SONILA MEÇO/ E kështu mediokri zgjedh mediokrin, servili servilin

SONILA MEÇO/ E kështu mediokri zgjedh mediokrin, servili servilin

243
0
Shares

Nga Sonila Meço

“Thuja rini këngës, që di ti!”. E tha mor e tha, po sulltani do tallava.

Nuk është as personale e as çështje bindjesh të të pataksë mënyra se si disa të rinj të këtij vendi të shpopulluar i aviten politikës, sidomos asaj, që konsumon më shumë pushtet.
Nuk më shqetësojnë fjalimet publike, se mes tyre kishte edhe ndonjë syresh të tretshëm, por më trishton fakti i zgjedhjes për të hyrë në politikë nga dera më e dërrmuar, më e diskretituar, më e dëmshme dhe e rrezikshme me ndërgjegje të plotë, pa e sfiduar kurrë as dyshimin e as nevojën për servilosje. Se për rebelimin ngjajnë shumë të moshuar.

Dhe e përsëris, fjalimet mund të jenë edhe të përsosura, asnjë vështirësi më për këtë; me qindramijra janë fjalimet e gatshme në prezantimet publike të platformës TED, ku gjen çfarëdo teme, ideje, thëniesh, që të shkaktojnë efekt të menjëhershëm.
Mjafton të shkruash dy fjalëkyçe në GhatGPT apo “Write for Me” dhe merr të gatshme fjalime, ese, ide, përkthime nga më të larmishmet, prekëse, madhështore, goditëse, mbresëlënëse… e kësisoj shqiptari të mallëngjehet nga ansambli i folësve rioshë në forumin e pushtetit sikur të jetë akademi filozofësh, shkrimtarësh e mendimtarësh të mëdhenj.
Po mund të ketë edhe të rinj me ide brilante, nuk po i hyj kësaj.
Ndaj mënjanë fjalimet e të rinjve në forumin partiak.

Ajo, që të bën të gajasesh se nuk qan dot është fakti se po përdoren kaq pa rebelim e kundërshti duke menduar se jo vetëm po mahnisin gjindjen, por arritën në shtegun më të afërt të kulmit të karrierës. Ndonjë i ri aty beson verbërisht se hyn në listën e sigurt të kandidatëve për deputet. Ndonjë tjetër pas fjalimit i ka çuar me siguri entuziast dhe në delir sms prindërve: “Urojeni zv. Ministrin e ri të Arsimit dhe Sporteve!”

Si mund t’u besosh atyre të rinjve se do bëjnë ndryshimin me fjalime patetike, kur karshi kishin njeriun-parti, njeriun-shtet, të gjithëpushtetshmin, që listën e deputetëve të qarkut ku bën pjesë vetë e ka në shumicën më të madhe në burg.

Ai, që listat për deputetë i siglon pasi janë krehur e stolisur më parë nga krimi i organizuar. Ai, që shumë të rinj, që i duartrokiste dikur nën avuj deliri kur i serviloseshin plot patos me përbetime për besnikëri të përjetshme i ka o pas hekurave, o nën hetim për korrupsion, o të përjashtuar. Ai, që miqtë më të besuar e të afërt i ka në arrati, në qeli, gati për burg, ose në përgjimet e Sky/Encro duke bërë pazare me bandat kriminale.

Ai, që nën qeverisjen e tij e çoi arsimin shqiptar në vendin e fundit në PISA dhe ndër të fundit në rankimet botërore. Ai, që nën qeverisjen e tij shënoi rekord mbyllje shkollash prej ikjes masive të prindërve në emigrim, mbyllje degësh të rëndësishme studimi dhe zhvlerësoi diplomat shqiptare. Ai, që detyron prindërit tuaj, të marrin borxhe për 3 breza, që të mund t’ju mbulojnë shpenzimet marramendëse për një student ekstrakomunitar në një shkollë të hajrit në ndonjë vend të BE-së e që ta uron me dhimbje në shpirt të qendrosh e rehatohesh andej. Ai, që në vend të shesheve sportive, qendrave kulturore rinore dhe parqeve ngriti kulla monstruoze, ku prindërit tuaj të ndershëm nuk shlyejne dot as një garsionerë për dy dekada.

Ai, që ndërtoi një reformë në drejtësi, që prindërve tuaj dhe juve do t’ju duhen 20 vjet e mijra euro varavingo, që të gjeni të drejtën. Ai, që plazhin ku mund të argëtoheshit falas, ose lirë me shokët e klasës jua bëri o të shtrenjtë, o të pashkelshëm. Ai, që me filozofinë e tij ekonomike e mjedisore, jua ka bërë ajrin ndër më të ndoturit në Europë, ujin të papijshëm, prodhimin vendas të pamundur.

Ai, që ngriti patronazhimin mbi meritokracinë si kriter punësimi, suksesi e përmbushjeje në jetë. Ai, që e ka neveri në thelb zellin tënd prej rioshi militant, sepse partinë, politikën dhe elitën në demokraci i urren. I duhesh ti sa për kronikën e radhës në mediat, që ka kapur për të krijuar armatën e servilëve, të mpirëve, të shantazhueshmëve, të frikësuarve në sulltanatin e vet. Sepse ai është gjenerali i ushtrisë së idiotëve të dobishëm, delirantëve mercenarë, mediokërve pa shpirt dhe servilave pa shtyllë kurrizore, që megjithëse e dinë se konkurenca për lëpirje është shumë herë më e lartë se ajo për dinjitet, e kanë më të thjeshtë të nënshtrohen se të rezistojnë.

E kështu mediokri zgjedh mediokrin, servili servilin, derisa i fundit i idiotëve të dobishëm të zgjedhë pashmangshmërisht një të mençur…nga ata që duan e dinë ta bëjnë këtë vend. Por gjer atëherë ju kanë ikur vitet më të bukura të jetës. A ia vlen me çdo çmim nënshtrimi?

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY