Na foto, gjate marrjes se kampionit te ujit ne Zarishte
Dy raporte të detajuara laboratorike, të realizuara këtë pranverë, zbulojnë një panoramë shqetësuese për gjendjen mjedisore në disa zona edhe pse të kufizuara në Golaj, Perollaj, Vlahën dhe Nikoliq, zona të lidhura ngushtë me aktivitetet e industrisë nxjerrëse të bakrit dhe kromit, veçmas me minierat dhe fabrikën e pasurimit të bakrit, e mbyllur në vitin 1994.
Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë në zbatim të një projekti të GreenAl ka kryer analiza të dherave dhe ujit në disa pika të përzgjedhura në zonën e shfrytëzimit të minierave në disa fshatra të Hasit.
Përzgjedhja përfshiu dampat e ish-fabrikës së pasurimit të bakrit në Golaj, galeritë dhe venddepozitimet e mineralit të ish-minierës së bakrit në Nikoliq dhe Golaj, dampën e impiantit të pasurimit të kromit në Perollaj, galeritë dhe venddepozitimet e kromit në Vlahën, rrjedhat e ujit afër dampave të fabrikave në Golaj dhe Perollaj, rezervuarët ujorë të Golaj-Gjeologji dhe Perollaj, linjat e furnizimit nga Vlahna të rezervuarit të Planit dhe pikën e takimit të ujërave të përronjve që vijnë nga zona mineralmbajtëse të Hasit me ujërat e liqenit të Fierzës.
Marrja e kampioneve është kryer në ditë me diell dhe pas disa ditësh moti të qëndrueshëm ose të thatë, në temperatura nga 19-22 gradë Celsius.
Analizat e kryera në disa pika ujore të Hasit japin një pamje të ndarë mes burimeve ende të pastra dhe rezervuarëve të ngarkuar me ndotje.
Në Golaj, pranë fabrikës së përpunimit, mostrat e ujit treguan vlera alarmante të aluminit (4867 µg/l, mbi 24 herë kufirin e lejuar) dhe hekurit (3339 µg/l, mbi 16 herë normën). Turbullira arriti në 24.7 FNU, gati pesë herë mbi standardin, ndërsa oksigjeni i tretur ishte në nivele të ulëta, duke dëshmuar një ujë të mbingarkuar organikisht dhe të papërshtatshëm për konsum njerëzor.
Ish-fabrika e pasurimit te bakrit ne Golaj
Problemi bëhet më emergjent për shkak se rezervuari ndodhet afër një zone të banuar dhe furnizon zonën për vaditje, ndërsa bagëtitë përreth rezervuarit u panë duke u ushqyer në afërsi të tij.
Edhe në dampën e dytë të ish-fabrikës së pasurimit të bakrit në Golaj, uji rezultoi problematik. Ndonëse shumica e parametrave ishin brenda kufijve, niveli i aluminit dhe sidomos i nikelit (47.9 µg/l, mbi dyfishin e normës) e bëjnë këtë ujë potencialisht të rrezikshëm, pasi ndotja mund të përcillet më tej në kushtet e reshjeve.
Në kontrast, ujërat që vijnë prej zonave mineralmbajtëse të kromit në Vlahën treguan vlera të pranueshme për pjesën më të madhe të parametrave, por magnezi (26.5 mg/l) dhe sidomos kadmiumi (40.01 µg/l, mbi 8 herë norma) janë mbi normë, duke e përjashtuar këtë ujë nga mundësia e përdorimit për pije. Kadmiumi është një nga metalet më toksike për veshkat dhe kockat e njeriut.
Një analizë tjetër e llumrave të rezervuarit do të krijojë bindje mbi nivelin e pastërtisë së ujit edhe në kushte specifike të motit apo në rast prurjesh të mëdha në stinët e lagështa.
Marrja e kampioneve ne Perollaj
Analizat në rrëkën e Perollajt dhe në Zarishtë treguan vlera të pastra, me të gjithë elementët brenda normës. Problemi i vetëm mbetet oksigjeni i tretur në Zarishtë, çka sugjeron ndotje organike apo prani mbetjesh të shpërbëshme biologjikisht. Në Zarishtë ndodhet edhe pika e bashkimit të ujërave të Hasit me liqenin e Fierzës.
Edhe analiza e ujit të rezervuarit në Perollaj tregoi vlera brenda normave për metalet, por me oksigjen të tretur nën normat e lejuara. Rezervuari furnizon me ujë për vaditje dhe shërbime të tjera disa lagje, si dhe përdoret nga bagëtitë. Fakti që vetëm disa metra mbi këtë rezervuar është dampa e fabrikës së pasurimit të kromit, përbën rrezik në kohë për ndotjen e tij. Praktikisht, dampa është e rrethuar dhe e mbrojtur nga kullimet, por vendodhja e saj, ngjitur me rezervuarin, tregon se sa pak kontroll dhe vlerësim mjedisor është bërë në momentin e ndërtimit të impiantit të pasurimit të kromit.
Venddepozitimet e mineraleve të ndotura me metale të rënda, dampat – problemi më i madh
Kampionet e dherave që u morën në dy dampat e Golajt, në dampën e Perollajt, si dhe në Nikoliq e Vlahën, tregojnë ngarkesa me metale të rënda, të cilat në vlera të rritura janë edhe toksike.
Në Golaj (Damp 1), arseniku (72.4 mg/kg) e kalon kufirin e ndërhyrjes, ndërsa bakri (642.7 mg/kg) është më shumë se trefishi i pragut kritik. Kobalti, kromi dhe nikeli janë gjithashtu të rritur, duke e bërë këtë ambient një rrezik për mjedisin përreth.
Miniera e bakrit në Golaj është mbyllur në vitin 1994 dhe venddepozitimet e mineralit të asaj periudhe ende vijojnë të jenë burime të ndotjes. Në një galeri në Nikoliq, pranë sektorit të minierës, arseniku është dy herë mbi normën (39.7 mg/kg), ndërsa bakri (1975 mg/kg) gati 20 herë mbi normën. Ambienti i depozitimit të mineralit është acidik, çka rrit edhe më shumë rrezikun e lëvizshmërisë së këtyre metaleve drejt ujërave nëntokësore.
Në Vlahën, sërish në një venddepozitim mineralor ngjitur me galerinë, niveli i nikelit është 1276 mg/kg – mbi 6 herë kufirin e ndërhyrjes. Ky nivel e kthen tokën në një zonë toksike, jo vetëm për kulturat bujqësore, por edhe për biodiversitetin lokal. Bashkë me kobaltin dhe kromin e rritur, kjo përbën një ndotje të rëndë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Në Perollaj, ku ndodhet dampa e impiantit të pasurimit të kromit, përsëritet i njëjti skenar: nikel mbi 1488 mg/kg, bakër mbi kufirin e ndërhyrjes, si edhe kobalt dhe krom të rritur. Në këto kushte, çdo përdorim bujqësor apo rekreativ i tokës është i rrezikshëm për njerëzit dhe kafshët.
Marrja e kampionit dhe analiza ne vend ne rezervuarin e Golaj-Gjeologji
Prania e metaleve të rënda si kadmiumi, nikel, bakër dhe arsenik ka pasoja të drejtpërdrejta në mjedis dhe shëndetin e banorëve, nëse produktet e ndryshme bien në kontakt me to.
Përmes ujit, këto elemente lëvizin dhe përfundojnë në lumenj, në tokat bujqësore përreth dhe përfundimisht në zinxhirin ushqimor.
Ekspertët rekomandojnë monitorim të rregullt të ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore, si dhe aplikimin e metodave të pastrimit si “fitoremediacioni”, përdorimi i bimëve që thithin metalet e rënda nga toka.
Projekti GreenAL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024 – 2027”, financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/















