Fabrika e pasurimit te bakrit ne Fushe Arrez
Lumi Fan vjen i kthjellët nga malet që rrethojnë Fushë-Arrëzin. Por vetëm pak metra para se lumi të gjarpërojë përgjatë periferisë së qytetit të vogël, valëzat e tij marrin ngjyrë të kuqërremtë. Kjo ngjyrë nuk i ndahet lumit deri në afërsi të vendit ku ai bashkohet me një degë tjetër të Fanit që vjen nga Klosi i Mirditës.
Një raport i detajuar mjedisor, i publikuar më 15 korrik 2025, ka hedhur dritë mbi një nga problemet më të rënda të ndotjes industriale në veri të Shqipërisë. Bëhet fjalë për pasojat e derdhjeve nga Fabrika e Pasurimit të Bakrit në Fushë-Arrëz, ku analizat laboratorike mbi kampione toke dhe uji kanë nxjerrë rezultate shqetësuese që vënë në pikëpyetje sigurinë mjedisore dhe bujqësore të zonës.
Harta e marrjes se kampioneve dhe nivelit te ndotjes, te dhena tabelare te rezultateve te analizave
Ekspertë të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë kanë kryer matje të nivelit të ndotjes së lumit përgjatë rrjedhës së tij, që nga disa metra para burimit të ndotjes e deri 20 km larg. Kjo u bë e mundur përmes mbështetjes financiare nga GreenAl, një projekt i madh mjedisor i mbështetur nga qeveria suedeze.
Mostrat e ujit janë marrë vetëm pak metra nga dalja e tubit që sjell ujërat e filtruar nga proceset e pasurimit të bakrit në fabrikë, si edhe ato që qarkullojnë në hapësirën e stërmadhe të kaskadës së dampave.
Nga analizat e kryera në laborator për praninë e metaleve të rënda dhe ndotjeve të tjera në ujë, rezulton se hekuri arrin në 65,573 µg/L, që është mbi 327 herë kufirin e lejuar; alumini 27 herë mbi normë; nikel dhe selen mbi kufijtë ligjorë.
Ndërsa turbullira arrin në 40 FNU, duke treguar qartë një ujë të ndotur vizualisht.
Me një përmbajtje të tillë, uji nuk është më i përshtatshëm për përdorim në bujqësi, aq më pak për përdorim njerëzor. Rrjedhja nga dampa është një burim i hapur ndotjeje që përhap rrezikun në ekosistem dhe në komunitet.
Mostra e marrë në dalje të qytetit, nga shtresa e llumit në tokë, ka zbuluar një panoramë tjetër alarmante.
Pamja e lumit ne fshatin Shpoz
Analiza e baltës së marrë në shtratin e lumit tek ura që lidh qytetin e Fushë-Arrëzit me fshatin Shpoz shfaq të dhëna edhe më shqetësuese.
Nivelet e zinkut dhe bakrit kanë dalë disa herë mbi kufijtë e lejuar ndërkombëtarisht, ndërsa arseniku ka kaluar edhe pragun e ndërhyrjes, duke kërkuar menjëherë vlerësim të rrezikut dhe masa për ndryshimin drastik të situatës mjedisore.
Zinku është matur në shifrën prej 2997.68 mg/kg, kur ndërkohë kufiri gjerman për tokat bujqësore është vetëm 200 mg/kg. Po aq shqetësues është edhe përqendrimi i bakrit, që arrin në 1672.31 mg/kg – gati 30 herë më i lartë se kufijtë e përcaktuar për siguri. Arseniku, me vlerën 57.85 mg/kg, kalon pragun kritik që imponon masa të menjëhershme. Edhe kadmiumi, nikeli dhe kobalti gjenden mbi normë, ndërsa plumbi dhe kromi rezultojnë brenda kufijve.
Momenti i marrjes se kampioneve te ujit dhe tokes
Ekspertët paralajmërojnë se toka në këtë gjendje është e papërshtatshme për përdorim bujqësor apo për kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit.
Në të njëjtin vend është marrë edhe një kampion uji në rrjedhje. Analizat e ujit tregojnë një nivel të lartë të hekurit, çka i ka dhënë edhe ngjyrën e kuqërremtë shtratit të lumit dhe vetë ujit.
Pjesa më e madhe e metaleve të rënda, si arseniku, kadmiumi, plumbi, kromi dhe bakri, rezultojnë brenda kufijve të përcaktuar nga VKM nr. 379/2014 për cilësinë e ujit të pijshëm. Por problemi kryesor është hekuri, i cili del gati shtatë herë mbi normën e lejuar. Kjo përbën një rrezik potencial toksik nëse përqendrimet mbeten të larta për periudha të gjata.
Përveç hekurit, uji shfaqet me turbullirë dhe temperaturë mbi normën e rekomanduar, elementë që sinjalizojnë ndikime të ndotjes dhe rrezik për përdorim afatgjatë.
Matja ne terren e karakterisitkave biokimike te ujit
Ekspertët e Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë kryen analizat e ujit edhe në një pikë para ndotjes nga fabrika, për të evidentuar qoftë burimin e ndotjes, qoftë edhe nivelin e ndotjes që krijohet nga pasurimi i mineralit të bakrit në fabrikë.
Qoftë në këtë pikë, por edhe në Gjegjan që ndodhet rreth 20 km pas burimit të ndotjes, rezultatet ishin brenda normave për të gjithë parametrat. Kjo tregon se ndotja ka një qendër të qartë – aktivitetin e fabrikës – dhe se ndikimi përhapet më poshtë në rrjedhë, duke e kthyer zonën në një rrezik të përqendruar.
Në Gjegjan, uji rezulton i pastër, por ende nuk ka një analizë të dherave të shtratit të lumit përmes së cilës mund të përcaktojmë nëse ndotja e gjetur në pjesën jugore të qytetit të Fushë-Arrëzit ka një shpërndarje homogjene në llumrat e lumit përgjatë gjithë gjatësisë së tij. Nëse dherat do të jenë të ndotur, atëherë mundësia që ndotja të ‘rikuperohet’ sa herë ka shira dhe ujë të rrëmbyeshëm është shumë e madhe, duke zgjatur kështu edhe kohën e emergjencës apo duke stabilizuar një ndotje emergjente pothuajse gjatë gjithë dimrit, si dhe në ditët me reshje në pranverë dhe vjeshtë.
Ky raport është një kambanë alarmi jo vetëm për Fushë-Arrëzin, por për të gjitha zonat me industri nxjerrëse në zhvillim apo edhe ato që tashmë janë mbyllur. Nivelet e larta të metaleve të rënda në tokë dhe ujë përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin e komuniteteve lokale, për prodhimin bujqësor dhe për biodiversitetin.
Ndërkaq, pasi lexon raportin, vjen pyetja që duhet të marrë përgjigje: kush do të mbajë përgjegjësi për këtë ndotje? Në mungesë të një mekanizmi të qartë kontrolli dhe ndëshkimi, mbetet rreziku që ky problem të vijojë, ndërkohë që komunitetet vazhdojnë të jetojnë mes ujërave të kontaminuar dhe tokave të prekura nga prania e metaleve të rënda që ndikojnë jo vetëm shëndetin e tyre, por edhe të gjësë së gjallë që mbajnë banorët.
Fushë-Arrëzi është një shembull i dështimit të menaxhimit mjedisor. Fabrika që duhet të simbolizonte punë dhe zhvillim, prej shumë vitesh shihet si burimi i një ndotjeje me pasoja afatgjata.
Projekti GreenAL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024 – 2027”, financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/
















