Komisioni parlamentar për emërimet në administratën publike nuk ka arritur dje të miratojë me konsensus shkresën që duhet t’u dërgojë ministrive, drejtorive dhe enteve publike për dhënie informacioni për emërimet e kryera në kundërshtim me ligjin. Palët janë ndarë në pikën dy të shkresës që është hartuar nga hartuar nga Genc Pollo.
Demokratët kërkojnë informacion nga të gjitha institucionet për emërimet e kryera, lëvizjet paralele apo ngritjen në detyrë që nga shtatori i vitit 2013 deri në shtator 2015.
“Kërkesa jonë që të marrim informacion për të gjitha lëvizjet është më se e drejtë. Kjo është rruga më e saktë e këtij komisioni. S’mund të nisemi dhe të presim që do të ketë një akuzë apo jo për një person. Prokuroria niset nga indiciet dhe hap çështje penale. Kurse ne kërkojmë informacion nga institucionet zyrtare. S’mund të pres dhe të gjuaj kur të më dalë informacion në internet për një zyrtar që ka bërë vepër penale”, tha demokrati Luçiano Boçi.
Por socialistët kërkojnë që informacioni të jepet nga institucionet vetëm në rastet kur palët kanë indice se në një institucion ka persona me të shkuar kriminale. “Nëse do kërkojmë shkresat për 107 institucionet, nga 2013-ta deri më sot, i bie që puna e këtij komisioni të jetë zero, ndërsa ju të vazhdoni të bëni politikë”, tha deputeti Ulsi Manja. Pas një mbledhjeje të zhvilluar me dyer të mbyllura, palët dakordësuan pjesën kryesore të letrës, por pikën në fjalë e kanë shtyrë për ta diskutuar në mbledhjen e ardhshme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












