
Ish-presidenti Ilir Meta në një deklaratë të gjatë për mediat, Meta e cilësoi të gjithë hetimin si të motivuar politikisht dhe të orkestruar nga kryeministri Edi Rama dhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Ai u shpreh se nuk mban përgjegjësi për veprimet e askujt tjetër, përveç vetes.
“Në respekt të qytetarëve, të cilëve u kam shërbyer edhe si President i Republikës, edhe si Kryeministër, edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe në funksione të tjera ekzekutive dhe parlamentare, distancohem me neveri nga dizinformacionet e shpërndara dhe të rrjedhura në media me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit, për gjoja episode të reja të çiftit Meta-Kryemadhi,” tha Meta.
Ai ironizoi faktin që akoma konsiderohet si pjesë e një “çifti”, ndërkohë që, sipas tij, divorci me Kryemadhin ka një vit që është zyrtarizuar. Madje, ai akuzoi se edhe në aktin zyrtar si i pandehur, SPAK i kishte referuar ende si të martuar.
Meta mohoi çdo përfshirje në veprime të paligjshme, duke komentuar edhe akuzat e fundit për përdorim të kartave të huaja.
“Asnjë akt i paligjshëm, as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër. Opinioni publik do ta shohë këtë gjatë gjykimit në themel…,” tha ai.
Ai e bëri të qartë, “Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër. As për fëmijët e tij madhorë, të cilët i ka këshilluar të respektojnë ligjin, e aq më pak për kushërinjtë. Siç e dini, një prej tyre ishte mik me Charles McGonigal, iniciator i hetimeve ndaj meje me kërkesë të Ramës.”
Ndërkohë, sipas burimeve nga hetimet e SPAK, është zbuluar një episod i ri që i atribuohet çiftit Meta–Kryemadhi, i cili përfshin përdorimin e një karte të dytë bankare, të vënë në dispozicion prej biznesmenit Adrian Shatku. Kjo kartë dyshohet se është përdorur për shpenzime të ndryshme nga Meta dhe Kryemadhi, ashtu si karta e mëparshme e tipit “American Express” që sipas dosjes së SPAK ishte gjithashtu lëshuar nga i njëjti biznesmen.
Gjithashtu, burimet nga SPAK thanë se janë zbuluar të dhëna të reja në lidhje me pagesat e lobimit të ish-LSI, për të cilat janë në pritje të saktësimeve përmes letërporosive ndërkombëtare. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/