Emigrantët, të cilët e braktisin vendlindjen për shkak luftërave dhe persekutimit në vendet e Lindjes se Mesme, Afrikës Veriore, sidomos ata nga Siria dhe Afganistani, janë duke përdorur gjithnjë e më shpesh vendet e Ballkanit si transit për të arritur në vendet e Evropës Perëndimore. Ky rrugëtim që zgjat shumë më gjatë, por që është më i sigurt se sa përmes Mesdheut , ka shndërruar Maqedoninë në një destinacion kyç për të arritur në vendet e BE-së. Emigrantët nga Lindja e Afërt përmes Greqisë hyjnë në Maqedoni. Në kufirin jugor të Maqedonisë, në Gjevgjeli, në muajt e fundit vihet re gati për ditë një lumë emigrantësh që hyjnë në vend. Të dhënat e Organizatës “Mjekët pa Kufi”, tregojnë se së paku 300 persona kalojnë nga Greqia në Maqedoni, si pjesë e valës së emigrantëve për në Evropë.

Aktivistët e organizatave humanitare kanë dalë në terren për t’iu dhënë ndihmën e parë emigrantëve, të cilët rrugëtojnë në grupe përmes linjës hekurudhore Gjevgjeli-Kumanovë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Ivo Kotevski thotë se Maqedonia po përballet me një dukuri shqetësuese të emigrantëve nga Lindja e Mesme. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë dokumente udhëtimi.

Si pasojë e rritjes së numrit të emigrantëve ilegalë që synojnë kalimin transit në Maqedoni, qeveria e Maqedonisë ka nisur ndryshimet e ligjit për azil.
Gjatë rrugës tranzitore të emigrantëve sirianë dhe afganë nëpër Maqedoni në pesë muajt e parë të këtij viti janë shënuar dy raste tragjike. Ai i vdekjes së 16 emigrantëve, të cilët u goditën nga treni që po udhëtonte në destinacionin Veles-Shkup dhe rasti i fundit me rrokullisjen e një furgoni me 18 emigrantë, ku shumica e tyre përfunduan në spital.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












