Strategjia e BE-së për Ballkanin: Negociatat me Shqipërinë nuk hapen as për 2 vjet, anëtarësimi nuk do të ndodhë as për 10 vjet

Shares

Duket se Shqipëria nuk do të mund të hapë negociatat për anëtarësim në BE, të paktën para vitit 2019, ndërsa anëtarësimi nuk do të ndodhë në dhjetë vjeçarin e ardhshëm. Kjo është prognoza e parashikuar në strategjinë e re për zgjerim për vendet e Ballkanit Perëndimor, hartuar nga Komisioni Evropian, e cila u bë publike sot.

Strategjia parashtron procesin e pritshëm të integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas raportit, vetëm Serbia dhe Mali i Zi mund të jenë potencialisht gati për t’u bashkuar me BE-së në vitin 2025. Sidoqoftë, raporti thekson se ky plan për t’i anëtarësuar këto vende në vitin 2025 është “jashtëzakonisht ambicioz” dhe do varet nga ecuria konkrete e tyre.

Për katër vendet e tjera ballkanike, Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë Herzegovinë dhe Kosovë, raporti vetëm konfirmon vullnetin dhe dëshirën e BE-së për t’i pranuar ato, por nuk përcakton asnjë kalendar kohor se kur mund të ndodhë kjo gjë.

Komisioni është shprehur se qeveritë e këtyre vendeve duhet të marrin shumë seriozisht vendosjen e shtetit të së drejtës, luftën ndaj korrupsionit, goditjen e krimit të organizuar, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe ndërmarrjen e një sërë ndryshimesh të tjera demokratike.

“Bashkimi me BE është shumë më tepër se një proces teknik. Është zgjedhje e një gjenerate të tërë, e bazuar në vlera themelore, të cilat çdo vend duhet t’i përqafojë, nga politikat e tyre të huaja dhe rajonale deri në atë që fëmijët mësojnë në shkollë“, theksohet në raport.

Strategjia e re vjen disa muaj pasi Presidenti i KE Juncker deklaroi në fjalimin e përvitshëm mbi gjendjen e BE-së, se deri në fund të vitit 2019 asnjë vend nuk do t’i bashkohet BE-së. Ky vendim kishte të bënte veçanërisht me rritjen e emigracionit në BE nga vendet e varfra duke ngritur një valë zemërimi nga vendet anëtare.

Juncker ashtu dhe udhëheqësit e tjerë të BE-së gjithmonë kanë premtuar se do t’i udhëheqin, përmes strategjisë, vendet e Ballkanit drejt Evropës, por pa përcaktuar asnjëherë kufij kohor se kur këto vende do të bëhen pjesë e Evropës. Exit.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...