Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot një sërë videosh dhe dëshmish që, sipas tij, faktojnë manipulimin masiv të votave të diasporës nga ana e qeverisë. Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga zyra e medias dhe komunikimit e Partisë Demokratike, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama për kontroll të plotë të procesit të votimit nëpërmjet mekanizmave korruptivë dhe rrjeteve të ngritura jashtë vendit.
“Këtu janë video të përgatitura për të dëshmuar se si Edi Rama nëpërmjet mekanizmave korruptive, nënkontraktorëve, ambasadave, etj., e shtetëzoi procesin e votimit dhe realizoi manipulimin më të madh,” deklaron Berisha.
Ai shprehet se qendrat e bixhozit janë përdorur gjerësisht për të ndikuar në procesin zgjedhor dhe thekson se gjithçka është dokumentuar me pamje dhe dëshmitarë.
“Urdhëroni, dengje me vota. Ky me krah votash shkon drejt konsullatës. Dua të përgëzoj shumë demokratët e Selanikut për punën e shkëlqyer që kanë bërë në dokumentimin e këtij procesi, manipulimit të këtij procesi,” shton ai në deklaratë.
Berisha e cilëson procesin si “fund e krye të kontrolluar dhe të manipuluar”, ndërsa akuzon qeverinë për përdorimin e ambasadave dhe strukturave shtetërore për të deformuar vullnetin e qytetarëve që votojnë nga jashtë. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/