Në një botë që ka kaluar nga ekonomia e informacionit tek ajo e emocioneve dhe sot ndodhet në ekonominë e besimit, pyetja kryesore nuk është më “A është e vërtetë?”, por “A i besoj burimit?”. Kështu u shpreh ekspertja rumune e medias, Ioana Avădani, gjatë hapjes së laboratorit të përmbajtjes “Facts Content Lab” në Podgoricë, aktivitet i organizuar në kuadër të fushatës europiane “Facts Come First” nga iniciativa DG ENEST WeBalkans.
Ky takim mblodhi gazetarë, influencues, verifikues faktesh dhe krijues përmbajtjeje nga i gjithë Ballkani Perëndimor për të diskutuar ndikimin e dezinformimit në jetën publike dhe nevojën për të menduar kritik, aftësi digjitale, empati dhe komunikim të ndershëm.
“Dezinformimi është më shumë sesa përhapje e pavërtetash. Është një formë kontrolli mbi diskursin publik dhe një kërcënim për vlerat demokratike,” theksoi Raluca Costache, drejtuese e programit WeBalkans. Ajo shtoi se fushata “Faktet të parat” synon të ndriçojë të vërtetën dhe të kundërshtojë konfuzionin që sjell dezinformimi.
Pjesëmarrësit trajtuan keqkuptimet mbi procesin e anëtarësimit në BE, duke analizuar sesi media mund të ndihmojë qytetarët të kuptojnë më mirë rrugën drejt integrimit. U vu theksi tek sfidat që sjell inteligjenca artificiale, por edhe tek domosdoshmëria e empatisë njerëzore si udhërrëfyese në raportimin mediatik.
“Detyra jonë nuk është vetëm të ndalojmë të pavërtetat, por të rindërtojmë besimin te media, rresht pas rreshti, histori pas historie,” u shpreh gazetari Dejan Šajinović nga Nezavisne novine. Në të njëjtën linjë, influencuesja Xhorxhina Roci theksoi rëndësinë e sinqeritetit në rrjetet sociale dhe nevojën për të ndarë përmbajtje që bazohet në fakte dhe qëndrime të verifikuara.
Gjatë punëtorisë tre-ditore, pjesëmarrësit zhvilluan përmbajtje multimediale me qëllim luftimin e dezinformimit dhe forcimin e gazetarisë profesionale në rajon. Ata analizuan gjithashtu teknikat manipuluese si raportimi i njëanshëm dhe reklamimi nativ, që e bëjnë edhe më të vështirë ndarjen mes informacionit dhe manipulimit.
Në përfundim, Avădani nënvizoi se lufta për të vërtetën nuk është teknike, por morale: “Faktet kanë vlerë vetëm kur ekziston besimi tek ata që i sjellin ato. Pa besim, e vërteta nuk dëgjohet.” a.r
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/