Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur sot seanca gjyqësore ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes, në lidhje me atentatin e ndodhur më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit ku mbetën të plagosur prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, ndërsa u vra shoferi Andi Maloku.
Në cilësinë e dëshmitarit është paraqitur Erjon Alibej, i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”. Dëshmia e tij përmban detaje të shumta për takime, komunikime në aplikacione të enkriptuara dhe lidhje mes personazheve të njohur të botës së krimit.
Dëshmia e Alibej: Takimi me Plarent Dervishajn dhe bisedat për atentatin
Alibej deklaroi para trupit gjykues:
“Gjatë vitit 2019 kam jetuar në Elbasan. Plarent Dervishaj e njoh, Julian Meçaj jo. Plarentin e njoh pasi më ka mundësuar daja i bashkëshortes sime një takim me anë të një shokut të tij. Di që ka një fabrikë cigaresh në Librazhd. Më ka mundësuar ai një takim me Plarentin. Kemi drekuar atje. Nuk e dija kush ishte ai në atë periudhë, po më duket një ‘Çekiçci’ që kisha parë në televizor.”
“Në atë kohë, në 2019, kam qenë person në kërkim për një çështje të 2018-ës. Qëndroja në shtëpinë time. Kam pasur disa probleme në shtëpi. Në atë periudhë, Arben Laze kishte një Tuareg ngjyrë të zezë, jam ulur në sediljen mbrapa dhe kam shkuar te fabrika e cigareve. Më priti Iliri dhe Arbeni, s’mbaj mend nëse ka qenë Plarenti aty apo nëse erdhi më vonë. Plarenti kishte një BMW ngjyrë blu të blinduar, shofer ka qenë një djalë tjetër, Plarenti pasagjer.”
Alibej tregoi për komunikimet e vazhdueshme që kishte me Dervishajn nëpërmjet aplikacioneve të enkriptuara:
“Në atë periudhë kam pasur EnchroChat, ka qenë periudhë që i përdorja të dyja, edhe Sky ECC. Plarenti përdorte ‘Barcelona’ në EnchroChat, por edhe pseudonimin ‘Ghost’. Këto mbaj mend unë. Me Plarentin nuk më lidhte asgjë. Plarentit më vonë i ndodhi një atentat dhe unë interesohesha me Plarentin si për hallet e mia.”
Furnizimi me informacione dhe përmendja e Redjan Rrajës
Alibej tha se kishte një punonjës policie në Elbasan që i jepte informacione dhe ai e shpërblente me pajisje komunikimi të koduar:
“E pajisa dhe me Sky dhe me EnchroChat. Ia bëja unë rimbushjen. Rimbushja ka qenë 600 € në atë periudhë.”
“Redjan Rrajën e kam dëgjuar për herë të parë në televizor. E dija që pas atentatit të prokurorit Arjan Ndoja ishte Plarent Dervishaj. Plarenti më tha që ishte shok i ngushtë me Redjan Rrajën dhe donte të futej në makinë me zor që të merrte pjesë edhe ai.”
“Plarenti më tha që ishte duke u interesuar për të fshirë provat në laborator. Më tha që i kishin kërkuar 300 mijë € dhe po priste përgjigje.”
Alibej përmendi edhe tentativën për eliminimin e tij me snajper dhe planin për të goditur Dervishajn:
“Në atë kohë donin të më vrisnin me snajper. Por donin të vrisnin edhe Plarentin te një lokal te Vollga. I thashë bëj kujdes.”
Detaje nga burgu dhe biseda të dëgjuara në 302
Alibej deklaroi se pas arrestimit nuk kishte më komunikim me Plarentin apo me Redjan Rrajën, por në burgun 302 kishte dëgjuar një bisedë mes këtij të fundit dhe një të burgosuri tjetër:
“Redjani doli nga dritarja dhe bëri një bisedë me Viktorin. Viktori e pyet si po ju shkon procesi, Redjani i thotë: ‘po interesohet shoku’. E kuptova që i referohej Plarentit. Përmendi ‘Krymin’ – e kishte fjalën për mua. Redjani me Viktorin më shante dhe mua dhe prokurorin.”
Në një moment, Dervishaj ndërhyri nga kafazi i të pandehurve dhe i tha Alibejt:
“Të erdhi keq për prokurorin ty, apo se t’u përmend familja?”
Furnizimi me të dhëna dhe lidhjet me grupe kriminale
Alibej përmendi disa emra të njohur nga bota e krimit si Talo Çela, Arben Muça, dhe vëllezërit Haxhia. Ai tregoi se i kishte dërguar Plarentit foto nga sistemi TIMS dhe përmendi edhe përpjekjet për të identifikuar persona që kishin lidhje me atentatin:
“Plarentit i kam dërguar një foto të vëllait të Arben Muçës, pas ekzekutimit të vëllezërve Haxhia. Nga informacionet që kisha, Talo Çela kishte futur çunllain e Ben Muçës për të më ekzekutuar mua.”
Seanca gjyqësore pritet të vijojë me dëshmi të tjera dhe ballafaqime mes të akuzuarve dhe dëshmitarëve, ndërsa rasti po hetohet nën mbikëqyrjen e SPAK-ut. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












