Mediat e huaja raportojnë se Abdelhamid Abaaoud , “truri” i sulmeve të 13 nëntorit në Paris është vrarë. Dyshohet se tre persona kanë mbetur të vdekur gjatë operacionit për kapjen e të dyshuarve për terrorizëm.
Operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në periferi të Parisit në Saint Denis dhe objektiv ka qenë kapja e trurit të atentateve të së premtes së 13 nëntorit, Abdelhamid Abaaoud.
Të paktën 15 persona, përfshi gra dhe fëmijë janë evakuuar nga një ndërtesë në zonën e operacionit anti-terrorizëm.
Policia ka identifikuar një apartament që përdoroj si bazë nga terroristët e dyshuar në Saint-Denis, tha zëdhënësi i policisë Jean-Alphonse Richard për RTL, duke shtuar se i dyshuari i nëntë, i sulmeve të Parisit dhe bashkëpunëtorët e tij ishin në shënjestër të kësaj bastisjeje. Zëdhënësi i policisë shtoi se të paktën tre oficerë janë plagosur dhe janë arrestuar 7 persona. Ndërkohë raportohet se një grua kamikaze është vrarë pak para se të shpërthente eksplozivin.
Të dyshuar të tjerë thuhet se janë izoluar në një apartament. Ndërkohë dy persona kanë mbetur të vrarë dhe i vdekur i tretë është ende i pakonfirmuar, tha një burim për gazetën Le Monde, pa specifikuar nëse viktimat janë të dyshuar apo oficerë policie. Gjithashtu mediat franceze shkruajnë edhe për një banor të vrarë por kjo ende nuk është zyrtare. Policia u ka kërkuar banorëve të kësaj zone të mos dalin nga shtëpitë e tyre.
Franca është ende në një atmosferë terrori dhe paniku pas sulmeve të 13 nëntorit ku mbetën të vrarë 129 persona dhe 3 të tjerë të plagosur rëndë humbën jetën në spital. Për shkak të alarmeve për bombë, Air France ka devijuar dy fluturime.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












