Revista “Saras” provokon me erotikën

Shares

A është erotika që na ofrohet në librat që mbushin çdo ditë libraritë mbi erotizmin ajo që na duhet?
A është të parët e epshit si thelbi i ekzistencës një nga arsyet e asaj që quhet përplasje idesh apo qytetërimesh në shekullin e XXI?
Si duhet parë erotika në letërsi… dhe deri ku janë kufijtë e saj?
Këto janë disa nga pyetjet që revista letrare “Saras” ngre në numrin e saj të 7. Me një kopertinë ku ilustrohet vepra e artistit të njohur amerikan Beth Cavener Stichter, nën titullin “Gjuha e erotikës”, “Saras” bën një udhëtim nga konceptet e para të George Bataille mbi erotizmin, te Markezi De Sad, apo Bokaçio, për tu ndalur te shenjat e erotizmit në letërsinë shqipe.
“Erotizmi në letërsinë shqipe është fenomen njerëzor i trajtuar më fort si ankth jetësor, brengë metafizike e sprovë e ekzistencës kolektive, se sa si dramatikë e zbulimit shpirtëror dhe lirisë individuale. Herët më të shpeshta trajtimi i fenomenit është bërë duke i lidhur këto dy nivele, ku liria individuale është e përcaktuar nga detyra (apo konvenca) fetare, nacionale, ideologjike, qytetare. Sado që letërsia shqipe nuk ka mundur të krijojë figura të mëdha erotike e erotizuese, madje mite letrare si Helena, Beatriçja, Laura, Heloiza, Romeo, Zhulieta, Don Zhuani a Verteri…, kjo ka arritur të nuancojë personazhe e figura erotike e erotizuese, duke bashkuar bukurinë me dashurinë, si Tanusha e Jerina, Bardha e Vita, Diloca, Dila, Tanushi e Kalia, Nita…”, thotë Sabri Hamiti.
“Saras”, sjell një këndvështrim të erotizmit dhe në prozën e Migjenit.
“Nuk është e vështirë që të konstatohet, qoftë edhe përmes një vështrimi sipërfaqësor, se në krijimtarinë e Migjenit, përveç tipareve të tjera, një element që bie mjaft në sy është edhe ajo erotike. Madje ky erotizëm është shumëpërmasor; nga një erotizëm infantil-platonik, në atë seksual, në atë të një seksualizmi blasfemik, në atë incestual e deri te homoseksualizmi”, thotë ndër të tjera pedagogu i Universitetit të Tiranës, Eljon Dode, teksa analizon erotizmin në veprën e Migjenit e sidomos në skicën “A don qymyr Zotni”, që sipas tij është një skicë me një nëntekst të theksuar erotik ose e thënë troç me nëntekst seksual.
“Ka dy izotopi qartësisht të dallueshme (megjithëse të ndërshtëna në njëra-tjetrën): Izotopia e parë është ajo e Ofertës së shkëmbimit tregtar – pra historia e rrëfyer tregon se kemi një ofrues (malësorja e re), një produkt (qymyri), përpjekja për ta reklamuar produktin (kujtojmë togfjalëshin frazën “qymyri në konkurs”), një çmim, klientë, si dhe negocimi i çmimit me klientin e mundshëm. Izotopia e dytë është ajo e Ofertës së shkëmbimit “tregtar” seksual/ trupor – pra sërish kemi një produkt që në këtë rast përkthehet në një “shërbim”, që malësorja mund të ofrojë (kujtojmë që malësorja është e re dhe e bukur- sipas të gjitha gjasave jo pa qëllim, përpjekja për të tërhequr vëmendjen te ky shërbim një çmim, klientë, si dhe negocimi i çmimit me klientin e mundshëm”, shpjegon Dode.
Sipas tij, ligjërimi për seksin në këtë rast është mjaft i tërthortë: në asnjë çast insinuata se kemi të bëjmë me një ofertë seksuale nuk zbardhet, megjithëse nënteksti është qartësisht i kuptueshëm.
“Migjeni e ka bërë këtë kamuflim jo në respekt të një ligjërimi me një gjuhë viktoriane për seksin nga shqetësimi për të mos cenuar ‘ligjërimin e moralshëm’.   Më shumë mendoj se kjo mund të jetë rezultat i një zgjedhjeje të vetëdijshme, që  ka të bëjë me një qëllimshmëri autoriale të mirëpërcaktuar: të lexohen dy histori të ndryshme brenda të njëjtit tekst, të krijohen ekuivoke dhe të ngatërrohet lexuesi nëpër ambiguitetet semantike për të prodhuar dhe për të ligjëruar në fund të fundit po të njëjtën gjë për të cilën flitet edhe te ‘Historia e njenës nga ato’, Blasfemi, Pak poezi etj., veçse me terma të kriptuar nëpër tekst”, thotë ndër të tjera Dode.
Për kryeredaktoren e revistës Alda Bardhyli, ky numër është një mënyrë për ta lexuar ndryshe erotizmin, dhe një ftesë për ndërgjegjësim për çarjen e brendshme që sa vjen e thellohet në shoqërinë tonë.
Nuk mungojnë sipas saj në këtë numër, dhe proza e mirë, një përzgjedhje tregimesh nga Markez, Abelardo Castillo, Charles Bukowski, Virginia Wolf, poezitë e reja të Arben Dedës, pjesë nga romani i ri i Ilir Ferrës, etj.
Për herë të parë “Saras” sjell në një intervistë albanologun e njohur rumun Grigore Brancus në një rrëfim mbi  lidhjet e rumanishtes me shqipen, realizuar nga Marius Dobresku.
Jason Goodwin vjen në një rrëfim përmbyllës mbi fundin e udhëtimit të detektivit Jashim, sagës së mrekullueshme që nis nga libri “Pema e Jeniçerëve” e përfundon me “Klubin Bakllava”…
Më tepër revistën mund ta lexoni në www.revistasaras.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...