Reagon për herë të parë prokurori Ardian Braho, lidhur me videoskandalin transmetuar në emisionin “Stop” në TvKlan, ku në emër të tij, oficeri Fatos Lushi i mori një qytetari 18 mijë euro ryshfet.
Para prokurorëve të Krimeve të Rënda, Braho ka mohuar akuzat në adresë të tij. Ai mësohet se ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me 18 mijë eurot për të cilat akuzohet se i ka marrë, kundrejt favorit që i ka bërë qytetarit për të zhbllokuar 120 mijë eurot e sekuestruara. Burime për “Panorama” bëjnë me dije ai është pyetur nga Kklodian Braho e Manjola Kajana, para të cilëve ka thënë se nuk ka as dijeni dhe as lidhje me këtë ngjarje. Por, prokurori pranon se ka qenë ai që ka ndjekur çështjen e qytetarit për të cilën ka vendosur edhe në favor, duke i zhbllokuar paratë. “Vendimin e çështjes e kam marrë në bazë të provave dhe procedurës” ka thënë ai.
Dje kreu i njësisë së antikorrupsionit, prokurori Arenc Çela nisi hetim për rastin në fjalë si dhe është marrë vendimi për pezullim nga detyra e Brahos. Në pamjet e publikuara, oficeri i policisë gjyqësore Fatos Lushi shfaqet duke i marrë 18 mijë euro një qytetari të cilit i ishte bllokuar njëtransfertë prej 120 mijë euro. Ryshfeti i denoncuesit ishte në kuadër të zhbllokimit të parave që ishin nën hetim pasi dyshohej për para të pista. Braho dhe Lushi akuzohen për veprën penale të korrupsionit pasiv të “gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në vijim të pamjeve të transmetuara në emisionin “Stop” në televizionin “Klan” mbrëmjen e së mërkurës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












