“Vjena në Tiranë. Një ditë pas koncertit të Filarmonisë së Vjenës ndjekur në mbarë botën prej më shumë se 1 miliard teleshikuesish, violinisti Shkëlzen Doli me ansamblin e Filarmonisë së Vjenës performojnë para publikut shqiptar, në një spektakël multidimensional. Një koncert unikal, një event i jashtëzakonshëm, që shtohet në kalendarin artistik të shqiptarëve. Për herë të parë dhe si asnjëherë tjetër në Pallatin e Kongreseve më 2 janar 2017 në Tiranë”.
Ky është teksti i videos që kryeministri Edi Rama postoi në profilin e tij në Facebook në kuadër të promovimit të koncertit, që ai e cilëson si “një ëndërr të bërë realitet”.
Nisur nga postimi në fjalë i kryeministrit, media të shumta shkruan se Filarmonia e Vjenës do të mbajë koncert për herë të parë në Tiranë, duke iu referuar Orkestrës Filarmonike.
Por, sipas një burimi të brendshëm të në Filarmoninë e Vjenës, në Tiranë do të performojë një kuartet i përbërë nga violinisti shqiptar Shkëlzen Doli dhe tre instrumentistë të tjerë, që si Doli, janë pjesë e Orkestrës Filarmonike të Vjenës. Kuarteti quhet Ansambli Filarmonik i Vjenës dhe kjo është arsyeja përse gjerësisht, është menduar që në koncertin në fjalë do të performojë pikërisht orkestra prestigjioze austriake.
Kuarteti do të vijë privatisht në Tiranë dhe jo i dërguar nga Orkestra Filarmonike e Vjenës, që çdo fundvit mban koncertin i cili është me famë në të gjithë botën.
Vjena ka një traditë të koncerteve të fundvitit që prej vitit 1838 dhe sot, ai transmetohet në 90 vende të botës me një audiencë prej më shumë se 1 miliard shikuesish. Koncerti i Vjenës është një prej ngjarjeve më prestigjioze në botën e muzikës klasike dhe kërkesa për bileta është aq e madhe, sa ato fillojnë të rezervohen që një vit më përpara. Pjesë të Orkestrës Filarmonike të Vjenës janë disa prej instrumentistëve më të suksesshëm në botë dhe anëtarësimi në këtë orkestër, konsiderohet si një ëndërr për muzikantët e rinj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/