VENDIMI/ Gjykata: Të hapen procedurat e falimentimit të “Kurum”, bankat të çlirojnë llogaritë nga sekuestrot

Shares

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka marrë një
vendim
, sipas të cilit fillojnë procedurat e falimentimit të kompanisë “Kurum”
Në marrjen e këtij vendimi, gjykata ka arritur pas shqyrtimit të kërkesës së shoqërisë “Kurum International “, sh. a., për fillimin e procedurave të falimentimit, të paraqitur në datën 26. 02. 2016. Në këtë kërkesë, “Kurum” referonte si shkak ligjor dhe faktik, paaftësinë paguese në të ardhmen e afërt.
Në arsyetimin e vendimit të saj, gjykata vëren se në zbatim të nenit 74  pika 2 të ligjit  nr. 8901 datë 23.05.2002 “Për falimentimin”me hapjen e procedurës së falimentimit, ndalohen të gjitha veprimet e ekzekutimit ndaj debitorit. Të gjitha pasuritë dhe shumat e konfiskuara, sekuestruara apo  të fituara nga kreditore nga shitjet e pasurive të masës së falimentit nëpërmjet ekzekutimit të detyrueshëm nga përmbaruesit gjyqësorë, i dorëzohen administratorit të falimentimit nëpërmjet derdhjes ose bërjes së tyre të disponueshme në llogaritë e shoqërisë.
krm1Në interpretim dhe zbatim  të dispozitave ligjore, në kushtet kur është hapur procedura e falimentimit për Riorganizim, Bankat e Nivelit të Dytë  janë të detyruar të çlirojnë llogaritë e shoqërisë nga sekuestrot konservative apo të ngjashme. Shumat e bëra disponibël në llogaritë e debitorit, të zakonshme ose overdraft, administrohen nga debitori nën mbikëqyrjen e Administratores së Falimentit/organet e tjera të kreditorëve në përputhje me këtë vendim dhe ligjin.
Po ashtu gjykata vendosi që të gjithë subjektet qe kanë detyrime ndaj debitorit “Kurum International” sh. a., duhet t’ia paguajnë dhe t’ia shlyejnë debitorit i cili për çdo rast njofton administratoren e Falimentimit.

VENDIMI


krm2Konform nenit 127 të Kodit të Procedurws Civile dhe nenit 26 e vijues të ligjit nr. 8901 datë 23. 05. 2002 “Për falimentimin” i ndryshuar me ligjin nr. 9919 datë 19.05.2008, Gjykata;
                                                            
V E N D O S I
1) Pranimin e kërkesës.
2) Hapjen në orën 10.20 të datës 15 prill 2016 të procedurës së falimentimit për Riorganizim për kërkuesin Shoqëria “Kurum International” SHA me NIPT K02727230T, me administrator Ysuf Sezai Kurum, me seli në Tiranë, Rr. “Ibrahim Rrugova”, Pll. 14, Green Park, Ap nr. 39, kt. 6.
3) Autorizimin e Debitorit Shoqëria “Kurum International” SHA të administrojë dhe disponojë pasuritë e masës së falimentimit nën kontrollin e Mbikëqyrësit apo Administratores së Falimentimit.
4) Emërimin me statusin e Mbikëqyrësit, Administratoren e Falimentimit Znj. Lindita KIKINO, e licencuar nga Ministria e Drejtësisë me Nr. Licence 12, me adresë veprimtarie Rr. “Jordan Misja”,Pallati “Sara El”, Sh. 1, ap nr. 1, Tiranë.
5) Ngarkohet Debitori me hartimin e Planit të Riorganizimit nën asistencën e Mbikëqyrësit.
6) Administratorja e Falimentimit (Mbikëqyrësi)  t’i  paraqesë Gjykatës së Falimentimit Raport mbi listën transaksioneve të kryera nga KURUM INTERNATIONAL SHA ne 3 (tre) muajt e fundit ,të kryejë vlerësimin e duhur ligjor të tyre për mundësinë mbi anulimin veprimeve juridike sipas kritereve përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Falimentimin.
7) Të gjithë subjektet qe kanë detyrime ndaj debitorit “Kurum Internacional” SHA , duhet t’ia paguajnë dhe t’ia shlyejnë debitorit i cili për çdo rast njofton administratoren e Falimentimit.
8) Mbledhja e kreditorëve te shoqërisë “Kurum International” sh. a., për caktimin e Komitetit të Kreditorëve, të mbahet në datën 18 Maj 2016 ora 11.00.
9) Të gjithë kreditorët e shoqërisë kanë të drejtë të brenda datës 15 qershor 2016 të gjitha pretendimet e tyre tek Administratorja e Falimentimit duke i njoftuar asaj pretendimet dhe të drejtat e siguruara që kanë mbi pasuritë e debitorit. Mbledhja për raportim caktohet në datën 20 qershor 2016 ora 11.00.
10) Mbledhja e Kreditoreve të subjektit “Kurum International” sh.a, për verifikimin e pretendimeve mbahet brenda 60 ditëve nga data e mbledhjes për Raportim. Data përkatëse e mbledhjes per verifikim vendoset në mbledhjen për raportim.
11) Mbledhja  për përcaktimin e të drejtës së votës të kreditorëve për votimin e Planit të riorganizimit të mbahet dy javë para datës së mbledhjes që do të caktohet për diskutimin dhe votimin e planit të riorganizimit.
12) Mbledhja e kreditoreve te subjektit “Kurum International” sh.a,  për diskutimin dhe votimin e Planit të Riorganizimit të mbahet jo më vonë se 1 muaj nga të mbledhja për verifikim. Data e mbledhjes për votimin e Planit të Riorganizimit do të vendoset në mbledhjen e kreditorëve për verifikimin e pretendimeve.
13) Urdhërohet ndalimi i ekzekutimit mbi të gjithë pasuritë e debitorit nga çdo kreditor apo palë e tretë gjatë procedurës së falimentimit, qofshin këto pasuri materiale apo të drejta.
14) Urdhërohet publikimi i vendimit për hapjen e procedurave të falimentimit te shoqërisë “Kurum International” sh.a, ne Buletinin Zyrtar të Njoftimeve Publike.
15) Urdhërohet publikimi dy herë i këtij vendimi, pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, në adresën zyrtare në internet të këtij institucioni, në adresën zyrtare në internet të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në adresën zyrtare në internet palës kërkuese “Kurum International” sh.a në këtë gjykim si dhe pranë Drejtorisë se Përgjithshme te Tatimeve.
16) Një kopje e vendimit për hapjen e procedurës së falimentimit të Shoqërisë “Kurum International” sh.a, t’i dërgohet Zyrës Qendrore te Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme.
17) Një kopje e vendimit për hapjen e procedurës se falimentimit te Shoqërisë “Kurum International” sh.a, t’i dërgohet te gjitha bankave te nivelit te dytë , të gjithë kreditorëve të listuar dhe debitorëve të “Kurum Internacional”Sha .
18) Një kopje e vendimit për hapjen e procedues së falimentimit te Shoqërisë “Kurum International” sh.a, t’i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
19) Një kopje e vendimit për hapjen e procedurës së falimentimit të Shoqërisë “Kurum International” sh.a, t’i dërgohet Autoritetit Rrugor Kombëtar, Autoritetit Portual Shqiptar, dhe  Zyrës së Regjistrit të Barrëve Siguruese.
20) Një kopje e vendimit për hapjen e procedurës se falimentimit të Shoqërisë “Kurum International” sh.a, t’i dërgohet subjekteve të specifikuara në nenin 29 te ligjit Nr. 8901 datë 23.05.2002 “Për falimentimin” i ndryshuar.
21) Urdhërohet publikimi dy herë i vendimit të shkurtuar për hapjen e procedurës së falimentimit të Shoqërisë “Kurum International” sh.a, në dy gazeta me qarkullim kombëtar.
22) Shpenzimet gjyqësore procedurale në ngarkim të palës kërkuese.
23) Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 5 ditëve afat që për palët prezent fillon nga dita e nesërme e shpalljes dhe për subjektet jo prezent nga e nesërmja e marrjes dijeni.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...