Partia Demokratike ka denoncuar ashpër një fushatë hakmarrjeje politike që, sipas saj, po zhvillohet ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit të cilët kanë vepruar në përputhje me ligjin në hetimin e një rasti të dyshuar për manipulim zgjedhor në fshatin Pekisht të Peqinit.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, theksoi se pas referimit të rastit në Prokurorinë e Elbasanit – që lidhej me një video të publikuar nga kreu i opozitës Sali Berisha, ku dokumentoheshin materiale zgjedhore dhe para në një lokal – efektivët e përfshirë në hetime janë përballur me masa ndëshkuese në shkelje të ligjit dhe standardeve profesionale.
“Nën urdhrat politikë të Edi Ramës dhe me drejtimin e Ilir Prodës në Policinë e Shtetit, është ndërmarrë një seri masash disiplinore ndaj atyre që guxuan të veprojnë sipas ligjit,” tha Vangjeli.
Sipas PD-së dhe deputetit të zgjedhur Blendi Himçi, këto janë rastet konkrete të ndëshkimeve:
Shefi i krimit ekonomik në Drejtorinë e Elbasanit, Kliton Zhari, është marrë në procedim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve;
Nëndrejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, Sadik Kateshi, është pezulluar nga detyra;
Shefi i krimeve të Komisariatit të Peqinit, Denis Sinani, është përballur me procedim disiplinor dhe transferim.
“Këto masa janë një akt i pastër hakmarrjeje politike ndaj efektivëve që refuzuan të heshtin përballë manipulimit të zgjedhjeve dhe që ushtruan detyrën me ndershmëri dhe profesionalizëm,” theksoi Vangjeli në përfundim të deklaratës. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/