Rama, vizitë në biznesin fason: Rritja e pagave kushtëzohet nga hyrja në...

Rama, vizitë në biznesin fason: Rritja e pagave kushtëzohet nga hyrja në BE. Nëse nuk i rrit, e marr pagën në vend tjetër

243
0
Shares

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot një biznes fason në Tiranë. “DBS Group”, është një nga katër kompanitë më të mëdha në Europë në tregun global të veshjeve sportive, ku Shqipëria, e cila përbën një nga bazat kryesore të grupit, po kthehet në qendrën e tij.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot mjediset e fabrikës me 800 të punësuar, ku punohet sipas standardeve europiane në shtatë departamente të ndryshme, për prodhimin e veshjeve të sportit profesionist për tregun europian.

Kemi 12 vjet që jemi në Shqipëri. Jemi prezent në shumë vende të Evropës Lindore. E kemi transformuar Tiranën në kryeqendër, fabrika më e madhe është në Shqipëri. Kemi të punësuar gati 800 persona. Jemi pjesë edhe e një projekti me Universitetin e Sorbonës. Këtu klienti shikon në kohë reale çfarë po ndodh me një produkt të caktuar, me linjën e vet. Produktiviteti është nivel shumë të kënaqshëm. Çdo gjë është Made in Albania. përveçkësaj kemi dhe prodhimin tonë që e shesim prej dy vitesh në Amazon.” tregoi drejtuesi i fabrikës.

Në këtë kompani trajtimi dinjitoz i punonjësve është prioritet, duke nisur që nga pagat mbi nivelin mesatar të sektorit të prodhimit, bonuse tw ndryshme, ashtu edhe sa i përket kushteve optimale të punës, me procese të digjitalizuara.

“Sot është fabrika që është më shumë e digjitalizuar në një sektor që është i bazuar në fuqinë punëtore. Këtu çdo punonjëse mbush një arkë, nëse ajo arkë mbushet me numrin e caktuar, duhet t’i kalojnë një kartë dhe këtu tabela jep rezultatet për gjithë linjën e prodhimit. 

Pagat e punëtorëve janë mbi nivelin mesatar të sektorit të prodhimit. Këtu nuk ka asnjë punëtor që paguhet më pak se 500 mijë lekë të vjetra, neto dhe paga mesatare është mbi 700 mijë lekë, ndërkohë që kanë dhe një sistem shumë të mirë të bonusit dhe të ecjes në karrierë. Është shumë e rëndësishme që ta kenë këtë siguri punonjësit, në radhë të parë që të kenë kushte të mira pune dhe gjithashtu është e rëndësishme pjesa e eficensës.sektori i fasonit, i prodhimit të tekstileve në vitet e fundit ka pasur një problematikë që ka qënë çështja e euros, pra me rritjen ekonomike leku është fuqizuar, euro është dobësuar dhe gjithë eksportuesit e kanë ndjerë këtë, ndërkohë sot jemi në një fabrikë që ka 800 të punësuar që pagat i ka mbi mesatare dhe mbi pagat minimale dhe vetëm se ka automatizuar proceset, dhe ndjek një sistem eficient, ka arritur që të kursejë 11 % të kostove të veta që kjo në para, përkthehet në 20 mijë euro në ditë më pak shpenzime vetëm prej automatizimit.” – u shpreh Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj.

Pasi vizitoi mjediset e fabrikës, Kryeministri Rama u takua me punonjës dhe stafin drejtues të kësaj kompanie: 

“Është vërtet kënaqësi dhe krenari që të vizitosh këtë realitet që kundërshton të gjithë ata zëra, të cilët në një moment të caktuar, qoftë nga brenda industrisë, material porositësi, qoftë nga jashtë vunë kujën që forcimi i lekut ishte fundi i kësaj industrie, të gjithë do dilnin pa punë, etj, etj”, sepse ky realitet tregon që ajo çka ne e kemi mbajtur qëndrim qysh në krye të herës është e vetmja rrugë, rritja e cilësisë, rritja e kapaciteteve konkurruese dhe harrimi i historisë së vjetër, që krahu i lirë i punës është avantazh konkurrues në botën e sotme. 

Që të kesh në këtë industri vajza, siç unë shoh këtu me shumë kënaqësi të reja, që punojnë një punë që është e automatizuar, është e pastër, por nuk është e lehtë do të thotë që t’ju garantosh atyre të drejtat dhe njëkohësisht t’i garantosh edhe një fitim të arsyeshëm. 

Nuk mundet dot që brezi i ri të ulet tek makina qepëse, njësoj siç u ulën në fillim nënat e tyre, kur realisht luftohej për bukën e gojës, nuk mundet dot. Atëherë përgjigja është ekzaktësisht kjo përgjigje që jep kompania këtu, e cila ka bërë hapa të jashtëzakonshëm impresionues, por ka krijuar një shembull pozitiv domethënës për këdo që në këtë industri, ose edhe në tërësi në sipërmarrjen shqiptare, do të kuptohej se si mund të lidhen bashkë, suksesi ekonomik financiar me cilësinë e jetës së punonjësve. 

Sipërmarrësit shqiptarë në shumë vite investuan shumë më tepër për godinat dhe për makinat, se sa menduan për punëtorët. 

Sot ka një kthesë të rëndësishme, edhe për faktin që e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë dita, ditës edhe më shumë, që nuk shkon dot më përpara me shfrytëzimin e krahut të punës. Duhet krahun e punës, jo ta shfrytëzosh, por ta motivosh dhe ta mirëmbash. Kështu që, në këtë aspekt është vërtetë impresionuese mbresëlënëse, kjo që ndodh këtu. Po ashtu,sikundër ka dhe një element tjetër, unë e thashë pak me të qeshur në fillim, po është shumë serioz si element dhe shumë për t’u admiruar që kompania është provë e gjallë e faktit që respektimi i ditëve të pushimit për punonjësit është rentabilitet, është rritje e cilësisë dhe rritje e efektivitetit në punë. Nuk mund të mbash pa pushim, ne kemi bërë një plan masash shumë të rrepta për respektimin e ditëve të pushimit.

Dhe e fundit që kam është që kjo kompani, me qendërzimin e aktiviteteve të veta këtu edhe pse ka disa degë në disa vende që janë vende të BE dhe me strategjinë për ta kthyer Shqipërinë në një hapësirë ku të mbledhë të gjithë produktet nga të gjitha vendet e tjera për t’i çuar në Europën Perëndimore, na jep një provë shumë të qartë të avantazhit që ka Shqipëria, një avantazh strategjik, të cilin ne po mundohemi ta mbështesim me infrastrukturë, me portet, me aeroportet, me rrugët, me hekurudhat. Ndërkohë që, hapi tjetër i futjes në BE do ta bëjë dhe më të lehtë për kompaninë si kompani europiane që të rrisë kapacitetet e veta, të rrisë fitimet e veta dhe pa diskutim të rrisë detyrimisht dhe mbështetjen financiare tuajën. 

Të gjithë punonjësit e Shqipërisë duhet ta dinë se momenti i hyrjes në BE ndryshon menjëherë edhe pagat, automatikisht. Sepse bëhet shumë më e lehtë për të gjitha ju ose për këdo që të shkojë dhe të thotë nuk ma bën ti mua pagën kaq, po mirë po shkoj po e marr në Irlandë po them kot. Sepse duke u bërë anëtar të BE jemi njësoj si të thuash sot nuk ma jep dot këtë pagë këtu, po shkoj po e marr në Durrës po themi ose po shkoj po e marr në Korçë. Meqë ra fjala, kam dëgjuar historinë e Korçës ku keni hapur një degë me rreth 200 punonjës dhe është bërë si barsoletë atje në Korçë se thoshin që “ec kanë ardhur ca kanë hapur një fabrikë dhe paguajnë dhe ditët kur je me raport”. I dukej si çudi. 

Siç sot për të shkuar në Korçë, për të shkuar në Durrës apo për të shkuar në Shkodër nuk ka nevojë as t’i kërkosh leje njeriu, as të thotë njeri ku po shkon, nesër e njëjta gjë do jetë brenda atij perimetri të madh të BE. 

I vetmi problem që unë shoh këtu është që presidenti nuk ka mësuar shqipen si duhet edhe juve duhet të merrni përsipër t’ia mësoni presidentit shqipen. Kështu që, duhet ti caktoni gjithë këtyre zonjave një kalendar dhe presidenti sa herë të vijë nga zonja në zonjë të mësojë : A,B,C,D 

Shumë faleminderit edhe një herë tjetër dhe cdo të mirë të gjithave ju dhe familjeve tuaja.u shpreh Kryeministri. r.q

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY