Në kuadër të mega-procesit gjyqësor “Plumbi i Artë”, ka vijuar sot në SPAK dëshmia e Erjon Alibejt, bashkëpunëtor i drejtësisë, i cili ka rrëfyer me detaje përfshirjen e tij në disa ngjarje kriminale dhe marrëdhëniet me personazhe kyç të botës së krimit.
“Paguajta 100 mijë euro për vrasjen e Dorjan Shkozës”
Alibej deklaroi:
“Për Dorjan Shkozën kam paguar 100 mijë euro. Nga ‘Hoxha’ janë blerë disa armë, varionin çmimet nga 500, 1000 deri në 3500 euro. Nuk e di fiks, sepse kontaktet me ‘Hoxhën’ i kishte Sander Baho.”
Takimet dhe bisedat me Nuredin Dumanin
Ai shtoi se me Nuredin Dumanin ishte në kontakt të vazhdueshëm:
“Me Nuredinin jam takuar pas vrasjes së vëllezërve Haxhia. Henrik Hoxhën nuk e njihja personalisht, vetëm kam dëgjuar që kishte pseudonimin ‘Kusho’, edhe ‘Nipi’, që i drejtohej Klevis Allës. Me Nuredinin flisja për Talo Çelën, që pas vrasjes së Dorjan Shkozës do dilte apo jo. Gjithashtu vijoja investigimin për Altin Ndocin, ai shkonte shpesh në Durrës te vëllezërit Haxhia.”
Komunikimet në SKY ECC dhe roli i të tjerëve
Alibej theksoi:
“Në SKY ECC më shkruante Plarent Dervishi, kam pasur kontakt me të. Ai kishte kodet ‘Barcelona’ dhe ‘Gost’. Plarenti më tha: ‘Më bëhet qejfi që e ke gjet Talo Çelën’. U habita si e dinte, por pastaj u kujtova që kishte shumë muhabet me Festim Qolin.”
Ai rrëfeu gjithashtu se kishte një makinë të vjedhur tip Toyota, të cilën e kishte blerë në Shijak dhe më pas ia kishte dorëzuar Nuredinit, së bashku me armët, te pazari i Rrogozhinës.
Pagesa dhe siguria ndaj Dumanit
“Nuredini kërkoi edhe 50 mijë euro të tjera. Ia çova me një mikun tim dhe i dërgova gjithsej 150 mijë euro për të vijuar. Këtë e bëra që të shihte që kisha lekë dhe të më kishte besim.”
Armët për vrasjen e vëllezërve Haxhia
“Për vrasjen e vëllezërve Haxhia, i kam dhënë Nuredinit dy kallashë dhe një pistoletë, mesa kujtoj. Çfarë më kërkonte, ja jepja. Armet ia dhashë bashkë me makinën. Plani ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhiun, jo Viktorin.”
Ai shtoi:
“Doli lajmi në TV që u gjet e braktisur Toyota. I thashë Nuredinit pse kishte shenja gjaku në makinë. Më tha se kishin gjuajtur me xhama të mbyllur dhe nga copëzat ishte lënduar ‘Kusho’. Më pas u shoqërua ‘Nipi’ në polici dhe Nuredini më tha: ‘Më duket se ky po flet’. E mori vesh nga komshinjtë, nga ‘Miri i Pojës’, që e kishte mik.”
Ngjarje të paqëllimshme dhe tentativa të tjera për atentate
Sipas Alibejt, viktima Viktor Haxhia ka qenë rastësisht në makinë:
“Në makinë ka qenë edhe Altin Ndoci, por ka zbritur rrugës. Ata nuk e kanë ditur që ishte Viktori në makinë, kanë menduar se ishte Altini. Diskutoja me Nuredinin për varrimin e vëllezërve Haxhia, pasi mund ta ekzekutonim Altinin atë ditë. Unë isha pro, por nuk u arrit, pasi ai nuk shkoi në varrim.”
Uniforma të rreme policie nga Kukësi
Alibej tregon për një mik të tij në Kukës, Bujar Germizin:
“I thashë Nuredinit nëse kishte nevojë për disa veshje si të OFL-së. Më tha po. Dhe nga Bujari mora disa veshje si të policisë, jelekë dhe këpucë me mbishkrimin ‘OFL’. Janë bërë në Kosovë, unë i mora në Kukës dhe ia dhashë Nuredinit.”
Strehimi i Dumanit pas vrasjeve
Në fund, Alibej tregoi se pas vrasjes së vëllezërve Haxhia kishte dëgjuar se Talo Çela qëndronte te shtëpia e tyre:
“Kur mësova nga TV që Klevis Alla po nxirrte emra, Nuredini u shkëput dhe rrinte në Spille te vjehrra. Ai nuk e dinte nëse po flitej për të, pasi i shkoi dhe policia në banesë. Por ai kishte ikur. Flisja gjithmonë me të në SKY ECC.” a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/