Kryeministri Edi Rama, në një takim me përfaqësues të Shoqatës së Ricikluesve, ka deklaruar se, ligji i ri i miratuar këtë muaj në Parlament nuk është njësoj me atë të anuluar në vitin 2013, duke treguar se cilat janë përfitimet e kësaj veprimtarie.
Rama renditi edhe tre pikat që përbëjnë sipas tij ndryshimin mes dy ligjeve.
“Së pari, ligji që ne anuluam ishte një ligj që krijonte hapësirë për import plehrash për djegie apo groposje, pra mbeturina të pariciklueshme; së dyti lejonte licencimin e çdo lloj subjekti kërkues për import mbetjesh; së treti, aplikohej në një kontekst krejtësisht të paqëndrueshëm”, ka thënë Rama.
Sipas tij, “ligji i ri në thelb ka vetëm një ndryshim në raport me industrinë e riciklimit, ai i njeh të drejtën të gjithë subjekteve që kanë struktura industriale riciklimi të blejnë mbetje të gjelbërta dhe t’i importojnë ato”.
“Kaq, ky është thelbi, të tjerat janë spekulime”, ka thënë Rama. Ai ka theksuar se, para se të miratohej ligji i ri, Shqipëria ishte i vetmi vend në Ballkan dhe Europë që nuk u njihte fabrikave vendase të industrisë së lehtë të riciklimit të drejtën e blerjes së lëndës bazë dhe të importimit të saj.
“Miratimi i këtij ligji e vendos Shqipërinë në përputhje me direktivën 1013 të BE mbi menaxhimin e mbetjeve të gjelbërta. Është një hap që ka vetëm të mira publike dhe pa dyshim sjell një energji të re për një industri që ne jemi të vendosur ta zhvillojmë, pasi pa të nuk mund të përfytyrojmë një Shqipëri më të pastër”, ka deklaruar Rama.
“Çfarë kemi bërë ne është e drejta e kompanive dhe strukturave tona të riciklimit të importojnë lëndë bazë letre, alumini, plastike dhe mbetje drusore, të gjitha mall me vlerë në treg, që shitet e blihet njësoj si mallrat e tjera”, ka saktësuar kreu i qeverisë.
Ai ka shtuar se, “deklarata se Europa do të sjellë plehrat në Shqipëri është komplet një gënjeshtër”. “Ligji aktual është ligji më i kufizuar edhe në raport me direktivën, po të krahasohemi me Kosovën, Malin e Zi, Kroacinë”, ka shtuar Rama.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












