Zv/Kryeministrja Mandija: Ja pse ministrat teknikë janë në këtë qeveri

Ndaje

Zv/Kryeministrja Ledina Mandija ka dhënë një intervistë në ABC neës ku ka theksuar sfidat e detyrës së saj të vështirë në strehën e Kryeministrit Edi Rama. Një zëvëndëskryeministre që ka për detyrë një rol krejt të ri të panjohur më parë në politikën shqiptare, e penguar në mënyrë sistematike nga burokracia e qeverisë që është përballë.

Gazetarja (Merita Haklaj): Zonja Mandija emri juaj është ai që është me i artikuluari ne media gjatë këtyre ditëve për shkak të funksionit. Ju tashmë quheni zv.kryeministrja teknike dhe drejtoni Task Forcën për situatën zgjedhore, pra deri ditën e zgjedhjeve. Kur pranuat të ishin pjesë e kësaj qeverie në postin e zv/kryeministres tenike e kishit menduar këtë situatë që po pason ?

Zëvendëskryeministrja: Në radhë të parë ju falënderoj për intervistën në lidhjen me procesin që po zhvillohet. Për sa i përket pozicionit që mu propozua dhe unë pranova, kuptohet që ishte një sfidë, një sfidë e radhës dhe e pranova me vullnet të plotë duke patur parasysh vështirësitë dhe situatën në vend, por duke marrë në konsideratë interesin publik që është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kështu në këtë kuadër ka qenë një përgjigje po, për ta bërë këtë dhe për t’u përballur më çdo sfidë që do të ishte gjatë kësaj periudhe.

Gazetarja: A ju dekurajojnë deklarata të ndryshme politike? Kryesisht subjekti i Lëvizjes Socialiste për Integrim duhet të jetë më “i penalizuari”, për shkak të punonjësve të administratës apo drejtuesve të shkarkuar dhe atyre që janë pezulluar për shkak të përfshirjes në fushatë elektorale  në mënyrë të kundraligjshme. ?

Zëvendëskryeministrja: Merita dua të sqaroj diçka. Në gjithë këtë procedurë të inicuar në radhë të parë nga ana ime dhe nga ana e ekipit që po punon nuk ka asnjë tendencë, as për të vënë në qendër të vëmendjes apo shënjestër një forcë të caktuar politike apo për të penalizuar persona të caktuar.  Nuk ka një orientim në këtë drejtim, përkundrazi jemi këtu për të garantuar një standard, i cili i vendos forcat politike në pozita të barabarta.

Dua ta përmend edhe njëherë, qytetarët shqiptarë kërkuan zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pikërisht u arrit kjo marrëveshje mes palëve ku për të garantuar këtë të kishte edhe një rikompozim të qeverisjes duke futur disa ministra të tjerë në një qeverisje që ishte e majtë.

Në këtë kuadër është operuar konform ligjit. Është Kodi Zgjedhor, dispozitat e ndryshuara të Kodit Penal, është ligji për partitë politike dhe gjithë ky kuadër ligjor është zbatuar gjatë kësaj periudhe duke marrë në konsideratë edhe një urdhër të Kryeministrit Rama të datës 11 maj 2017, i cili ka qenë i detyrueshëm për t’u zbatuar nga administrata shtetërore.

Në këtë kuadër qytetarët kanë qenë të lirë që të dërgojnë informacione, ashtu si edhe subjektet politike. Këto informacione janë verifikuar, janë përpunuar  nga ministrat përkatës apo titullarët e institucioneve  të cilët kanë operuar më pas me marrjen e masave.

Pikërisht për t’a bërë më të qartë dhe më të formalizuar këtë procedurë që po ndiqet është hartuar Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili zëvendëson Urdhrin e Kryeministrit dhe qartëson edhe të drejtat e detyrat e punonjësve të administratës shtetërore, të cilët kanë edhe të drejtat e tyre politike, por duke qartësuar edhe pozicionin, edhe përgjegjësinë që duhet të kenë ata kundrejt ushtrimit të këtyre të drejtave politike dhe mosangazhimit publik të hapur përmes propagandës sidomos në rastin e nëpunësve civil duke mos cenuar edhe funksionet që ato kryejnë  në shërbim të publikut.

Kështu që në këtë kuadër u hartua një VKM në lidhje më të cilën është marrë mendimin i OSBE-së, është kërkuar ekspertiza e tyre, janë përfshirë në grupin e Task-Forcës Ministritë që kanë lidhje me procesin zgjedhor. Nuk ka pasur asnjë selektivitet dhe nuk ka pasur asnjë një qëllim për të përjashtuar ndokënd. Në momentin që do të ishte propozuar patjetër që do të pranohej.

E pra, aty nuk janë të gjithë ministrat teknikë psh. është Ministri i Brendshëm sepse ka lidhje me procesin zgjedhor, është Ministri Arsimit, sepse ato përdoren më shumë, nga raportet e vëzhguesve vendore apo të ODIHR, kanë qenë mësuesit dhe nxënësit të përdorur politikisht; është Ministria e Financave ku lëvrohen fonde  d.m.th ka edhe rrjedhje fondesh gjatë kësaj periudhe; është Drejtoria e Pastrimit të Parave sepse mund të ketë transanksione të dyshimta gjatë kësaj periudhe; është Policia e Shtetit, e cila ka informacione në lidhje me kriminalitetin apo lidhjen e subjekteve të krimit pikërisht në suport të subjekteve elektorale apo edhe institucione të pavarura, të cilat janë ftuar të bëhen pjesë e kësaj Task-Force, sikur Prokuroria, KQZ, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe Avokati i Popullit.

Në asnjë rast nuk është menduar të përjashtohet kjo ministri apo ajo ministri. Nuk është futur këtu Ministri i Shëndetësisë, pavarësisht se doktorët dhe infermierët janë përdorur së shumti në fushata elektorale, nuk është futur as Ministri i Punës dhe  Çështjeve Sociale ku edhe aty ka skema përfitimesh për ndihmën ekonomike e me radhë.

Në se do të kishte qenë një udhëzim dhe një orientim për të përfshirë më tepër ministra do të ishim shumë të hapur për më tepër që mbledhjet e Task-Forcës janë të hapura.

Stafi ndërkombëtar, i cili është i përfshirë në aktivitetin elektoral dhe e vëzhgon këtë aktivitet, është i ftuar të marrë pjesë, të japi edhe rekomandimet përkatëse në qoftë se do të jetë e nevojshme gjatë rrugës.

Ka pasur një keqkuptim për opinionin publik. Në asnjë rast Task –Forca nuk bën shkarkime, nuk merr vendime Task-Forca. Ajo është në rolin e koordinatorit mes institucioneve për ta koordinuar këtë proces sepse ka ndodhur që fotot -faktet të vijnë nga burime të ndryshme, nga qytetarë dhe nga subjekte politike.

Në përfundim të këtij procesi është shumë mirë të kemi një rezultat se çfarë ndodhi nga e gjithë kjo, çfarë u konstatua dhe çfarë parandaluam që të ndodhte dhe çfarë efektesh solli ndaj atyre që kryen veprimtari kriminale zgjedhore referuar dispozitave të kodit penal.

Task- Forca ka detyrën që në çdo mbledhje të marrë vendime  që janë në kuadrin e rekomandimeve të orientimeve të mëtejshme për institucionet dhe ministritë e të tjera, por sipas ligjit të gjitha këto vendime ekzekutive i takojnë ministrave apo edhe titullarëve të institucioneve, të cilët mbajnë edhe përgjegjësinë për procedurat e ndjekura ligjore.

Gazetarja: A keni pasur bashkëpunim me institucione qoftë edhe për koordinimin e këtyre të dhënave që juve kërkoni dhe që vijnë nga burime të ndryshme ?

Zëvendëskryeministrja: Dekreti e emërimeve ka qenë i datës 22 maj, dhe ka qenë shumë e vështirë. Është një model i ri i implementuar në realitetin shqiptar. Ka qenë e vështirë të inkorporohen 6 ministra në 6 ministri me administratën, e cilat pretendohet që De Jure të jetë të pavarur, por si duket administrata ka edhe influencat e veta politike më së shumti dhe ka qenë e vështirë që të realizohet që ditët e para një inkorporim i tillë.

Ka pasur ato problemet e veta të procesit të vendosjes së kabineteve. Sot që flasim ka akoma ministër që nuk ka kabinetin e vet ose dështon të marrë informacione nga administrata, të cilat janë të karakterit pikërisht të monitorimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ministrat nuk janë aty për të marrë informacion kush nga punonjësit shkon në fushatë, ministrat janë aty për të ushtruar funksionin e  tyre kushtetues si ministra në radhë të parë, në veçanti gjatë kësaj periudhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të marrë informacione për administratën e përfshirë në fushatën elektorale, për të marrë informacione në lidhje me logjistikën e përdorur dhe vënë në dispozicion të subjekteve elektorale gjatë fushatës zgjedhore, por janë aty edhe për të verifikuar raste të privilegjeve të dhëna për subjekte të caktuara, të cilat në procedura tenderuese, prokurimesh, koncesionesh kanë rezultuar të suksesshëm dhe tashmë mund të ketë informacione që këto subjekte janë të involvuar për të mbështetur subjekte të caktuara politike ose  i kanë mbështetur paraprakisht ato.  Ministrat janë aty edhe për të verifikuar burimin e parasë që vjen nga veprimtaria e paligjshme kriminale, drogës e trafiqeve .

Ministrat janë përballur me barriera të tilla. Jemi munduar që t’i amortizojmë edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Kemi realizuar bashkëpunim në disa raste, në disa raste jemi në përpjekje për ta bërë këtë gjë dhe shpresojmë që ta arrijmë para datës 25 qershor.

Gjithsesi edhe në mbledhjen e parë të Task-Forcës janë kërkuar në mënyrë shumë transparente informacione, të cilat janë formalizuar edhe përmes letrave zyrtare drejtuar të gjitha ministrive dhe institucioneve që kanë në varësi ato. Edhe organe të pushtetit lokal janë ftuar të sjellin informacione ashtu si edhe ministritë.

Gazetarja: Këtu bëhet fjalë edhe për ministri që nuk  ka ministra teknikë ?

Zëvendëskryeministrja: Po patjetër.  Informacioni kërkohet nga gjitha institucionet dhe çdo ministri ka pikën e kontaktit mbledh informacionin, e konsolidon dhe me pas ia kalon Sekretariatit Teknik. Informacioni, i cili është kërkuar në mbledhjen e parë ka të bëjë pikërisht edhe referuar informacioneve paraprake që ne kemi dhe që e dëmtojnë procesin.

Si psh. kur është shpenzuar paraja publike, duhet të dihet programi analitik dhe cili është buxhetit faktik deri më sot sidomos në referim të përdorimit të mjeteve të karburanteve gjë e cila vjen edhe në përputhje me Urdhrin e Kryeministrit të datës 11 maj.

Unë kam kërkuar informacion nga të gjitha institucionet se si është zbatuar urdhri i Kryeministrit dhe cilat masa janë marrë nga ana e titullarëve të institucioneve. Kjo do të thotë që qeveria teknike ose ministrat teknik të përfolur për shkarkime nuk ishin ato të vetmit që kishin detyrimin për të monitoruar këtë proces. Detyrimi ishte për të gjithë titullarët e institucioneve sepse që me datën 11 maj Kryeministri Rama i kishte kërkuar që të merrni masat për të respektuar kuadrin ligjor ne fuqi.

Gazetarja: Ju po thoni që pjesë efektive në këtë drejtim janë vetëm ministrat teknik?

Zëvendëskryeministrja: Të paktën nga informacione që kam deri tani sepse unë po pres informacione. Data e fundit  ka qenë dita e djeshme sepse mbi bazën e atij informacioni do të realizohet edhe mbledhja e dytë për të bërë të ditur se ku do të orientohet rekomandimi për ministrat në vijim.

Unë kam informacione se nga ministrat teknik janë bërë shkarkime të tilla. Di një rast të ministres Ekonomi që ka bërë shkarkimin e Drejtorit të Postës, por nuk jam në dijeni të rasteve të tjera të shkarkimeve deri më tani.  Kryesisht pezullime dhe shkarkime janë bërë nga Ministri i Drejtësisë, Ministri i Arsimit, Ministri i Shëndetësisë. Në këto kushte kuptohet që kuadri ligjor do të zbatohet nga të gjithë ministrat e institucionet.

Unë i bëj thirrje gjithë ministrive, drejtuesve të institucioneve që të bashkëpunojnë fuqishëm për të zbatuar ato detyra të lëna nga Task – Forca për të sjellë informacion në kohën e duhur, sepse në qoftë se informacioni nuk do të vijë në kohën e duhur do të dëmtohet edhe puna e Taks-Forcës për të vazhduar më tej dhe për ta bërë edhe më transparent procesin, i cili po vijon.

Gazetarja: A kemi raste të kandidatëve për deputetë që vazhdojnë të punojnë ?

Zëvendëskryeministrja: Është bërë një thirrje në fillim që kandidatët për deputetët duhet të largoheshin. Është një detyrimin e Kodit Zgjedhor, gjithashtu edhe ligji për nëpunësin civil e parashikon statusin e personave të cilët janë kandidat për deputet. Këtë thirrje e ka bërë edhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.

Ka pas një bashkëpunim shumë të mirë me Komisionerin. I kemi kërkuar bashkëpunim për të na sjellë informacione si edhe monitorimin e pavarur që ai bën për nëpunësit civil në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Ka pasur edhe interpretime të njësuara të nenit 37, për sa i takon të drejtave dhe detyrave të nëpunësve civilë në ushtrim të funksioneve të tyre  dhe nga ana tjetër kemi marrë informacione që persona të caktuar, të cilët janë kandidatë për subjekte të ndryshme elektorale kanë vazhduar të ushtrojnë funksionet e drejtorit dhe në këto raste. Ministrat kanë reaguar nëpërmjet pezullimit dhe shkarkimet sipas rastit që parashikohen në ligj, gjë e cila  nuk e di pse është bërë edhe mediatike në kuadrin kundër vendimit të Ministrit, ndërkohë që është gjithçka është e përcaktuar me ligj.

Gazetarja: Kemi rastin e Sekretares se Përgjithshme tek Ministria e Drejtësisë psh.?

Zëvendëskryeministrja: Rasti i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë ka kohë që po verifikohet. Ministri i Drejtësisë ka qenë brenda kuadri ligjor gjatë gjithë periudhës, ka kërkuar informacion tek KQZ në lidhje me zonjën Hoxha dhe i është sjellë informacioni që ajo është kandidate e PS-së.

Pra, rezulton që zonja Hoxha të ketë dhënë dorëheqjen, por dorëheqja është realizuar pas afatit të parashikuar nga ligji dhe në këto  kushte nuk merret në konsideratë nga ana e KQZ-së.  Verifikimi bërë qoftë nga KQZ, qoftë nga DAP ka rezultuar se zonja Hoxha vazhdon të jetë kandidate  Në këto kushte ligji parashikon që të pezullohet.

Proceduara e ndjekur nga DAP ka qenë e ngadaltë dhe e zvarritur.  Kuptohet qëllimi është se duhet të ketë operativitet dhe Ministri i Drejtësisë ka reaguar duke ushtruar të gjitha funksionet e tij Kushtetuese për ta pezulluar këtë person nga pozicioni që mban si Sekretare e Përgjithshme referuar edhe ligjit në fuqi ku një kandidate nuk mund të jetë në ushtrim të funksioneve publike.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

Leni një përgjigje