Një grua mposhti 10 burra në debatin e dytë republikan

Shares

Nga Ruben Avxhiu, Nju Jork

Vëzhgues të ndryshëm kanë konkluzione të ndryshme për debatin që sapo mbaroi mes kandidatëve presidencialë republikanë.

Unë bashkohem me ata që përmendën senatorin nga Florida Marco Rubio si një nga më të mirët. Asnjë prej të tjerëve nuk ishte më bindës.

Djali i emigrantëve kubanezë tregoi edhe njëherë se me përjashtim të Jeb Bush ka njohuritë më të thella dhe pikëpamjet më të qarta për politikën e jashtme.

Edhe kësaj here media refuzoi ta shpallte hapur fitues. Në vend të tij lavdërimet i mori Carly Fiorina. Askush në betejën e tërheqjes së vizitorëve dhe lexuesve nuk mund t’I rezistojë një titulli si ky që kam përdorur edhe unë për këtë shkrim. Fitorja e të vetmes grua tërheq më shumë si ngjarje.

Carly foli në fakt me një pasion dhe vendosmëri të admirueshme, nga ato që në mitingje zgjedhore ua çojnë peshë zemrat mbështetësve. Mirëpo, shumë nga deklaratat e saj në debat ishin të pmbështetura në fakte. Sidomos në politikën e jashtme, kërcënimet e saj se çfarë do t’u punonte Putinit dhe Ajatollahut ishin të tepruara edhe për ne që duam një SHBA më të vendosur dhe më udhëheqëse në proceset ndërkombëtare.

Mirëpo, ish-drejtuesja ekzekutive e kompanisë HP ia doli të bënte të paguante për talljen lidhur me fytyrën që i kishte bërë Donald Trump, të cilit i tha të mos mërzitej se çdo grua në SHBA e kishte dëgjuar së çfarë kishte thënë për të.

Që Trump tregohet gojëlëshuar sidomos me gratë kjo dihet. Po ashtu dihet edhe që fjalët “se me këtë fytyrë do që të fitojë kjo” nuk kanë vend në debatin civil të politikës amerikane. Mirëpo, fakti është që Donald Trump vazhdon të udhëheqë sipas anketimeve mes grave republikane. Do të shohin nëse pas këtij debate Carly do të arrijë të bëhet kandidatja e preferuar e grave të në të djathtë të spektrit.

Vetë Donald Trump, ndonëse edhe këtë mbrëmje nuk i la pa i tallur dhe qesëndisur kundërshtarët e tij, ai pati probleme. Është e qartë tani se kur flitet për politikën e jashtme ai bëhet lëmsh dhe flet kot.

Kandidatë si Jeb Bush dhe John Kasich ishin më seriozët dhe më të kujdesshmit e debatit. Të dy më shumë se njëherë u përpoqën të sjellin zërin e arsyes ndërsa shumë nga kolegët e tyre premtonin zgjidhje të skajshme të problemeve që bëjnë bujë në media, si marrëveshja me Iranin, deportimi i emigrantëve etj.

Nuk dihet sesa të jep pikë maturia krahasuar me deklaratat bombastike, sidomos në këtë pjesë të garës. Në plan afatgjatë ndoshta më mirë një fitues i moderuar, por pa mbështetjen e pjesës më konservatore do të jetë e vështirë për këdo fitorja.

Ben Carson, neurokirurgu që ndodhet i dyti në anketime ishte thjesht jombresëlënës. Nuk e di se cila është arsyeja që ai ndodhet aq lart në anketime, përveçse ndoshta stërngopja me politikanët tradicionalë e gërshetuar me drojën për të mbështetur një kandidat problematik si Trump.

Chris Christie, guvernator i Neë Jersey-t solli disi në betejë shpirtin e tij luftarak për të cilën njihet bashkështetarët e tij por që ka munguar në fushatën e tij të deritanishme. Ai nënvizoi faktin që ka qenë Prokurori i Përgjithshëm pas 11 Shtatorit dhe premtoi ta përndiqte Hillary Clinton nëse zgjidhej president për shkeljet e ligjit që ka bërë. Republikanët më shumë se çdo gjë tjetër kënaqen kur kritikohet çifti Clinton, po vështirë se Christie do të mund të ringjallë fushatën e tij.

Të tjerët nuk e di se çfarë bëjnë në garë. Ndoshta, Rand Paul do të krijojë edhe ai një bandë fanatikësh që e duan shumë por që ashtu si i ati nuk kalojnë 10% të mbështetësve. Ai flet për një SHBA që do të shkëputej nga bota e do të shihte punën e saj.

Ted Cruz është orator por tingëllon shpesh teatral. U pëlqen konservatorëve të fortë sidomos në Jug të vendit por vështirë të mbijetojë votës në shtetet e para në very të vendit dhe në South Carolina.

Scott Walker, dikur djali i artë i konservatorëve ka rënë jo vetëm në ankeime dhe në financa, por duket sikur i ka ikur edhe energjia, në mos edhe dëshira për një angazhim më vendimtar. Disa presin që të dalë nga gara, ndonëse është pak shpejt për një vendim të tillë. Ky ishte njeriu që besohej se preferohej nga multimiliardierët Koch.

Ndoshta dikur prej tyre duhet zëvendësuar me Lindsay Graham që duket se doli më mirë nga të gjithë në debatin e “kategorisë së dytë” që u mbajt mes republikanëve që nuk kanë shumë rezultat të mirë në anketime.

Në ditët e ardhshme, ndryshimet në anketime do të jenë edhe verdikti i vërtetë i miliona vetëve që ndoqën këtë debat. Mendimet e gazetarëve janë të nisura më shumë nga pikëpamjet dhe paragjykimet tona. Ndonëse, trumbetimi i debatimit nga Carly Fiorina është një nga ato raste ku media t’i përforcon mbresat duke ta ndikuar mendimin për debatin. Deri në fund të tetorit për betejën tjetër, fusha është përsëri e hapur për ndryshime e ripozicionime. Do ta ndjekim.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...