“Mbrojtja që Saimir Tahiri dhe drejtues të Policisë së Shtetit i bëjnë Klement Balilaj, i dyshuari si një nga krerët e organizatës kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, u faktua sot ndërsa Balilaj bën show mediatik nga zyrat publike të drejtorisë së Transportit në Sarandë, ndërkohë që është shpallur në kërkim nga policia greke”.
Denoncimi është bërë nga PD, pas reagimit të Policisë së Shtetit.
Duke ju referuar edhe titujve të medieve ndërkombëtare, PD evidenton edhe një herë lidhjet e Balilajt me politikën shqiptare.
“Të njëjtën gjë pohon edhe seksioni grek i CNN në lajmin me titull: ‘Mbrojtje politike për baronin e kartelit të Ballkanit’, ku i referohet një takim dypalësh mes policisë greke dhe asaj shqiptare. Përfaqësuesit e policisë shqiptare, siç raporton CNN janë dorëzuar duke thënë se ‘në Shqipëri nuk mund ta prekim sepse ky person ka lidhje me parti politike dhe kontakte me politikanë të nivelit të lartë’”, thuhet më tej në deklaratën e PD-së.
Duke i bërë thirrje prokurorisë, PD kërkon hetimin e lidhjeve të politikës me krimin, por edhe hetimin e lidhjeve të drejtuesve të policisë me krimin, duke kërkuar vënien para drejtësisë.
“Lidhjet e Saimir Tahirit me trafikantët dhe mbrojtja që u jep përmes emërimit të të besuarve të tyre në poste të larta të Policisë së Shtetit është prova më e fundit për inkrimininim e qeverisë Rama. Sot nuk dihet ku fillon qeveria e mbaron krimi, ku fillon krimi e mbaron qeveria. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të veprojë pa humbur kohë për të çuar para drejtësisë drejtuesit e kësaj organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike por edhe mbështetësit e tyre në poste kyçe në Policinë e Shtetit dhe në qeveri”, përfundon deklarata e PD-së.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/