Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur sot mbështetjen e plotë të PD-së për kandidatin e pavarur për Tiranën, Florian Binaj, duke e cilësuar atë si një figurë që ka fituar simpati të gjerë mes qytetarëve të kryeqytetit.
“Jam para jush për të shprehur mbështetjen e plotë të PD-së për kandidatin e pavarur për Tiranën. Besoj dhe shpresoj se të gjitha partitë opozitare, pas këtij vendimi, do të rikonfirmojnë Florian Binajn, i cili u prit me shumë pëlqim dhe kënaqësi nga qytetarët e Tiranës, në të gjitha shtresat e shoqërisë,” deklaroi Berisha.
Ai përshëndeti vendimin unanim të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një akt me rëndësi të madhe në mbrojtje të rendit kushtetues dhe të ligjshmërisë në vend.
“Sot Gjykata Kushtetuese mori një vendim që unë e përshëndes si një akt të një rëndësie të madhe në mbrojtje të Kushtetutës dhe të kushtetueshmërisë së rendit. Përshëndes vendimin unanim të gjykatësve që mbrojtën Kushtetutën nga armiqtë e saj, nga horrat e shtetit,” tha Berisha.
Duke iu referuar qeverisë, Berisha u shpreh se Edi Rama kishte tentuar të anashkalonte Gjykatën Kushtetuese përmes një “skeme të turpshme dhe antikushtetuese”.
“Tre ditë para se Edi Rama të shpaloste skenarin e tij, unë ju paralajmërova se do të anashkalonin Gjykatën Kushtetuese me pretendimin banal se Këshilli i Ministrave qenka noteri i këshillit bashkiak. Kjo tregon mungesë totale ligji, morali dhe respekti për shtetin,” theksoi ai.
Në përfundim, Berisha u shpreh se me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese i ka shërbyer vendit dhe rendit kushtetues, duke vënë në dukje, sipas tij, “vulën e turpit” mbi ata që kanë shkelur Kushtetutën.
Pyetje-përgjigje:
Pyetje: Përtej retorikës politike, duket se përgjegjësia ligjore bie mbi një person, Bajram Begaj i cili ka hedhur firmën në dekretin e tij. A keni sot një thirrje për kreun e shtetit se cilët duhet të jenë hapat e tij? Do i shkoni deri në fund kërkesën për shkarkimin?
Sali Berisha: Ne kemi paraqitur për impechment. Begaj është i padenjë, jo për postin e presidentit, por me dosjet që i rëndojnë është skllav i veprave të tij, i akteve të tij kriminale, në plaçkitjen e pronave të Ushtrisë me Edi Ramën. Prandaj dhe ai i lejoi vetes të firmosë një vendim që kurrë nuk mund ta firmoste.
Sepse çfarë po ndodh në këtë mes? Është një betejë për jetë a vdekje e Edi Ramës, është frika dhe tmerri i Edi Ramës nga Erion Veliaj. Pse e ka Edi Rama frikë dhe tmerr Veliajn? Sepse Erion Veliaj di më shumë se çdo shqiptar tjetër për Edi Ramën.
Pyetje: Nuk e ka në plan të flasë…
Sali Berisha: Ato nuk i dimë. Ti e thua, por Rama nuk e beson. Pyete a e beson këtë apo jo. A e beson se Erion Veliaj do të flasë. Pastaj unë nuk ju them ju, se unë prisja të më thonit ju për disa gjëra të nëndheshme, por nuk ua them.
Pyetje: Do i ndërprisni përgatitjet për Tiranën, tani?
Sali Berisha: Për Tiranën do të punojmë çdo ditë, por natyrisht do të respektojmë vendimin e gjykatës.
Pyetje: Pezullimi i dekretit u bë pas një padie që bëri Veliaj. Tani që është pezulluar kjo është një fitore e PD, e Veliajt apo një fitore që ju bashkon të dyve?
Sali Berisha: Kjo nuk është një fitore për PD, është një fitore për çdo shqiptar. Për të gjithë ata të cilët besojnë se Kushtetuta duhet respektuar si garanci për të drejtat e tyre.
Për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese e çuan avoketërit e Erion Veliajt. Në këtë kontekst është speficikisht një fitore e avokatëve mbrojtës dhe vetë Erion Veliajt. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












