Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi sot raportin e vitit 2025 për klimën e investimeve në Shqipëri, ku theksohet se vendi vazhdon të perceptohet si një mjedis i vështirë për zhvillimin e biznesit nga investitorët e huaj.
Në dokument evidentohet se investimet përballen me pengesa të shumta që lidhen me:
- korrupsionin në sektorin publik, gjyqësor dhe prokurimet shtetërore;
- konkurrencën e padrejtë dhe të shtrembëruar;
- një ekonomi informale shumë të madhe;
- pastrimin e parave;
- ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal;
- problemet me të drejtat e pronës;
- zbatimin e dobët të kontratave.
Sipas DASH, komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni po shtrembëron konkurrencën e ndershme në treg. Shumë investitorë ndihen të ekspozuar ndaj shantazhit nga administrata publike, mediat dhe grupet kriminale.
Raporti vë në dukje gjithashtu se emigracioni i punëtorëve të rinj dhe të kualifikuar ka krijuar mungesa serioze të fuqisë punëtore, duke ndikuar në perspektivat e investimeve. Nga ana tjetër, korrupsioni në prokurimet publike mbetet problem i zakonshëm, ndërsa përdorimi i gjerë i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka kufizuar konkurrencën, përfshirë edhe për investitorët e huaj.
“Analizat e dobëta dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP mbeten shqetësime të vazhdueshme”, thekson raporti. Për disa investitorë amerikanë, mosmarrëveshjet me entitete publike dhe private kanë përfunduar madje në arbitrazh ndërkombëtar.
DASH thekson se, pavarësisht rritjes ekonomike të qëndrueshme vitet e fundit, zhvillimi i Shqipërisë mbetet i brishtë për shkak të korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar, konkurrencës së shtrembëruar, emigracionit të fuqisë punëtore, produktivitetit të ulët dhe një sektori informal tepër të madh.
Për më tepër, Produkti i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri arrin vetëm rreth një të katërtën e mesatares së vendeve të BE-së. Për këtë arsye, raporti thekson nevojën urgjente për reforma të thella strukturore që do të mundësonin konvergjencën ekonomike me Bashkimin Europian.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












