HIMÇI/ PD akuzon qeverinë për rritje të paprecedentë të tarifave të Kadastrës, kërkon anulimin e vendimit

Shares

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për rritjen e tarifave të shërbimeve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), duke e cilësuar atë si një “goditje të rëndë për xhepat e shqiptarëve”.

Sipas Himçit, nga një analizë e detajuar rezulton se tarifat e pothuajse çdo shërbimi të ASHK-së janë rritur me 70–80%, duke përfshirë: certifikatat e pronësisë, regjistrimet e kontratave të shitjes, dhurimit apo shkëmbimit, regjistrimin e hipotekave, lejeve të legalizimit dhe kopjeve të dokumentacionit.

Ai theksoi se ky vendim godet rëndë bizneset, individët që blejnë apo shesin pasuri të paluajtshme, avokatët dhe noterët, si dhe veçanërisht banorët e zonave rurale, të cilët paguajnë tarifa të veçanta për çdo parcelë, duke shumëfishuar kostot për familjet bujqësore.

“Në vend që të përmirësojë shërbimin, qeveria rrit çmimin; në vend që të afrojë zyrat e kadastrës në zonat rurale, detyron qytetarët të udhëtojnë dhe të përballen me zvarritje e burokraci,” – deklaroi Himçi, duke e akuzuar qeverinë se po e përdor rritjen e tarifave për të mbuluar paaftësinë dhe militantizmin brenda administratës.

Sipas tij, rritja e çmimeve është bërë pa asnjë transparencë, pa studim ekonomik dhe në shkelje të parimeve të shtetit ligjor. Ai kërkoi që vendimi të tërhiqet menjëherë, tarifat e rritura të anulohen dhe paratë e mbledhura padrejtësisht t’u kthehen qytetarëve.

“Kjo nuk është vetëm çështje tarifash, por çështje dinjiteti, ligji dhe drejtësie. Ne nuk do të lejojmë që prona e shqiptarëve të kthehet në burim fitimi për një administratë të paaftë e klienteliste,” – përfundoi Himçi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...