Presidenti Nishani uron Dom Ernest Troshanin për shpalljen e tij Kardinal nga Papa Françesku

Shares

Presidenti Nishani uron Dom Ernest Troshanin për shpalljen e tij Kardinal nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.

Në një mesazh të posaçëm, kreu i shtetit shkruan se “lajmi që një bashkatdhetar u lartësua në hierarkinë e Kishës Katolike nga vetë Ati i Shenjtë, duke ju njohur vuajtjet, përkushtimin dhe përdëllimin tuaj besnik ndaj të Plotfuqishmit”, e ka mbushur me krenari”.

Kreu i shtetit e vlerëson si gjest të mirëmenduar e të gjetur shpalljen Kardinal nga Ati i Shenjtë, si dhe e përgëzon Dom Ernest Troshanin për këtë kurorëzim të merituar të sakrificave dhe vuajtjeve në emër të besimit, që nuk u lëkund edhe gjatë dekadave të tmerrshme të diktaturës komuniste, e cila arriti deri aty sa ta shpallte Shqipërinë të vetmin vend ateist në botë.

Hirësia Juaj, Dom Ernesti,

Lajmi i shpalljes suaj Kardinal nga Papa Françesku më gëzoi pamasë, duke më mbushur njëkohësisht me krenari të parrëfyer që një bashkatdhetar i yni u lartësua në hierarkinë e Kishës Katolike nga vetë Ati i Shenjtë, duke ju njohur vuajtjet, përkushtimin dhe përdëllimin tuaj besnik ndaj të Plotfuqishmit.

Në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë ju shpreh urimet më të sinqerta e të përzemërta, duke ju dëshiruar njëkohësisht suksese në përmbushjen e detyrës suaj hyjnore!

Më lejoni gjithashtu të vlerësoj këtë gjest të mirëmenduar e të gjetur nga Ati i Shenjtë, si dhe t’ju përgëzoj për këtë kurorëzim të merituar të sakrificave dhe vuajtjeve tuaja në emër të besimit, që nuk u lëkund aspak dhe asnjëherë edhe gjatë dekadave të tmerrshme të diktaturës komuniste, e cila arriti deri aty sa ta shpallte Shqipërinë të vetmin vend ateist në botë.

Ju uroj shëndet dhe Zoti ju dhëntë sa më tepër forcë e besim në përmbushje të detyrës suaj të shenjtë!”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...