SONILA MEÇO/ Pasqyrat nuk janë kërcënim, veç nëse ke frikë t’i shohësh

SONILA MEÇO/ Pasqyrat nuk janë kërcënim, veç nëse ke frikë t’i shohësh

67
0
Shares

Nga Sonila Meço

Debatet që pasuan publikimin e një artikulli kritik për qeverisjen shqiptare në një nga platformat më të njohura të medias amerikane Fox News nuk kanë të bëjnë me një tekst të izoluar. Ato kanë të bëjnë me raportin që një vend ka me lirinë e shprehjes dhe vetëdijen e qartë të pushtetit se ai artikull/opinion a çfarëdo emri t’i vënë reflekton bindje përtej kokës se diplomatit Agim Nesho.

Mu bash për këtë propaganda hyri shpejt në kundërveprim dhe e orientoi reagimin publik drejt formës. Një paragraf u përqendrua nëse ai i Agim Neshos qe artikull apo opinion, një tjetër nëse autori ka histori politike e anshmëri dhe syresh të tjerë nëse platforma ka qëndrim zyrtar. Por kjo nuk është analizë. Kjo është shmangie.

Rubrika “Opinion” në Fox News, si në çdo media serioze, ka lexueshmëri masive dhe ndikim të madh politik. Vetë fakti që një shkrim kritik ndaj kryeministrit shqiptar botohet aty, tregon një alarm ndërkombëtar, jo një “keqpërdorim të hapësirës”.

Në çdo demokraci funksionale, një opinion i fortë, qoftë dhe nga një ish-diplomat, është një instrument legjitim i komunikimit politik dhe diplomatik. Aty ku sistemi është i sigurt në themelet e tij nuk ka nevojë për ta zhvlerësuar qendrimin kritik përmes etiketash, por për ta përballuar me argumente. Aty ku mungon kjo siguri, përpjekja harxhohet e gjitha për të relativizuar zërin që e thotë, jo për të dëgjuar çfarë thotë.

Ky aksion ad hoc i orientuar nga shqetësimi i pushtetit nis prej një premiseje fallco dhe mbështetet mbi një llogjikë provinciale, jo globale.
Çdo narrativë që futet në qarkullim në media si Fox News, sidomos kur ka fokus gjeopolitik dhe godet një lider aleat të NATO-s është pjesë e një zinxhiri ndikimi më të gjerë, që shpesh nuk ka zhurmë të menjëhershme. Këto nuk janë kronika banale që presin studiot e mbrëmjes për të matur efektin. Janë gërvishtje që çelin rrugë të ndriçuara në terrin informativ a propagandistik që rrethon një autokrat.

Pretendimi se një artikull ka peshë vetëm nëse krijon një efekt të menjëhershëm në kryeqytete të mëdha është keqkuptim i natyrës së diplomacisë moderne. Mendimi ndërkombëtar nuk ndërtohet me konferenca për shtyp, por me rrjedhje të qëndrueshme informacioni, perceptimi dhe opinioni. Ai nuk formësohet vetëm nga zyrat, por edhe nga opinione të tilla që pastaj përmblidhen në brief-e, raporte, memo, apo takime të mbyllura. Një term i ri, një metaforë goditëse, një analizë që qarkullon në medium të madh, janë shpesh më ndikues sesa çdo fjalim zyrtar.

Ndërsa argumenti se opinioni i publikuar nga Fox News paralajmëron për “ndikim negativ në integrimin europian”, e përdor nocionin e “interesit kombëtar” për të heshtur zërat kritikë. Sipas kësaj logjike, çdo kritikë ndaj qeverisë në media ndërkombëtare është sabotim. Kjo është pikërisht mendësia autokratike që Nesho e denoncon.

Në një shtet të kapur, ku mediat janë të dominuara nga klientelizmi, pro pushtetit (siç e thotë çdo raport ndërkombëtar edhe së fundmi) e vetmja mënyrë për të nxjerrë në dritë të vërtetat e ndaluara është përmes mediave ndërkombëtare.

Një opinion i botuar në një media me lexueshmëri të lartë nuk është vetvetiu fakt, por është një sinjal. Dhe kur sinjali lexohet me nervozizëm, çfarë konfirmohet nuk është gabimi i autorit, as parëndësia e tij, por ndjeshmëria e sistemit ndaj asaj që po ekspozohet.

Nuk ka rëndësi nëse reagimi vjen nga një gazetë apo një qeveri. Nëse përpjekja bëhet për të zhvlerësuar mesazhin përmes reduktimit të figurës, kjo tregon më shumë për klimën e brendshme sesa për vlerën e shkrimit. Narrativa të tilla nuk përçajnë Shqipërinë, përkundrazi. Ato zbulojnë se sa e përçarë është ajo tashmë. Dhe kjo nuk është përgjegjësi as e Fox News e as Neshos, që publikon në një medium të kësaj rëndësie, por e atyre që duan të fikin çdo dritë jashtë kontrollit të tyre.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY