Dëshmitë tronditëse: Erion Alibej zbulon detaje nga ekzekutimi të Bujar Çelës, Emiliano...

Dëshmitë tronditëse: Erion Alibej zbulon detaje nga ekzekutimi të Bujar Çelës, Emiliano Ramazanit dhe Klevis Kapllanit – përplasje me Xhuliano Hoxhën

85
0
Shares

Erion Alibej

Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Plumbi i Artë” ka nxjerrë në dritë rrëfime tronditëse nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej, në lidhje me disa nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit, mes tyre vrasjet e Bujar Çelës, Emiliano Ramazanit dhe Klevis Kapllanit. Seanca u shoqërua me përplasje verbale mes Alibejt dhe të pandehurit Xhuliano Hoxha, i cili hodhi poshtë akuzat dhe zbuloi edhe detaje personale për Alibejn.

Vrasja e Emiliano Ramazanit – Alibej: Donim t’ia faturonim Bujar Çelës

Në dëshminë e tij, Alibej rrëfeu se vrasja e Emiliano Ramazanit, e ndodhur në korrik 2020 në Elbasan, ishte planifikuar për t’iu faturuar Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës. Ai tha se u përpoqën të vendosnin armën e krimit në banesën e Çelës për ta implikuar.

“Pas vrasjes së Emiliano Ramazanit, diskutova me Nuredinin që armën e krimit ta vendosnim tek shtëpia e Bujar Çelës. Doja që në një qese të prekur nga Bujari të fusnim armën dhe ta groposnim atje, pastaj do lajmëronim policinë përmes Leonard Palushit. Por nuk e realizuam dot, ndaj vendosëm ta ekzekutonim”, deklaroi Alibej.

Ai shtoi se për këtë u angazhuan Henrik Hoxhaj (“kusho”) dhe Skerdi Tase (“nipi”).

Vrasja e Bujar Çelës – “Çunat e Fushë-Krujës” dhe Dumani e qëlluan

Për ekzekutimin e Bujar Çelës, Alibej tha se u përdor një makinë “E-Class”, e sjellë nga Enver Diva dhe Besmir Xhixha, të cilët i cilësoi si “çunat e Fushë Krujës”. Fillimisht, sipas tij, kanë qëlluar ata dhe më pas Nuredin Dumani.

“Tek kafja në fillim kanë qëlluar çunat e Fushë Krujës, më pas ka qëlluar dhe Nuredini. Pasi ndodhi, Nuredini më njoftoi: ‘Mbaroi Bujari’. Më pas makina u dogj dhe ata ikën në Fushë Krujë”, tha Alibej, duke shtuar se ishte informuar edhe nga një oficer policie për ngjarjen.

Ai përmendi gjithashtu se kishte akses në radiot e policisë dhe kishte lidhje me një oficer me emrin Agim Lleshi.

Xhuliano Hoxha përplaset me Alibej: “Nuk kam lidhje me ngjarjet”

Deklaratat e Alibejt u kundërshtuan ashpër nga Xhuliano Hoxha, i cili pretendoi se në kohën e vrasjes së Bujar Çelës ai ka qenë në burg dhe nuk ka lidhje me ngjarjen.

“Unë kam qenë në burg kur u vra Bujar Çela. Procesi ynë është i padrejtë, po manipulohet. Gjyqi zhvillohet siç do Dumani dhe Alibej. Më shumë se burg përjetë nuk keni çfarë më bëni”, tha Hoxha me tone të ashpra.

Në një moment, Hoxha iu drejtua Alibejt duke i thirrur:

“O Tommaso Buscetta, je i sigurt që ke folur me mua?”
Duke krahasuar Alibejn me mafiozin italian që u bë bashkëpunëtor i drejtësisë.

Dëshmi për vrasjen e Klevis Kapllanit

Alibej foli dhe për vrasjen e Klevis Kapllanit në Rrogozhinë, duke deklaruar se ky i fundit punonte si shofer i Nuredin Dumanit dhe se “çunat e Fushë-Krujës” e gjetën të ekzekutuar në rrugë.

“Çunat e Fushë Krujës nuk i kisha parë asnjëherë. Me ta flisja vetëm në SKY. Klevisi punonte si shofer i Dumanit, me një Audi A6. E gjetën të vrarë dhe na njoftuan të parët,” deklaroi Alibej.

Detaje personale: Hoxha zbulon lidhjen e Alibejt me Megi Kilën

Në një moment të seancës, Hoxha kërkoi që të zbulohej roli i një vajze me emrin Megi Kila, të cilën e cilësoi si “dashurinë e shekullit” për Alibejn.

“Tregoje pak si e pyesje Megi Kilën për Emiljano Ramazanin? Pse nuk e përmend Megi Kilën? Ky merrte informacion prej saj,” akuzoi Hoxha.

Pagesa dhe arrestimi – 60-70 mijë euro në Vorë

Alibej rrëfeu gjithashtu se ka dorëzuar një shumë të konsiderueshme parash, të cilën ia kishte dërguar “çunave” ose Nuredin Dumanit në një karburant në Vorë.

“Kam dërguar 60-70 mijë euro. Nuk mbaj mend nëse i morën çunat apo Nuredini. Të nesërmen, e pashë nga kamerat që po vinte policia. U arrestova dhe prej asaj dite jam në burg,” tha ai.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY