Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë që të dërgojë për referendum çështjen e importit të mbetjeve.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, deklaroi se kërkesa duhet të futet në rendin e ditës dhe të votohet nga Parlamenti, për shkak siç tha ai, pasi rrezikohen interesat e brezave të sotëm dhe të ardhshëm.
“Partia Demokratike ka paraqitur një kërkesë e cila është depozituar sot në administratën e Kuvendit, një kërkesë për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm. Kërkesa është që kjo kërkesë për referendum të futet dhe të votohet sot në seancën parlamentare, pra është një kërkesë që duhet të futet sot në rendin e ditës”, ka deklaruar Paloka.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vlerëson se lejimi i importit të grupeve të caktuara të mbetjeve në territorin e Shqipërisë cenon interesin publik për shkak se cenon interesin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm, krijon premisë të qartë të shfrytëzimit të këtij aktiviteti nga grupet kriminale ndërkombëtare të importimit të mbetjeve të rrezikshme. Bie ndesh me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Ky fakt nënkupton se lejimi ose jo i llojeve të caktuara të mbetjeve është çështje me interes publik dhe për pasojë, ajo konsiderohet një çështje me rëndësi të veçantë”, u shpreh Paloka..
Duke kujtuar se kjo çështje është debatuar edhe më herët, Paloka tha se opinioni publik është shprehur.
“Opinioni publik është shprehur në mënyrë masive kundër importit të mbetjeve. Këtë e tregon mbledhja e rreth 64 mijë firmave në kuadër të kërkesës për zhvillimin e një referendumi për këtë çështje. Kjo kërkesë është konsideruar e ligjshme. Në kushtet kur ligjvënësi ndaloi me ligj importin e mbetjeve, atëherë referendumi nuk është zhvilluar. Vlerësojmë se ligjvënësi duhet të udhëhiqet nga vullneti popullor i një çështjeje që ka qenë objekt i një kërkese të miratuar për referendum. Çështja e mbetjeve nuk është më në vullnetin e Kuvendit apo qeverisë, por në vullnetin e qytetarëve të Shqipërisë. Mbi këtë çështje duhet të vendosë vetëm populli”, tha Paloka.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












