Biznesmeni italian u ekzekutua pasi u godit në kokë me diçka të fortë. Të ndaluar, nga një familje biznesi në Tepelenë

Shares

Zbardhen rrethana të reja nga ekzekutimi i biznesmenit italian, Edoardo Sarchi, 44 vjeç, i gjetur i pajetë pak ditë më parë në fshatin Salari të Tepelenës. Rezultatet paraprake të autopsisë kanë treguar se viktima nuk është vrarë menjëherë nga arma e zjarrit, siç dyshohej fillimisht.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, para se të qëllohej, Sarchi është goditur me një mjet të fortë në kokë – dyshohet dru ose shufër metalike – goditje që i shkaktoi humbjen e menjëhershme të ndjenjave. Më pas, autori ose autorët e kanë qëlluar me armë zjarri në këmbë. Plumbi nuk ka rezultuar fatal në moment, por gjakderdhja e madhe i ka sjellë vdekjen disa minuta më vonë.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të motivit të krimit. Një nga pistat kryesore lidhet me një konflikt të mundshëm pronësor ose financiar, që mund të ketë çuar në ngritjen e pritës ndaj italianit.

Deri tani janë marrë në pyetje disa persona të afërt me viktimën, mes tyre Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij, Daniel e Gazmend Braçi, si dhe dy individë të tjerë. Burime nga hetimet bëjnë me dije se dëshmitë e tyre kanë qenë kontradiktore, duke shtuar dyshimet e hetuesve.

Ndërkohë, policia ka sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonën përreth, me synim identifikimin e autorit apo autorëve të përfshirë.

Edoardo Sarchi ishte sipërmarrës në industrinë e prodhimit të tullave e tjegullave dhe prej kohësh frekuentonte jugun e Shqipërisë për qëllime biznesi dhe gjueti. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...