Basha zbulon krizen ne turizem. “ Nuk vijnë turistët e huaj se...

Basha zbulon krizen ne turizem. “ Nuk vijnë turistët e huaj se quhemi zonë e kuqe”

58
0
Shares

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me operatorë turistik në Tiranë. Teksa jemi futur në muajin korrik, ata ankohen se nuk e kanë filluar sezonin akoma. Përpos kësaj, ata duhet të mendojnë edhe për taksat dhe kreditë, pavarësisht se xhiroja e tyre ka rënë në zero.

“Duke qenë së biznesi i turizmit është në një fazë kur nuk ka aktivitet, operatorët turistikë, agjensitë turistike do të ushtrojnë zero aktivitet, atëherë çfarë do të paguajnë? Prandaj ne kërkuam që së paku deri në fund të vitit të çlirohemi nga të gjitha taksat sepse kur nuk prodhojmë, çfarë do të paguajmë? Kur nuk kemi fare fitim” – u shpreh Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik.
Ata shprehen se janë të paqartë se si do të veprohet në vazhdim, pasi nëse situata do të vazhdojë në këtë mënyrë dhe kufiri nuk do të hapet, atëherë ky sektor do të falimentojë plotësisht. Për këtë ata thonë se do të jetë e nevojshme një paketë e tretë ndihme, jo për mbijetesën e punonjësve, por të mbijetesën e bizneseve.
“Jemi në situatën më të rëndë që ka qenë ndonjëherë në këtë industri. Kjo industri mbështetet në lëvizjen ndërkufitare. Nëse lëvizja ndërkufitare në Shqipëri është e mbyllur dhe vazhdon të jetë e mbyllur dhe nuk ka akoma datë, ky sektor është në koma. Qeveria të na thotë çfarë do bëjmë dhe nëse s’ka rrugëzgjidhje, duhet një paketë e tretë e turizmit. Jo për mbijetesën e punonjësve, por të mbijetesa e bizneseve” -u shpreh anëtari i shoqatës së tur-operatorëve Besnik Vathi.
Sipas tyre, dy paketat e qeverisë qenë vetëm një zbukurim momenti për të fshehur krizën ekonomike, pasi as 50% e paketës së parë nuk u konsumua.
“Qeveria duhet të ndajë përgjegjësitë, pasi as 50 përqind e paketës së parë nuk është konsumuar. Kredia për një industri që e ke mbyllur me VKM dhe nën masa, duhet të mbash përgjegjësi dhe ta ndihmosh, jo ta zhysësh në kredi. Shtyrja e kredive 3 muaj nuk jep zgjidhje se bankat nuk e zbatojnë” – tha kreu i Shoqatës së Hoteleri Turizmit, Zak Topuzi.
Lideri i opozitës mbështeti kërkesat e operatorëve turistikë, ku tha se përmirësimi i klimës së turizmit duhet të vijë sa më shpejtë. Ai u zotua se ndryshimi do të vijë me planin e Partisë Demokratike, i cili mbështetet në tre shtylla kryesore dhe që do të zbatohet menjëherë me ardhjen në pushtet.
“Qëllimi ynë kryesor është stabilizimi i menjëhershëm i gjendjes dhe këto janë 3 drejtimet kryesore ku do të veprohet. Përmirësimi urgjent i klimës së biznesit duke ju hequr nga qafa inspektoriatet, taksidarët, burokracirat, lejet, autorizimet, ua kanë bërë jetën ferr sipërmarrjes. Thjeshtimi i menjëhershëm i sistemit fiskal, taksa të lehta, taksa të përballueshme për ju dhe transparenca për shpenzimet publike, duke i dhënë fund orgjisë së shpenzimeve shtetërore me tendera të shumëfishta. Të gjitha këto para do të destinohen për të mbështetur politikat tona të reja fiskale dhe për të mbështetur investimet publike dhe shpenzimet publike që e ndihmojnë rritjen e ekonomisë dhe në veçanti rritjen e turizmit. Ky të jetë një plan strategjik afatgjatë, i zbatueshëm dhe të reflektojë atë që ju thashë në fillim të këtij takimi, konsensusin kombëtar që te turizmi të kemi një potencial të jashtëzakonshëm, jo thjesht për të nxjerrë vendin nga kriza, por për të siguruar mirëqenie dhe punësim për të gjithë ata që përfshihen drejtpërdrejt në këtë industri dhe për këdo tjetër që bëhet pjesë e zinxhirit furnizues të industrisë së turizmit” – theksoi kreu i opozitës.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY