Partia Demokratike, përmes zëdhënëses për Antikorrupsionin, Genta Vangjeli, ka lëshuar një deklaratë të fortë publike, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama për favorizim të arkitektit italian Stefano Boeri, mik personal i tij dhe autor i disa prej projekteve më të debatueshme urbane në Tiranë.
Sipas Vangjelit, Boeri është aktualisht nën hetim në Itali për “afera korruptive të lidhura me zgjerim të pakontrolluar ndërtimi”, ndërsa në Shqipëri ka fituar projekte të rëndësishme urbane pa konkurrencë reale dhe pa konsultim publik.
“Vizioni urban i tij në Shqipëri nuk lidhet me nevojat e komunitetit, por me një model zhvillimi të diktuar nga interesat klienteliste të Ramës, duke anashkaluar transparencën dhe identitetin historik të qytetit,” u shpreh Vangjeli.
Ajo theksoi se Tirana sot përballet me mungesë hapësirash publike, gjelbërimi, transporti publik dhe shërbimesh bazë për qytetarët, ndërkohë që projektet e Boerit synojnë vetëm “zbukurimin e fasadës së pushtetit të korruptuar” dhe jo përmirësimin e jetës së përditshme të banorëve.
Lista e projekteve që mbajnë firmën e Boerit në Shqipëri përfshin:
- Vertical Forest Tirana
- Tirana Riverside
- Tirana 2030
- Kubi i Bllokut
- Blloku West
- Pylli Orbital 030
Sipas PD-së, të gjitha këto iniciativa ndjekin të njëjtin model: maksimizim fitimi për pushtetin dhe oligarkët, ndërsa qytetarët e thjeshtë përjashtohen nga përfitimet dhe procesi i vendimmarrjes.
Vangjeli bëri edhe një krahasim mes realitetit italian dhe atij shqiptar, duke theksuar se “në Itali drejtësia nuk bën përjashtime, ndërsa në Shqipëri miqtë e Kryeministrit mbrohen nga hetimet, pavarësisht denoncimeve të opozitës për ndërtime pa kriter, pastrim parash dhe abuzime me planifikimin urban.”
Ajo kujtoi se hetimet ndaj Boerit në Itali janë shembull i funksionimit të drejtësisë, ndërsa në Tiranë qyteti mbetet peng i një vizioni urban të bazuar mbi korrupsion, mungesë transparence dhe marrëveshje klienteliste.
Në përfundim të deklaratës, Partia Demokratike kërkoi:
- Hetim të menjëhershëm të të gjitha projekteve të lidhura me Boerin në Shqipëri
- Identifikimin dhe ndëshkimin e të gjithë zyrtarëve dhe aktorëve të përfshirë
- Garantimin e konsultimit publik për çdo plan urban në të ardhmen a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












