PD denoncon procesin e votimit nga jashtë: Zarfet në Greqi u dorëzuan në “tabachino” dhe jo sipas kontratës me DHL
Partia Demokratike ka ngritur sot një tjetër denoncim publik lidhur me procesin e votimit nga jashtë për zgjedhjet e 11 majit, duke akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe konkretisht kreun e saj Ilirjan Celibashi për devijim nga zbatimi korrekt i kontratës me kompaninë postare DHL.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, ka reaguar ndaj deklaratës së Celibashit në konferencën e 10 qershorit, ku ai e cilësoi procesin e votimit nga jashtë si “model”.
“Fotot që kemi marrë nga qytetarë shqiptarë që jetojnë në Greqi tregojnë qartë se zarfi i votimit është tërhequr dhe dorëzuar në ambiente që nuk përmbushin asnjë standard të kontratës me DHL, përfshirë magazina që shesin cigare, të njohura ndryshe si ‘tabachino’,” u shpreh Vangjeli.
Sipas saj, këto fakte tregojnë një cenim të rëndë të integritetit të procesit, ndërsa shtoi se në vend që të vërtetohej dorëzimi i çdo zarfi pranë votuesit, siç parashikohet në kontratën nr.1358/20 të lidhur më 4 prill 2025 mes KQZ-së dhe DHL-së, praktika ka qenë erësisht tjetër.
PD kërkon përgjigje edhe për vendet e tjera ku u zhvillua votimi nga jashtë, si Italia, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, ku sipas saj nuk ka asnjë provë që DHL ka dorëzuar zarfin në adresë të votuesit.
Vangjeli theksoi se përgjegjësia e KQZ-së nuk mbaron me përzgjedhjen e një operatori “me reputacion dhe me kosto të ulët”, por përfshin edhe zbatimin e plotë të kontratës, menaxhimin e fondeve publike dhe marrjen e masave ndaj çdo shkeljeje.
“Meqenëse kontrata është ende në fuqi, KQZ duhet të ndërmarrë menjëherë masat ligjore ndaj përgjegjësve për moszbatimin e saj. Nuk mund të pranohet që një proces kaq i rëndësishëm si votimi nga jashtë të reduktohet në një praktikë të papërgjegjshme dhe të paqartë,” përfundoi zëdhënësja e PD. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/