Kryeministri Rama fjeti 10 minuta larg nga një kamp refugjatësh shqiptarë por nuk i takoi kur ishte në Mynih para një jave. Ndërkohë, drejtuesi i Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës në PD, Bardh Spahia dhe anëtarë të Departamentit si Kiri Hajdari, zhvilluan takime me azilkërkuesit shqiptarë në disa kampe në zonën e Limbourgut dhe Eltz pranë Frankfurtit.
Partia Demokratike njoftoi se në kampin Freiherr-Vom Stein Kaserne mbi 50 shqiptarë të ardhur nga Kukësi, Fushë-Kruja, Shkodra, fshatrat e Fierit dhe Lushnjes thanë se, shkak i emigrimit është varfëria e tejskajshme dhe pamundësia për një të ardhme normale në familjet e tyre.
“Unë jam murator, u shpreh Bujari nga Fieri, dhe nuk gjeja dot punë në ndërtim. Kam për të mbajtur një nënë të sëmurë, të cilës i hoqën dhe Invaliditetin. Si dhe babain e moshuar me pension minimal. Më thoni me çfarë të jetonim në Shqipëri”,-u shpreh një bashkëqytetar.
Azilkërkuesit shprehën indinjatën për shpërfilljen që Rama bëri me hapjen e ekspozitës së pikturave në Mynih duke refuzuar të thotë dhe një fjalë të vetme për shqiptarët në azil.
“Ne nuk jemi jetimët e Shqipërisë, meritojmë sado pak vëmendje dhe përfillje nga kjo qeveri, e cila mashtroi për një jetë më të mirë dhe me shërbime falas”, u shpreh një nënë e re nga Kukësi, e cila priste të sillte në jetë fëmijën e dytë në kamp. Me 35 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike, ne nuk ngopemi me bukë dhe jo të mbajmë familjen,-thotë ajo.
Drejtuesi i Departamentit Bardh Spahia shprehu gjatë takimeve vendosmërinë e PD për të luftuar shkaqet e vërteta që detyrojnë shqiptarët të lenë vendin.
Në kampin Staffel në Eltz ku mbi 200 shqiptarët jetojnë në çadra, zyrtarët demokratë u pritën nga dhjetra të rinj, gra e fëmijë që nuk kontaktonin me javë të tëra me familjarët në Shqipëri.
“Qeveria na braktisi si në Shqipëri dhe në azil”, u shprehën disa të rinj azilkërkues.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/













