Rënia e euros nga paratë e zeza, kanabisi orienton vlerën e valutës

Rënia e euros nga paratë e zeza, kanabisi orienton vlerën e valutës

102
0
Shares

Euro ka vijuar tendencën rënëse edhe gjatë ditës së sotme, teksa sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 127.72 lekë, me një tkurrje prej 0.2 lekë me bazë ditore, pas rënies me 0.8 lekë ditën e mëparshme.

Ky është një tjetër rekord i ulët i 10 viteve të fundit, në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2009.

Historiku i euros në 10 vjet

Në periudhën 2005-2008, euro këmbehej në nivelin mes 123-124 lekëve. Më pas në vitin 2009, euro e nisi me 123 lekë, për të mbyllur mesataren vjetore në kuotën e 132 lekëve.

Më pas euro u forcua, duke u stabilizuar për 5 vjet radhazi (2011-2015) në nivelin e 140 lekëve.

Kërkesa e madhe për valutë, e nxitur dhe nga transferimi i fitimeve të kompanive të huaja, kryesisht të telekomunikacionit dhe oferta e kufizuar për të ishin arsyet kryesore që e mbajtën euron në ekuilibrin e 140 lekëve, ndërsa rolin e stabilizatorit me tregjet ndërkombëtare e mbajti dollari, që shënonte dhe luhatjet më të mëdha, duke u rritur kur euro binte në mënyrë që të ruante raportet e kryqëzuara në tregjet ndërkombëtare . Leku fitonte pikë lehtë ndaj euros gjithnjë në verë dhe në fundvit, si rrjedhojë e efekteve sezonale (turizmit dhe prurjeve të emigrantëve), por pa iu larguar shumë nivelit të 140 lekëve.

Thyerja e ekuilibrit të euros filloi në gjysmën e dytë të vitit 2016, sidomos pas muajit tetor, kur monedha e përbashkët humbi pikë me shpejtësi, për të arritur nga rreth 139 lekë në fillim të vitit në 135 lekë në dhjetor. Hyrja e lartë e valutës që filloi të vinte nga ekonomia informale, (viti 2016 shënoi një nivel të lartë të kultivimit të hashashit, që u mboll në prill-maj dhe u korr në shtator-tetor dhe filloi të shitej në tetor), rriti dukshëm ofertën për euro në tregun e brendshëm.

Rënia vijoi edhe përgjatë vitit 2017, ku niveli më i ulët u arrit në 27 qershor, 2 ditë pas zgjedhjeve, me hapjen e bankave, euro arriti në nivelin më të ulët të vitit 2017, prej 131.98 lekë , duke reflektuar hedhjen e sasive të mëdha të monedhës së përbashkët në treg, në një periudhë kur nuk ka efekte sezonale.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare në vitin 2017, nuk tregojnë që nga burimet formale të ketë pasur një rritje të flukseve valutore neto që vijnë në Shqipëri, në raport me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deficiti i llogarisë korente, cili mat transaksionet ndërkombëtare të një vendi me pjesën tjetër të botës, pra mat hyrje-daljet e valutës (pa përfshirë llogaritë financiare) ishte negativ prej 803 milionë eurosh në vitin 2017. Në krahasim me një vit më parë, ky deficit është përmirësuar vetëm me 1.2%, apo me 10 milionë euro, një shumë kjo minimale për të ndikuar tek kursi, pasi transaksionet ditore të kursit në vend janë të paktën tre herë më të larta.

Në muajt e parë të 2018-s, euro ka rënë më tej, duke vendosur rekorde të njëpasnjëshme të 10 viteve të fundit, ku faktori kryesor vijon të mbetet oferta e lartë për euro, sidomos ajo informale, që po kanalizohet përmes ndërtimeve.

Ekspertët e bankave pohojnë se ndikim ka dhe procesi i deeuroizimit, të nisur nga banka e Shqipërisë, por që nuk është thelbësor. Në të njëjtën linjë ishte dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë i cili në një dalje ditën e djeshme tha që nuk ka ndikim deeuroizimi në rënien e euros, por faktorët fornamentalë, që lidhen me investimet, remitancat, turizmin. “Në nivel makro, e thashë që mbiçmimi i kursit të këmbimit tregon rritje të fuqisë blerëse, për sa kohë që përcaktohet nga faktorë fondamentalë”, tha guvernatori.

Goditjet e ditëve të fundit lidhen me transaksione të mëdha

Ekspertët e tregut valutor pohojnë se goditjet e ditëve të fundit kanë lidhje me transaksione të mëdha të veçanta, dhe jo me trendin afatgjatë, ku më të diskutueshmet janë transaksionet për konvertimin e kapitalit të bankave.

Ekspertët pohojnë se trendi mbetet për dobësim të mëtejshëm të euros, nëse kushtet do të mbeten të njëjta, sidomos deri në fund të verës, ku ndikojnë efektet sezonale.monitor.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY