Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur të rinumërojë të gjitha kutitë e votimit të qarkut Fier, pas vendimit të mëparshëm për Tiranën. Bëhet fjalë për 587 kuti, të cilat do të rinumërohen për votat e partive dhe kandidatëve në zgjedhjet e 11 majit.
“Me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, i kërkohet administratës që, pas përfundimit të procesit në Tiranë, të fillojë menjëherë me këqyrjen e kutive të qarkut Fier, ashtu siç vepruam me kryeqytetin,” u shpreh anëtari i KAS, Elvin Lako. Ai shtoi se data dhe ora e seancës së radhës do të përcaktohen në varësi të përgatitjeve logjistike të administratës së KQZ-së.
Në Fier votuan rreth 200 mijë qytetarë, ndërsa të gjitha fletët e votimit do të numërohen për herë të dytë – si për subjektet zgjedhore, ashtu edhe për kandidatët.
Me vendimin për Fierin, numri i kutive që do të rihapen në rang kombëtar ka shkuar në 1,914 nga 5,225 gjithsej. Partia Demokratike ka këmbëngulur se në këto kuti gjenden prova të manipulimit të zgjedhjeve, duke e quajtur procesin një “masakër zgjedhore”. Megjithatë, kutitë e rinumëruara deri më tani nuk kanë treguar devijime të rezultatit përfundimtar.
PD ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre, ndërsa KQZ vazhdon punën me verifikimin e të dhënave zgjedhore, qark pas qarku. m.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/