Partia Republikane vlerëson vendimin që mori Gjykata Kushtetuese për anulimin e pikave 3 dhe 5 të nenit 6 të ligjit 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronës”, ligj i miratuar nga mazhoranca në parlament, por i kontestuar nga Presidenti i Republikës, PR, Avokati i Popullit, PD dhe shoqatat e pronarëve.
Sipas PR, për të nxjerrë një konkluzion përfundimtar duhet të presim zbardhjen e vendimit dhe veçanërisht arsyetimin e Gjykatës për rrëzimin e këtyre dy pikave.
“Me gjithë këtë konkluzioni paraprak është se de facto rrëzimi i këtyre dy pikave, ka rrëzuar në tërësi nenin 6, i cili në mënyrë abuzive bënte vlerësimin e pronës sipas gjendjes së saj në vitin 1945, pa marrë parasysh transformimet që kanë ndodhur deri më sot dhe gjendjen aktuale të saj.
Për pasojë është rrëzuar edhe nenin 7 i cili përcakton procedurën që ndiqet për vlerësimin e pronës, bazuar në gjendjen e mëparshme të saj ( pra vitin 1945 ) të krahasuar me gjendjen aktuale. Në këtë mënyrë të gjithë pronarët për të cilët janë marrë vendime do të konsideroheshin të kompensuar ndërsa për pronarët, dosjet e të cilëve janë në shqyrtim, nuk do të përfitonin kompensim”, shprehet në një reagim zyrtar, Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PR-së Maksim Begeja.
Por për PR, ky vendim e zgjidh pjesërisht problemin e pronave, duke këmbëngulur që ligji në themel të ketë kthimin e pronës pronarit të ligjshëm dhe kompensimin të plotë të saj.
Duke bërë të ditur se PR do të kërkojë shfuqizim të plotë të ligjit, Begeja apelon që Agjensia e Trajtimit të Pronave të ndërpresë shqyrtimin e vendimeve deri në zbardhjen e vendimit të Gjykatës kushtetuese, dhe amendimin e ligjit nga Parlamenti.
“Pavarësisht nga vendimi i lartpërmendur i Gjykatës Kushtetuese, Partia Republikane, deklaron se kjo Gjykatë ka zgjidhur pjesërisht problemet që ka ligji. Ne kemi kontestuar dhe kontestojmë në tërësi ligjin, i cili në themel ka mos kthimin e pronës pronarit të ligjshëm dhe kompensimin jo të plotë të saj.
PR ashtu siç ka deklaruar, do të angazhohet për të kërkuar nga instancat përkatëse ndërkombëtare shfuqizimin në tërësi të ligjit, me qëllim që të hartohet një ligj I cili zgjidh në mënyrë të drejtë dhe përfundimtare çështjen e pronës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Nga ana tjetër kërkojmë me insistim që Agjencia e Trajtimit të Pronave të ndërpresë shqyrtimin e vendimeve deri në zbardhjen e vendimit të Gjykatës kushtetuese, dhe amendimin e ligjit nga Parlamenti”, shprehet Maksim Begeja, Kryetar i Asamblesë Kombëtare të PR-së.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












