Komisioni i Venecias ka përgatitur opinionin final për reformën në drejtësi. Ne dokumentin prej 20 faqesh janë renditur të gjitha opinionet e rekomanduara nga ekspertët e Komisionit të Venecias.
Që në fillim ata vlerësojnë se drafti i rishikuar dërguar atyre për opinion, përmban propozime që dizenjojnë institucionet e drejtësisë në koherencë dhe përputhje me standardet europiane. Komisioni Venecias beson se drafti me këto amendamente, ndoshta duhet të finalizohet pa vonesa të tjera me dorëzimin në Parlament për ta votuar.
Për sa i përket ngërçit të madh të 2/3 apo 3/5 të votave në kuvend për zgjedhjen e gjyqtarëve, Venecia sugjeron që në rast se palët nuk bien dakord për 3/5, atëherë duhet të zgjidhet një variant proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës.
“Në fushën e ligjit dhe praktikës ndërkombëtare nuk ka kërkesa strikte që një shumicë e cilësuar me 2/3-at, e cila përdoret në zgjedhjen e drejtuesve më të lartë. Pragu i duhur i votave që duhen siguruar në rastin e fundit është në thelb më shumë politik sesa çështje ligjore. Nëse forcat politike të përfshira në këtë proces nuk dakortësohen për zgjedhjen me shumicë të cilësuar anëtarët e 3 institucioneve të reja duhet të synojnë një opsion të ri që i garanton opozitës përfaqësim në të gjitha këto institucione apo një model tjetër, i cili do t’i sigurojë opozitës një influencë të caktuar në procesin e zgjedhjes”, thotë Venecia e cila gjithashtu rekomandon mos ndërprerjen e mandatit të prokurorit të Përgjithshëm.
Në përgatitjen e draftit final Venecia rekomandon se duhet kushtuar vëmendje në mënyrën e zgjedhjes së organeve të reja në drejtësi si “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit”, “Kolegji i Posaçëm i Apelimit”, “Këshilli i Lartë i Prokurorisë” dhe “Këshillin e Lartë Gjyqësor”, përfshi “Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”.
“Nëse forcat politike të përfshira në këtë proces nuk dakordësohen për zgjedhjen me shumicë të cilësuar anëtarët e 3 institucioneve të reja duhet të synojnë një opsion të ri që i garanton opozitës përfaqësim në të gjitha këto institucione apo një model tjetër, i cili do t’i sigurojë opozitës një influencë të caktuar në procesin e zgjedhjes”, thotë Venecia.
Për prokurorin special të njësisë që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta, Venecia rekomandon se në draftin e amendamenteve duhet të specifikohet metoda e emërimit, përfshi mekanizimin e llogaridhënies. Ndërsa për mënyrën e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Venecia kërkon të bëhet kujdes.
“Gjykatësit dhe prokurorët, të cilët i nënshtrohet procesit të vetingut duhet të gëzojnë të drejtën e ankimimit nëse u shkelen të drejtat themelore”, rekomandon Venecia.
Sipas Venecias, autoritetet vendimmarrëse janë legjitime të gjejnë zgjidhjet e duhura. Duhet sqaruar më tej roli i njësisë antikorrupsion në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Po ashtu kërkohen sqarime të mëtejshme për rolin e ministrit të Drejtësisë në raport me Inspektorin e Përgjithshëm.
Venecia hedh idenë e një procedimi të drejtpërdrejtë të ministrit pavarësisht inspektorit, përfshi garancitë procedurale, të jenë më të rrepta për të garantuar privatësinë.
Venecia sugjeron jo përgjime të përhershme, që do të shërbenin si një “kartabiankë” në dhunimin e privatësisë. Për sa i përket ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët do të jenë pjesë vëzhguese e institucioneve të reja ndërkombëtare, Venecia rekomandon rol jo vendimmarrës.
Po kështu, ndërsa PS e LSI kishin deklaruar se do të prisnin Komisionin e Venecias para se të miratonin Byronë Kombëtare të Hetimit, ky opinion ka mbërritur edhe për këtë pjesë. Në dokumentin e saj, Venecia jep 2 variante për vartësinë e kësaj byroje, që në draftin e reformës në drejtësi merr emërtimin Njësia e Posaçme Antikorrupsion.
Njëri është ai si pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe një tjetër si zyrë e pavarur. Por në të dyja rastet ekspertët e Venecias theksojnë se kjo strukturë e re duhet të ketë pavarësi nga Prokuroria e Përgjithshme dhe politika.
“Modelet për përzgjedhjen e këtyre lloj zyrave variojnë. Në disa raste, zyra e prokurorit të kësaj njësie mbetet zyrtarisht pjesë e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme por si një njësi e pavarur në mënyrë që të mos instruktohet nga të tjerë, zyrtarë më të lartë, prokurorë apo dhe qeveria. Në disa raste krijohet një zyrë krejtësisht e pavarur. Qartësimi i pavarësisë së prokurorëve special nga Prokuroria e Përgjithshme e përshkruar në draftin e rishikuar të amendimeve është një dispozitë e mirëpritur në implementimin e rekomandimeve të opinionit të brendshëm”, thuhet në draft.
Venecia u rekomandon autoriteteve shqiptare vëmendje të veçantë në çështjet e mëposhtme:
a) Në qoftë se palët politike të përfshira në proces nuk bien dakord me një shumicë të caktuar të cilësuar për zgjedhjet në KLGJ, KLP, KPK dhe Kolegjin e Posaçëm të Kualifikimit në GJL, atëherë duhet të zgjidhet një sistem proporcional që garanton që opozita të ketë përfaqësim në këto organe kolektive, apo çdo model tjetër të përshtatshëm që garanton që opozita të ketë ndikim në procesin e përzgjedhjes.
b) Drafti duhet të parashikojë mënyrën e emërimit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe mekanizimin e llogaridhënies për të.
c) Mandati i organeve të verifikimit duhet të reduktohet në mënyrë të konsiderueshme dhe anëtarët e Kolegjit të Posaçëm duhet të vijojnë detyrën si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.
d) Gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohen procesit të verifikimit duhet të gëzojnë të drejtën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese për sa i përket shkeljes së të drejtave themelore, me disa përjashtime të arsyeshme që diktohen nga nevojat e procesit të rivlerësimit.
e) Kompetencat e vëzhguesve ndërkombëtar duhet të qartësohen.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











