Raporti i ftohtë me kryeministrin Edi Rama është shpjeguar sot nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë të gjatë dhe shterruese ne Debat në A2CNN me gazetaren Alba Alishani.
Akujt e ngrirë në raportin personal midis tij dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, për Albin Kurtin nuk duhet të merren edhe aq në konsideratë, nëse sheh nivelin e bashkëpunimit në terren midis dy qeverive dhe suksesin e 58 marrëveshjeve të firmosura sugjeron kryeministri Albin Kurti.
“Ne për këto tre vite i kishim dy mbledhje të përbashkëta të qeverive. Unë mendoj se duhet ti kishim së paku 3 mbledhje. Kemi bërë 58 marrëveshje bilaterale që janë zbatuar shumë mirë. Kemi hapur 26 vendkalime kufitare për rreth 200 mijë banorë në të dy anët e kufirit. Kemi bërë tregun e përbashkët energjetik ALPEX. I kemi dy zyra doganore të Kosovës në Porto Romano dhe në Durrës. Kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhën Prishtinë-Durrës, që me gjasë përfshin një segment jetik për aspektin historik kulturor të kombit shqiptar, e që është ai Gjakovë-Shkodër.”
Edhe pse nuk janë kursyer aspak në gjuhën me të cilën i janë referuar njëri-tjetrit dhe margjinat e komunikimit bilateral s’kanë qenë fort pozitive, Kurti vlerëson faktin se bashkëpunimi mes ministrave të dy vendeve ka qenë më i miri se çdo qeveri e mëparshme.
“Në kuptimin e punëve të kryera, rezultateve të arritura mendoj se jemi më mirë se të gjitha qeveritë e mëhershme. Edhe ndonjëherë kur është dukur që ne si dy kryeministra nuk i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme kjo nuk ka vlejtur asnjëherë për ministrat.”
Megjithatë, Kurti ka theksuar se krisja kryesore me Ramën ka ndodhur për shkak të qëndrimeve ndaj Serbisë dhe Ballkanit të Hapur.
“E kemi atë dallimin për çështjen e Ballkanit të Hapur, e qëndrimit karshi Beogradit e me radhë por në kuptimin e afrimit, integrimit Kosovë-Shqipëri unë besoj se janë dramatizuar si karikaturë dallimet, ndërkohë që gjërat pozitive janë heshtur disi.”
Rama nuk u ngrit ta takonte, Kurti zbulon çfarë ndodhi mes tyre në Samitin e Kotorrit
Një shtrëngim i ftohtë duarsh dhe ngurrimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama për t’u ngritur nga karrigia ku ishte ulur për të takuar Albin Kurtin në Samitin e Kotorrit më 16 Maj, nxori edhe më tej në pah raportin e ftohtë mes dy liderëve.
Lidhur me atë video që bëri xhiron e rrjetit dhe u komentua gjatë në studiot televizive, shefi i qeverisë së Kosovës ka dhënë sqarimet e tij në intervistën për emisionin “Debat” në A2 CNN.
“Ajo ka qenë dita e dytë në Kotorr. Ne kemi folur ditën e parë, një ditë më herët. Nuk është se shiheshim aty për herë të parë në atë konferencë. Ka qenë një darkë e përbashkët. Po tani pse nuk është ngritur aty nuk e di. Më besoni unë as jam marrë dhe as që merrem me këto gjëra”, tha Kurti pasi moderatorja Alba Alishani e pyeti sesi e pa në rrafshin personal atë qëndrim të Ramës.
Sipas shefit të ekzekutivit kosovar në këtë rast është e rëndësishme që të vijojë bashkëpunimi shumë i arrirë ne terren mes dy qeverive, për të sjellë sa më afër shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe për të intensifikuar shkëmbimet tregtare.
Kurti u vendos edhe përballë faktit se Edi Rama këmbëngul se nuk e ka falur për ndërhyrjen në zgjedhjet në Shqipëri me regjistrimin e siglës së Vetëvendosjes për të garuar.
“Unë kisha thënë që mbajeni analizën politike të gjithë shqiptarët kudo që janë, mbajeni mendimin kritik por mos i shikoni raportet mes politikanëve, në këtë rast dy kryeministrat me syrin e Big Brother”, tha ai.
PJESË NGA INTERVISTA E KURTIT DHËNË GAZETARES ALISHANI:
Ai ka qenë komunikimi juaj i fundit me kryeministrin e Shqipërisë?
Po ai takimi në Kotorr, nuk kemi pasur takime të tjera.
A e ndjeni nevojën e përmirësimit dhe intensifikimit të marrëdhënies, qoftë edhe ndërpersonale me të?
Gjithmonë është mirë të bëjmë më shumë dhe më mirë, por këtë duhet ta bëjmë si shërbyes të popullit që jemi. Domethënë edhe ajo personale ka kuptim nëse është për diçka më shumë se personale. Nëse është diçka që është për të mirën e përgjithshme. Në këtë kuptim besoj se po kanë të drejtë qytetarët që besojnë se do të mund të ishte më mirë, më shumë e kështu me radhë. Por nuk është se puna në terren po na ngec siç mund të besoj ose dëshiroj dikush.
Shumë është aluduar për shkaqet e destabilitetit të raportit tuaj. Kush është shkaku kryesor për këtë distancë tuaj mes kryeministrash shqiptarë?
Nuk mund t’ia bëj analizën vetes, e as kryeministrit Rama. Le ta bëjnë analistët politik këtë gjë, por unë edhe njëherë po e ritheksoj, kemi mundur të bëjmë një ose dy mbledhje qeverish më shumë dhe mbase për shqiptarët kudo që janë shumë prej këtyre pamjeve që dalin kanë qenë të dëmshme, por punët në terren nuk është se na kanë ngecur. Prandaj edhe unë jam i lumtur dhe me shpresë tash që po flasim. Tregu i përbashkët energjetik është një arritje e rëndësishme, gjigande. Besoni për mua nuk është fort e rëndësishme a ngrihen njerëzit në këmbë, a ma japin dorën e djathtë apo të majtë. a2cnn
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/