Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pavarësisht kërkesës së avokatit të tij për zëvendësim të masës me garanci pasurore, gjykata e ka refuzuar kërkesën, duke argumentuar se nuk janë plotësuar kushtet për lehtësim.
Ndryshe nga Veliaj, për biznesmenin Elman Abule, i përfshirë në të njëjtën dosje hetimore, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Vetë Abule ishte i pranishëm në seancë, ndërsa Veliaj mungoi.
Prokuroria e Posaçme solli në seancë një element të ri: një apartament që ndodhet mbi banesën e kryebashkiakut, që sipas SPAK, rezulton të jetë në pronësi të tërthortë të çiftit Veliaj-Xoxa.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt në ambientet e Bashkisë së Tiranës, me urdhër të SPAK, si i dyshuar për disa vepra penale të rënda: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (nëntë raste), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave privatë”.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është vënë nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga hetimi paraprak ka rezultuar se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë ndërtuar dhe vënë në funksion një skemë që synonte përfitime të parregullta përmes administrimit të fondeve publike të Bashkisë së Tiranës. SPAK thotë se këto përfitime janë realizuar nëpërmjet veprimeve të kamufluara dhe në kundërshtim me ligjin, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/