendimit të Këshillit të Ministrave, bashkitë duhet t’i respektojnë këto detyrime që janë përcaktuar.

Pyetje: I keni kërkuar ju Bashkisë?

Hajnaj: Patjetër, kemi filluar që në muajin janar kur është miratuar plani dhe në vazhdim kemi kërkuar dhe po e kërkojmë. Ditën e shtunë unë kam qenë në një kontroll në të gjithë territorin në pjesën e bregdetit për të parë zbatueshmërinë e këtyre detyrimeve. Aktualisht jemi para faktit që nuk janë zbatuar sa duhet dhe këto ditë kanë qenë takime intensive me njësitë e qeverisjes vendore, u kemi bërë të njohur situatën, me qëllim që ata të marrin masa brenda qershorit për ta zbatuar siç duhet ligjin.

Pyetje: Sa është numri i bashkive që nuk kanë marrë pjesë dhe cilat janë bashkitë më problematike që nuk kanë marrë masa?

Hajnaj: Pothuajse të gjitha bashkitë janë aty-aty, sidomos me vendbazimet që ne themi të mjeteve lundruese, bashkitë janë të gjitha pa asnjë masë të marrë.

Pyetje: A mos ndikon kjo në turizëm, a s’është pak e vonuar me planin e masave?

Hajnaj: Ne prandaj themi, ne prandaj po bëjmë gjithë këtë. Policia e Shtetit po ushtron kontrolle të vazhdueshme pothuajse të përditshme për këtë pjese, të gjitha Drejtoritë Vendore të Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shkodrës janë në kontrolle të përditshme për të kontrolluar dhe për të detyruar përsëri Bashkinë që të bëjë këto detyrime, sëbashku me aktorët e tjerë që janë pjesë e Task-Forcës, për sezonin turistik dhe ne prandaj po rendim fort tani me qëllim që të kemi sa më shumë detyra të realizuara dhe korriku dhe gushti të jetë tamam për pjesën e pushuesve. Mos të kemi probleme.

Pyetje: Po Policia Kufitare a ka marrë masa për të përballuar fluksin e shqiptarëve që vijnë në Shqipëri nga Kosova, por edhe ata që vijnë nga Greqia, sepse gjatë gushtit ka ndodhur gjithnjë fenomeni që ka gjithmonë radhë?

Hajnaj: Ne kemi marrë masa edhe përsa i përket fluksit në hyrje e në dalje të shtetasve shqiptarë ose dhe të shtetasve të huaj që vijnë për turizëm në Shqipëri, kemi shtuar numrin e sporteleve, kemi shtuar pjesën e numrit të punonjësve, të burimeve njerëzore që do të punojnë në këto pika të kalimit me qëllim që ta përballojmë me sukses këtë situatë. Kemi forcuar bashkëpunimin, kemi nënshkruar protokolle dhe jemi në kontakte të vazhdueshme dhe me homologët tanë Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Greqinë me qëllim që, kur të kemi probleme mos të arrijmë të krijojmë problem në pikat e kalimit.

Pyetje: Edhe një pyetje të fundit, sektori i Antiterrorit a është angazhuar për sezonin turistik, ka ndonjë indicie për ndonjë sulm të mundshëm?

Hajnaj: Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për sezonin turistik. Deri tani ne po flasim për këtë pjesë. Në sezon turistik të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara. Nuk është pjesë vetëm e Kufirit ose e Rendit, por të gjithë kanë marrë detyrimet e tyre, për të mbarëvajtur një sezon turistik sa më normal dhe të qetë.

Pyetje: Pothuajse në çdo vit, kryesisht në jug të vendit ka patur edhe ngjarje të rënda kriminale siç kanë qenë ato si plagosje e rëndë ose dhe vrasje. A keni ju një numër fiks të efektivëve të Policisë të cilët do të dalin në terren, sepse vit për vit ka patur edhe efektivë të Tiranës të cilët kanë shkuar në mbështetje të këtyre masave dhe çfarë masash janë marrë konkretisht për parandalimin e këtyre ngjarjeve?

Hajnaj: Edhe këtë vit ka masa të tilla që janë marrë për punonjësit që do jenë në mbështetje dhe janë rreth 1078 punonjës policie që janë të angazhuar me sezonin turistik dhe që janë të ndarë në të gjithë territorin.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY