Deputeti dhe drejtues i Djathtas 1912, Enkelejd Alibeaj, është tërhequr nga rekursi i bërë në Gjykatën e Lartë, për vulën dhe logon e PD, pasi Rithemelimi i rimori ato përmes një vendimi të Apelit.
Rekursi lidhet me vendimin e parë për vulën dhe logon e PD dhënë nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Agron Zhukri. Alibeaj pohoi se “tashmë kanë ndryshuar pozitat, ndaj ka marrë dhe këtë vendim”, deklaroi Alibeaj.
Sipas tij, rekursi është bërë në kohën kur ai ka qenë nënkryetar i PD (PD zyrtare), por tashmë ka krijuar një forcë të re politike, Djathtas 1912, në këto kushte sipas tij kur edhe është regjistruar në zgjedhje me një subjekt të ri, nuk ka më vlerë ligjore rekursi i bërë në Gjykatën e Lartë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ish kreu i PD, Lulzim Basha e akuzoi Alibeajn për presion në mënyrë që të pranonte kushtet e tij për të qenë në koalicionin Djathtas për Zhvillim, në të kundërt tërhiqej nga rekursi për logon.
Alibeaj deklaroi në vijim se nuk ka asnjë tagër ligjor për të kërkuar diçka nga partia e Sali Berishës dhe për këtë arsye ka hequr dorë nga ai rekurs.
“Sa kohë që isha te PD e kam bërë këtë betejë ballazi, ndërkohë që jam tek “Djathtas 1912” juridikisht jam në një tjetër pozicion. Nuk kam asnjë kapacitet ligjor për të kërkuar diçka nga partia e Sali Berishës dhe për këtë arsye akti juridik dhe politik është ky i sotmi; heqja dorë nga ai rekurs. Kur kam filluar betejën me Sali Berishën kam filluar vetëm nuk kam pyetur askënd”, u përgjigj Alibeaj gjatë një interviste në A2CNN
Alibeaj tha se nuk i është lutur për koalicion Bashës.
“Asnjëherë…kurrë. Termat e kërcënimit e shantazhimit t’i marrë mbrapsht. Kam fytyrë e identitet. Nuk kërcënoj dhe shantazhoj askënd. Nuk jam i kësaj politike. Që në dhjetor i kemi ofruar një platformë me zotin Shehi, i është ofruar edhe shumë të tjerëve . Nuk i është lutur askush. Një gjë i është bërë i ditur që sa kohë do të regjistrohemi në zgjedhje, betejat do t’i bëjmë me Berishën në fushëbetejë politike, jo duke u zvarritur gjyqeve”, tha Alibeaj në A2CNN. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/