Një aksion i papritur i zhvilluar paraditen e sotme nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), rajoni Elbasan-Korçë, ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme droge në pikën doganore të Kapshticës. Sipas burimeve për Syri.net, bëhet fjalë për rreth 6 kilogramë heroinë, e cila është kapur gjatë një kontrolli të detajuar ndaj një automjeti që po tentonte të kalonte kufirin.
Burimet bëjnë të ditur se disa persona janë ndaluar, ndërsa hetimet paraprake tregojnë për një dyshim serioz mbi përfshirjen e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të strukturave doganore në këtë ngjarje. Këta persona dyshohet se mund të kenë ndihmuar në kalimin e lëndës narkotike duke lehtësuar hyrjen ose daljen e saj nëpërmjet pikës kufitare.
Aksioni, i konsideruar si një nga goditjet më të mëdha të muajve të fundit në zonën juglindore të vendit, është iniciuar pas informacioneve të siguruara nga agjencitë partnere ndërkombëtare, të cilat kanë shtuar ndjeshëm monitorimin në terren për shkak të dyshimeve të forta se disa struktura të policisë dhe doganës shqiptare jo vetëm nuk kanë bashkëpunuar, por kanë tentuar të sabotojnë aksionet kundër trafikut të drogës.
AMP ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar, ndërkohë që hetimet vijojnë me intensitet të lartë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë, përfshirë zyrtarë që mund të kenë abuzuar me detyrën. Pritet që në orët në vijim të ketë komunikim publik dhe ndoshta arrestime të tjera në kuadër të hetimeve të thelluara. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/