Autori, Teilor Tivari
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit, ku 51-vjeçari Valbon Beqiri, i njohur edhe me emrin Marko, u vra me dhunë barbare nga 24-vjeçari Teilor Tivari.
Burime nga grupi hetimor thanë se ngjarja dyshohet të ketë qenë e paramenduar, pavarësisht pretendimeve fillestare të autorit, i cili ka deklaruar në polici se ka vepruar në vetëmbrojtje pasi viktima ka tentuar ta përdhunonte.
Hetuesit kanë ngritur dyshime serioze se mes autorit dhe viktimës ka pasur një lidhje intime, ndërsa rrethanat e ngjarjes flasin për një krim me dhunë të jashtëzakonshme. Valbon Beqiri është goditur më shumë se 20 herë me thikë, ndërsa trupi i tij është gjetur vetëm me të mbathura, poshtë tavolinës së kuzhinës, në apartamentin që ai përdorte për ruajtje.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, rezulton se sulmi ka nisur që në derën hyrëse, ndërsa në banesë janë gjetur gjurmë të shumta përleshjeje dhe gjakderdhjeje në çdo ambient. Viktima ka tentuar të mbrohet, por nuk ka mundur të shpëtojë.
Krimi ka ndodhur brenda një harku kohor prej rreth 25 minutash. Pamjet e sigurisë së pallatit kanë dokumentuar hyrjen e Teilor Tivarit, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes rreth 30 minuta më vonë, duke lënë derën e apartamentit të hapur.
Alarmi për ngjarjen është dhënë nga familjarët e Beqirit, pasi ai nuk është paraqitur për të marrë djalin e tij dhe një fëmijë tjetër nga shkolla, siç bënte çdo ditë. Pasi nuk është përgjigjur në telefon, familjarët kanë shkuar në apartamentin që ai ruante dhe janë përballur me skenën makabre.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe, pas hetimeve të shpejta, ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë autorin e dyshuar. Në pranga ka rënë edhe një tjetër person që dyshohet se e ndihmoi Teilor Tivarin të largohej pas krimit. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












