Kryeministri Rama ka lajmëruar rreth një nisme që synon uljen e tensioneve gjatë ndeshjes së ardhshme mes Shqipërisë dhe Serbisë. Fjala është për krijimin e disa poleve të qeta në stadium nga aktivistë rinorë dhe studentë shqiptarë e serbë.
“ Ajo që është e rëndësishme është se jemi në një situatë krejtësisht të re, krahasuar me një vit më parë. Po ju jap një shembull. Një vit më parë, të gjithë e mbani mend, ndeshjen e futbollit në Beograd. Në datën 8 do të jetë ndeshja e kthimit. Zyra e Bashkëpunimit Rinor do të jetë e përfshirë dhe ne do të ftojmë një numër të konsiderueshëm të rinjsh nga Serbia, studentë apo… kjo është një gjë që po punojmë…që do të takohen me të rinj shqiptarë dhe bashkërisht do të shkojnë në stadium, jo për të krijuar probleme apo për të sharë njëri-tjetrin, por për të sjellë shembullin e këtij momenti kaq transformues. Për pak shkuam në luftë për një top futbolli, e kuptoni! Tani jemi këtu, duke diskutuar për gjëra që deri para një viti as nuk mund t’i imagjinonim.
Rama foli në një debat televiziv me kryeministrin serb Vucic. Debati ishte me tone të qeta dhe ndonjëherë edhe cnik mes të dyve. Duke folur për Kosovën Rama tha se “Është shumë e qartë që me Serbinë ka një mosdakortësi të plotë mbi këtë çështje, përsa i përket statusit të Kosovës, por ajo që ka rëndësi është që kjo mosdakortësi, nuk është më si përpara disa kohësh një arsye për të qenë barrikada kundër njëri-tjetrit, por është një aspekt që na ndan, pa na penguar që të bashkëpunojmë.
Nga ana tjetër, unë dua të përfitoj nga rasti, jo për të folur këtu sot pse Serbia nuk njeh Kosovën, por për të thënë një gjë tjetër, pse Kosova sot është i vetmi vend dhe i vetmi popull pa të drejtë për të lëvizur lirisht në BE. Në këtë aspekt nuk është përgjegjësia e Serbisë, është përgjegjësia e BE-së. Është një turp dhe është një padrejtësi që BE-ja mban mbyllur atje brenda një popull, që është i vetmi popull në Europë që nuk lëviz dot pa vizë.
Duke folur për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, Rama tha se “Këtë ëndërr duhet ta realizojmë si një ëndërr europiane dhe të jetojmë së bashku, dhe jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe me serbët, edhe me kroatët, edhe me malazezët, në BE. Rruga e BE-së është dhe rruga e bashkimit mes nesh si shqiptarë, dhe së bashku me të tjerët. Ajo që unë kam thënë dhe unë e them prapë, nëse BE nuk do të jetë strategjike me Ballkanin dhe nuk do t’ua bëjë të mundur popujve të Ballkanit që të jetojnë sëbashku me njëri-tjetrin, serbët të ndjejnë se janë bashkë, pavarësisht se mund të kenë kufij sot administrativë, shqiptarët të jenë bashkë, pavarësisht se mund të kenë kufij administrativ, atëherë sigurisht që forcat e së shkuarës, mitet e së shkuarës janë gati të rikthehen dhe të na tejkalojnë ne që jemi shumë qartësisht të pozicionuar për një Shqipëri europiane, për një Serbi europiane, Ballkan europian. Kjo është bindja ime”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











