“Republika e Sorosit dhe kartelit” – Berisha zbulon para Amerikës fytyrën e...

“Republika e Sorosit dhe kartelit” – Berisha zbulon para Amerikës fytyrën e vërtetë të Ramës

94
0
Shares

Në një intervistë ekskluzive me gazetarin amerikan Alex Newman, ish-presidenti, ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria është kthyer në një “narko-shtet” të kapur nga krimi dhe e majta ekstreme.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama, të cilin e cilëson si “Ramaduro”, për lidhje me kartelet e drogës dhe për ushtrimin e një kontrolli total mbi drejtësinë dhe mediat.
Lideri Opozitar, Sali Berisha e quajti Shqipërinë “Republika e George Soros-it”, duke pohuar se reformat kushtetuese, gjyqësore dhe zgjedhore janë diktuar nga fondacioni i Soros, me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Berisha paralajmëroi se modeli shqiptar po rrezikon të përhapet edhe në vendet perëndimore, dhe u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të mbrojnë lirinë nga drejtësia e politizuar, censura dhe ekstremizmi i majtë.

*Alex Newman:* Mirë se vini të gjithëve në “Conversations That Matter”. Unë jam Alex Newman dhe është një nder dhe kënaqësi të jem me ju sot. Kemi një të ftuar shumë të veçantë sot për të folur për një rajon të botës që shumica e amerikanëve nuk e kanë shumë në fokus. Po flas për Shqipërinë. Kam qenë atje disa vite më parë, një vend shumë interesant, dhe sot kemi me vete ish-presidentin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha. Ai është një ikonë e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Në vitin 1992 u zgjodh presidenti i parë në mënyrë demokratike pas rënies së komunizmit. Ka qenë edhe kryeministër i suksesshëm nga 2005 deri në 2013. Nën drejtimin e tij, Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe u bë kandidate për BE. Ai ka punuar për ta afruar Shqipërinë me botën perëndimore, SHBA-në dhe BE-në.
Sot, Berisha drejton opozitën kundër regjimit aktual në pushtet, Partisë Socialiste, e cila është trashëgimtare direkte e Partisë së Punës që sundonte Shqipërinë gjatë komunizmit. Në zgjedhjet e majit 2025 ndodhën parregullsi serioze dhe tani në pushtet është Edi Rama, që kritikët e quajnë “Ramaduro”, duke e krahasuar me diktatorin venezuelian Maduro. Z. Berisha ka kërkuar që SHBA të shpallë disa nga këto kartele si organizata terroriste për shkak të ndikimit që kanë në Shqipëri.

*Alex Newman:* Z. Berisha, mirë se vini në emision. Është një nder i madh t’ju kemi sot këtu.

*Sali Berisha:* Kënaqësia është e gjitha imja. Ju falënderoj për ftesën.

*Alex Newman:* Z. Berisha, këtë javë “Fox News” botoi një artikull për situatën në Shqipëri që duket se po përkeqësohet shpejt. Ju përmendët se Edi Rama, ish-kryetari i Bashkisë Tiranë, erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve të dyshimta dhe keni theksuar rolin e George Soros në Shqipëri. Çfarë po ndodh saktësisht dhe pse duhet ta shqetësojë këtë gjë SHBA-në?

*Sali Berisha:* Që kur Edi Rama erdhi në pushtet, Shqipëria u bë i vetmi narko-shtet në Evropë. Njëkohësisht, u kthye në Republikën e George Soros-it. Rama u soll në pushtet nga bandat kriminale, dhe ai vetë vjen nga një familje ku babai i tij ka firmosur dënime me vdekje për disidentë në vitin 1988. Për të, krimi është mjet dhe ndihmë.
Në 2015, Rama lejoi mbjelljen masive të kanabisit në të gjithë vendin. Miliona dollarë u krijuan nga kjo industri ilegale, dhe shqiptarët e përfshirë në këtë aktivitet tani kontrollojnë kartele droge në Meksikë, Kolumbi, Ekuador, Bolivi. Këto kartele janë të lidhura ngushtë me qeverinë Rama. Në Shqipëri po lulëzon një ekonomi tipike e drogës, ku ndërtimi është sektori kryesor që mban “në këmbë” ekonominë, ndërsa prodhimi industrial dhe eksportet bien çdo vit.
Edi Rama ka një “koordinator kartelet” në zyrën e tij të quajtur Ergys Agasi. Porti i Durrësit është dhënë nën kontrollin e kartelit Troplini, një nga më të rrezikshmit në Evropë. Autostrada e heroinës nga Afganistani është nën kontrollin e kartelit Teli. Krimi është më i fuqishëm se shteti.
Ndërkohë, Shqipëria është edhe eksperimenti më i madh i Soros-it në botë. Në fund të 2013-s, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur në Tiranë hartoi një dokument sekret ku parashikohej reforma kushtetuese, reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore, të gjitha nën mbështetjen e Soros-it dhe Departamentit të Shtetit Amerikan. Kjo reformë në drejtësi e ktheu sistemin gjyqësor në një vegël politike të Edi Ramës.
Në zgjedhjet e fundit: tre liderë të opozitës ishin në burg, arrest shtëpie apo procedime penale. 90% e mediave janë nën kontroll të qeverisë. Zgjedhjet ishin një farsë e vërtetë. Qeveria përdori miliona euro, logjistikë, presion dhe drogë për të blerë vota.

Nga 2014 deri në 2023, 1,099,000 shqiptarë kanë emigruar vetëm drejt zonës Schengen – pa përfshirë SHBA, Britaninë, Kanadanë, etj.

*Alex Newman:* E tmerrshme. Shqipëria është anëtare e NATO-s, por duket sikur po rrëshqet drejt një diktature të stilit komunist. A është Shqipëria në rrezik real për t’u kthyer nën tiraninë komuniste?

*Sali Berisha:* Përgjigjja është, po. Në 1991, Jim Baker më pyeti nëse komunizmi kishte përfunduar. I thashë: “Jo, pluhuri i tij është shumë toksik dhe mbetet për një kohë të gjatë.” Komunistët e vjetër, ish-sigurimsat dhe organizatat e tyre morën mbështetjen më të madhe pikërisht nga George Soros. Dhe tani, kjo e majtë ekstreme po përparon edhe në SHBA. Pashë që një i majtë radikal do të bëhet kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut. Është lajm shumë i keq për ne.

*Alex Newman:* Për fat të keq po. Dhe pyetja ime e fundit, doktor Berisha: Çfarë duhet të bëjë SHBA përballë kësaj situate që nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por po përhapet në Evropë, Amerikën Latine e më tej?

*Sali Berisha:* SHBA duhet të mbrojë axhendën e lirisë. E vlerësoj që Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka dërguar një mesazh qeverisë shqiptare për të luftuar kartelet. Por kjo qeveri duhet të luftojë vetveten, sepse është një me kartelet.
Gjithashtu, duhet këmbëngulje për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e fundit ishin farsë. Drejtësia është kthyer në armë politike. Nëse një vend nuk çlirohet nga një drejtësi e politizuar dhe e përdorur për ndjekje politike, shpejt bie në diktaturë.

*Alex Newman:* Mesazh shumë i qartë dhe i fortë. Dhe për amerikanët që na ndjekin – cili është mesazhi juaj për ta?

*Sali Berisha:* Armiku më i madh i njerëzimit janë ata që përdorin drejtësinë si armë, që promovojnë censurën dhe ideologjitë neo-marksiste të gjinisë dhe të majtës ekstreme. SHBA duhet të qëndrojë si një popull i lirë dhe ta kundërshtojë këtë rrezik real për lirinë.

*Alex Newman:* A mund të ju ndjekim diku për lajmet nga Shqipëria?

*Sali Berisha:* Jam shumë aktiv në Facebook dhe TikTok, më pak në X.

*Alex Newman:* Shumë mirë. Z. Berisha, ju falënderoj që ndatë këtë informacion kaq të rëndësishëm. Ishte një nder i madh t’ju kemi në program.

*Sali Berisha:* Faleminderit shumë. Ishte kënaqësi për mua të paraqes këtë realitet të trishtë që po kalon vendi im, nën një narko-diktaturë të quajtur Ramaduro apo Edi Rama.

*Alex Newman:* Të dashur miq, ky është një paralajmërim serioz. Shqipëria është vetëm një shembull i një fenomeni që po ndodh në mbarë botën. Liria duhet mbrojtur vazhdimisht. Unë jam Alex Newman. Kjo ishte “Conversations That Matter” për The New American. Deri herën tjetër, Zoti ju bekoftë!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY