Të shtunën, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një sulm të gjerë ajror ndaj Iranit në kuadër të një operacioni të koduar “Operacioni Çekani i Mesnatës” (Operation Midnight Hammer), në të cilin u përfshinë mbi 125 avionë ushtarakë, përfshirë bombardues strategjikë, avionë luftarakë, cisterna ajrore dhe njësi zbulimi. Detajet e këtij aksioni i dha të dielën Gjenerali Dan Caine, shefi i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, në një konferencë për shtyp, sipas A2 CNN.
Operacioni përfshiu shtatë bombardues B-2 Spirit, të cilët hodhën më shumë se 20 bomba të tipit Massive Ordnance Penetrator (MOP), secila me peshë 13,600 kg, mbi dy objektiva bërthamorë të rëndësishëm në Iran: Fordow dhe Natanz. Paralelisht, raketat Tomahawk u lëshuan nga anije dhe nëndetëse drejt objektivit të tretë në Isfahan.
Bombardimet nisën në orën 18:40 (ET) sipas kohës së bregut lindor të SHBA-së dhe përfunduan brenda 20 minutave, me avionët që dolën nga hapësira ajrore iraniane deri në ora 19:00, pa u përballur me rezistencë të drejtpërdrejtë, tha Caine.
Sipas tij, avionët B-2 u nisën nga një bazë ajrore në Missouri, duke kryer misionin më të gjatë të këtij tipi që prej sulmeve të 11 Shtatorit 2001.
Një element kyç i strategjisë së sulmit ishte një taktikë mashtruese: një pjesë e bombarduesve B-2 u drejtuan nga Paqësori për të shpërqendruar vëmendjen e forcave iraniane, ndërkohë që grupi kryesor, me komunikim minimal, lëvizi drejt objektivave lindorë.
“Në mesnatën nga e premtja në të shtunë, një flotë e madhe bombarduesish u ngrit nga territori i SHBA-së. Për të ruajtur elementin e befasisë, u krijua një manovër mashtruese që u njoh vetëm nga një grup shumë i kufizuar planifikuesish në Uashington dhe Tampa,” tha Caine.
Ai shtoi se në total u hodhën 16 bomba GBU-57 Massive Ordnance Penetrators, prej të cilave 2 në Fordow dhe 14 të tjera ndaj dy objekteve të tjera bërthamore. Pavarësisht intensitetit të sulmit, asnjë prej avionëve nuk u godit nga mbrojtja ajrore iraniane. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/