Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha sot se Lulzim Basha ka 5 muaj që vjen vërdallë si memec pa thënë asgjë mbi realitetin politik.
Reagimi i Bardhit erdhi menjëherë pasi Lulzim Basha dha një konferencë per mediat.
”Të të bëjë manual sesi bëhet opozita përgjegjësi kyç që e la partinë 12 vjet në opozitë, që shpalli sot të vdekur 60 mijë anëtarë të partisë vetëm se shprehin kundërshtinë për të kaluar nga dështimi në dështim, deputeti opozitar që ka nga 21 Mars 2022 që nuk vjen në Kuvend, që s’ka bërë asnjë kallëzim në prokurori kundër Qeverisë dhe asnjë denoncim ndaj Qeverisë, që ka 5 muaj që vjen vërdallë si memec pa thënë asgjë mbi realitetin politik, edhe pse vendi po rrëshket në autoritarizëm, është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht”, tha Bardhi.
Në vijim kreu i deputetëve demokratë tha se zgjimi i opozitës me telekomandë nuk do të ndodhë më, duke iu referuar deklaratës së djeshme të Edi Ramës në Ranën e Hedhun ku i kujtoi Bashës se po flinte gjumë.
“Koha e zgjimit të opozitës me telekomandim ka marrë fund prej kohësh. Opozita është në betejë me regjimin e Edi Ramës dhe beteja është e vetmja formë e përballjes me një regjim. Leksionet boshe mbi opozitën kemi 12 vjet që i dëgjojmë dhe realiteti kur zgjohesh nga ëndrra e gjumit të thellë është që Rama vazhdon të jetë Kryeministër! Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe kjo mund të arrihet vetëm duke qenë më së pari të vërtetë”, thotë Gazmend Bardhi.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha sot paradite se deklarata e Ramës për Bashën ishte kod komunikimi mes të dyve. “Shikoni kur të dalë Basha e të thotë ndonjë gje sot”, tha Noka paradite ndërkohë që Basha pak minuta më vonë lajmëroi një konferencë për shtyp. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











