DETAJE/ Ç’ndodhi në Vjenë, kur policia i zuri “pritë” ekipit kampion Kukësit,...

DETAJE/ Ç’ndodhi në Vjenë, kur policia i zuri “pritë” ekipit kampion Kukësit, te dera e hoteli

59
0
Shares

Nga udhëtimi rraskapitës me autobus, te ndalimi nga Policia e Vjenës, orët në komisariat, konfiskimi i celularëve, dyshimet për trukim, si dhe dëshmitë e trajnerit Ernest Gjoka dhe 7 lojtarëve të Kukësit.
Kjo ka qenë saga mbrëmjen e së dielës në kryeqytetin austriak, kur policia i zuri “pritë” Kukësit, ekipit kampion të Shqipërisë, pak minuta pas mbërritjes në hotel, raporton Panorama Sport.
Arsyeja që autoritetet austriake paraqitën për ndalimin e personave që përfaqësojnë klubin shqiptar ishin dyshimet për trukim të miqësores së 4 korrikut, Kukësi – Dinamo Moskë 0 – 6. Mirëpo Policia austriake, e cila bashkëpunon me kompaninë e monitorimit të basteve “Sportradar”, ishte sinjalizuar që më 24 qershor për një miqësore të Kukësit ndaj Volsfbergerit, luajtur në Kaprun të Austrisë dhe përfunduar me fitoren e kësaj të fundit 0 – 7.

Ndalimi në hotel
Autobusi ku ndodheshin lojtarët e Kukësit dhe pjesëtarët e stafit teknik mbërriti në Vjenë të dielën, në orën 21:30. Sapo autobusi parkoi në hotelin ku klubi verior kishte prenotuar për të kaluar natën e së dielës, pesë persona civilë u shfaqën menjëherë përpara mjetit. Nga pesë persona, katër ishin oficerë policie, ndërsa njëri prej tyre bënte detyrën e përkthyesit nga gjuha shqipe në gjermanisht.
Fillimisht përkthyesi u bëri me dije drejtuesve të lartë të Kukësit (shefit të klubit, Jonuz Hallaçi, si dhe menaxherit Naim Halili), se para tyre ishte Policia austriake dhe personat që do të vinin me ta, do të shoqëroheshin për verifikim në komisariatin e Vjenës.
Policët fillimisht nuk dhanë detaje për përfaqësuesit zyrtarë të klubit, por menjëherë nxorën një bllok shënimesh dhe thirrën emrat e trajnerit Ernest Gjoka, lojtarëve Albert Serran, Ylli Shameti, Simon Rrumbullaku, Rustem Hoxha e Hair Zeqiri, si dhe dy portierëve: Enea Koliçi dhe Ervis Koci. Trajneri Gjoka dhe lojtarët nuk bënë qëndresë dhe iu bindën urdhrave, teksa të shoqëruar nga dy makina, shkuan direkt në rajonin e Policisë.
Policia austriake nuk u ka dhënë asnjë detaj drejtuesve, duke u mjaftuar me fjalët: “Është thjesht objekt hetimi”.

Dëshmia dhe celularët
Autoritetet austriake në rajonin e policisë, së pari u kanë bërë me dije lojtarëve dhe trajnerit Gjoka se për çfarë ishin shoqëruar. Mësohet se hetuesit u fokusuan te ndeshja e fundit, Kukësi – Dinamo Moskë 0 – 6.
“Dyshojmë se ekipi juaj ka toleruar në ndeshjen e luajtur më 4 korrik për qëllime përfitimi nga bastet.
Prandaj dhe ju shoqëruam për t’ju pyetur”, u është thënë fillimisht lojtarëve dhe trajnerit.
Këta të fundit nuk kanë pranuar asgjë nga ato që autoritetet austriake u kanë komunikuar, duke u kërkuar që për këtë të pyesnin zyrën juridike të klubit. Hetuesit në këtë moment detyruan lojtarët dhe trajnerin që të shkruajnë një deklaratë në lidhje me miqësoren e fundit.
Mësohet se të shtatë lojtarët e Kukësit kanë qenë në unison dhe përmes përkthyesit, që ishte njëkohësisht zyrtar i policisë, kanë dhënë këtë deklarim… “Në ndeshjen miqësore, për të cilën kanë lindur dyshime, kemi dhënë maksimumin të gjithë, duke luajtur futboll të pastër ndaj një ekipi që dukshëm ishte shumë më i mirë se ne”.
Pas deklarimeve për ndeshjen me Dinamon e Moskës, policia u kërkon tetë personave që përfaqësonin Kukësin, që të dorëzonin celularët. Në këtë moment, si Gjoka, ashtu edhe lojtarët, nuk e pranuan këtë kërkesë, duke e cilësuar jolegjitime. Mirëpo, autoritetet austriake përsëritën kërkesën dhe, në njëfarë mënyre, i detyruan t’i dorëzonin celularët.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY